1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kush është fajtor për anulimin e negociatave?

Raundi i bisedimeve të planifikuara për sot (20.07.) mes Prishtinës dhe Beogradit u anulua me kërkesë të ndërmjetësit të BE-së Kuper. Takimi u shty për në shtator, pasi aktualisht nuk ka kushte për marrëveshjeve të reja.

Kryetarja e delegacionit negociues të Prishtinës Edita Tahiri

Kryetarja e delegacionit negociues të Prishtinës Edita Tahiri

Edhe pse në Bruksel pritej që pas marrëveshjeve të para të Beogradit dhe Prishtinës për regjistrat e gjendjes civile dhe lirinë e lëvizjes në fillim të korrikut, në fund të muajit do të arriheshin zgjidhje edhe për çështjet e regjistrave kadastralë, të energjisë elektrike, telekomunikacionit dhe ndoshta edhe të vulave doganore, sukseset e mëtejshme në dialog duhen pritur deri në shtator. Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialog, Robert Kuper, vizitoi në mesin e muajit Prishtinën dhe Beogradin për të ndikuar në harmonizimin e qëndrimeve, dhe megjithatë një ditë para mbajtjes së raundit të gjashtë të bisedimeve dypalëshe në Bruksel takimi u anulua.

"Kemi marrë vendim që ta anulojmë këtë takim në kuadër të dialogut dhe për këtë i kam informuar të dyja palët. Është për të ardhur keq, por ne ndodhemi në fazën e negociatave, kur jemi shumë pranë arritjes së marrëveshjes në lidhje me shumë çështje. Nuk do të kishte logjikë të mbanim takime, në qoftë nuk jemi në gjendje të arrijmë marrëveshje. Meqenëse ishte e qartë se marrëveshja nuk do të arrihej në këtë takim, ne vendosëm se ështe më mirë që ai të mos mbahet, por të takohemi në shtator, për kur unë pres një perspektivë më të mirë për t'u marrë vesh për një sërë çështjesh", tha Kuper.

„Të dyja palët duhet të mendojnë“

Ashtu si dhe në takimin e mëparshëm, kur në fillim të korrikut u arrit marrëveshja dypalëshe për lirinë e lëvizjes dhe regjistrat e gjendjes civile, delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë i hodhën njëri-tjetrit përgjegjësinë për "mungesë fleksibiliteti" dhe mosgatishmëri për zgjidhjen "edhe të tjera çështjeve", kështu edhe kësaj radhe këndvështrimet lidhur me anulimin e raundit të gjashtë të dialogut janë të ndryshme.

Kryetari i delegacionit negociues të Beogradit Borislav Stefanovic

Kryetari i delegacionit negociues të Beogradit Borislav Stefanovic

Shefi i delegacionit serb, Borislav Stefanović, theksoi se pala e Prishtinës "kërkoi që të nxjerrë në pah elementet e shtetësisë së Kosovës, gjë që Beogradi nuk ka mundur ta pranojë", dhe shtoi se për këtë arsye është vlerësuar, se nevojitet më shumë kohë për arritjen e marrëveshjeve. Nga ana tjetër, Edita Tahiri, që kryeson delegacionin e Prishtinës, tha se për shtyrjen deri në shtator përgjegjës është Beogradi, sepse ai nuk ishte i gatshëm të njohë vulat doganore të Kosovës. "Serbia me këtë qëndrim vazhdon të shkelë parimet e lëvizjes së lirë të mallrave, si një nga parimet themelore të Bashkimit Evropian. Kujtoj Serbinë se orientimi proevropian nuk arrihet me retorikë, po me politikë dhe zgjidhje evropiane," tha Tahiri.

Pala e tretë në këtë proces, Bashkimi Evropian, përmes ndërmjetësit Robert Kuper i dërgoi të njëjtin mesazh si Beogradit, ashtu edhe Prishtinës. "Të dy palëve u duhet të reflektojnë pak. Do të takohemi përsëri në shtator dhe shpresoj se çështjet, që tani janë afër marrëveshjes, të jenë edhe më pranë saj. Unë shpresoj në një progres të shpejtë në shtator, sepse kemi nevojë për të," përfundoi Kuper.

Autor: Marina Maksimović / Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj