1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kush do të akuzohet për krime?

Prokurori special Clint Williamson paralajmëroi ngritjen e aktakuzave për krime lufte. Raporti i tij ka shkaktuar reagime të shumta dhe ka hapur pyetjen se kush do të jenë të akuzuarit?

Burimet serbe pohojnë se ndër të akuzuarit për krime lufte në Kosovë mund të jetë edhe vetë kryeministri në detyrë Hashim Thaçi, njoftojnë "Tanjugu" dhe B92. "Nuk duhet befasuar që në Gjyqin e ri për Krime të Luftës, nëse do hapen edhe raste për tregti me organe”, pohojnë këto burime duke shtuar se rëndësia e raportit të paraqitur në Bruksel "do të del në pah, kur të ngriten aktakuzat”. Por kryeprokurori Clint Williamson ka refuzuar të flas për emrat e personave të cilët do të mund të akuzoheshin për krime lufte. Ai tha se nuk janë ndërprerë as hetimet për trafikim organesh, ndonëse deri tani nuk ka dëshmi të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzave. Por theksoi se pas krijimit të gjykatës speciale në Kosovë mund të pritet ngritja e aktakuzëve për krime lufte.

Më parë janë përmendur edhe shumë emra të tjerë, që mund të akuzohen për krime. Por deri tani nuk ka asnjë të dhënë zyrtare se kush do të gjendet në bankën e të akuzuarve.

Ambasada amerikane në Beograd ka kumtuar se Uashingtoni zyrtar e mbështet fuqishëm bashkëpunimin e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë dhe të gjitha vendeve të BE-së për zbardhjen e të së kaluarës dhe krimeve. "Kosova dhe BE janë të përkushtuara për themelimin e gjykatës speciale dhe trajtimin e rasteve, që kanë të bëjnë me akuzat për krime lufte", kumtoi ambasada.

Dick Marty i kënaqur

Ish-raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty e quan të një "rëndësie të jashtëzakonshme" raportin e prokurorit Clint Williamson. “Ambasadori Williamson flet për krime kundër njerëzimit. Ai e di se ç'domethënie kanë këto fjalë. Kjo që ka ndodhur sot është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Dëshmitarët nuk kanë besim në drejtësinë kosovare dhe as në gjyqësinë ndërkombëtare. Për këtë ekzistojnë arsye. Në disa procese dëshmitarët janë vrarë, zhdukur, kërcënuar. Edhe sot për dëshmitarët është vështirë të dëshmojnë”, deklaroi ai për mediat e Zvicrrës duke shtuar se "unë kurrë nuk e kam vënë në fokus tregtinë me organe. Kam folur për pak raste. Williamson arrin në përfundimin e njëjtë”.

Dick Marty e quan të një rëndësie të jashtëzakonshme raportin e prokurorit Williamson

Dick Marty e quan të një "rëndësie të jashtëzakonshme" raportin e prokurorit Williamson

Ndërsa raportuesja e BE për Kosovën Ulrike Lunacek pohon se "raporti i Clint Williamsonit për tregti me organe njerëzore në Kosovë” do të zbardhë përgjegjësitë për këto akuza. Bashkimi Evropian pret që sa më parë të formohet gjykata, e cila do të merret me pohimet dhe do të ngritë aktakuza kundër individëve përgjegjës. “Aktakuzat për krimet e dyshuara, që kanë kryer luftëtarët e lartë të UÇK-së, po i rëndojnë me vite të tëra raportet ndërfqinjësore në rajon. Është shumë mirë që në raport flitet për akuza kundër individëve dhe jo kundër tërë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ka luftuar kundër dhunës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe për pavarësinë e Kosovës", theksoi Lunacek.

Reagimet në Kosovë dhe Serbi

Në Kosovë është pritur me lehtësi fakti që raporti ngarkon vetëm disa individë dhe jo të gjithë UÇK-në si organizatë. Përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës thonë se "UÇK ka bërë një luftë të drejtë dhe të pastër, për çlirimin e vendit, deri sa individët të cilët dyshohen se mund të ishin të angazhuar në sjellje të paligjshme duhet të përballen me drejtësinë”. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pohon se raproti i Williamson është një hap tjetër drejt zbardhjes së akuzave të Dick Marty dhe për vendosjen e shtetit juridik në Kosovë. Edhe AAK pohon se UÇK ka bërë një luftë të drejtë çlirimtare. Por ka dhe analistë të cilët mendojnë se raporti do të dëmtojë shtetin e Kosovës. Vetë fakti që dyshohet se ka pasur trafikim organesh, do të thotë se këto pretendime duhet të sqarohen deri në fund.

Sqarimin deri në fund të këtyre pretendimeve kërkojnë edhe autoritetet e Serbisë. Zëvendësprokurori i gjykatës së Serbisë për krime lufte, Bruno Vekariq pohon se kjo gjykatë serbe "ka argumente të mjaftueshme për ngritjen edhe të aktakuzave për tregti me organe, por të dyshuarit nuk mund të kapen prej saj".