1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush është veteran i ushtrisë gjermane?

5 Prill 2012

Gjermanisë i duhet një ditë përkujtimore, kërkon Ministri i Mbrojtjes. Po kush bën pjesë te veteranët? Një zhvillim i ri për ushtrinë gjermane, Bundeswehr.

https://p.dw.com/p/14YLo
Ushtarë gjermanë në pritje të betimit
Ushtarë gjermanë në pritje të betimitFotografi: picture alliance/dpa

Një ditë përkujtimore për veteranët, njohje dhe privilegje. Këto gjëra, që për shumë vende të tjera janë të zakonshme, në Gjermani vetëm tani do të vendosen. “Ka ardhur koha të diskutohet hapur e me objektivizëm për politikën ndaj veteranëve. Kjo është e re, por vetëm për Gjermaninë,” vëren ministri i Mbrojtjes Thomas de Maizière nga Bashkimi Kristian-Demokrat (CDU) në një letër për diskutim. Në fakt Gjermania ka mbetur prapa në këtë çështje në krahasim me aleatët e saj, të cilët kujdesen qysh prej shumë kohësh për veteranët e tyre. Shumë ushtarë gjermanë ankohen që shoqëria nuk ua njeh mundin.

Më shumë njohje për ushtarët

Një gjest njohjeje pritet të jetë dita përkujtimore për mbi 300.000 ushtarët gjermanë të angazhuar deri tani nëpër misionet në botën e jashtme. Kjo ide po gjen miratim të madh si në radhët e Bundeswehr-it, ashtu edhe nëpPolitikë. Vështirësia qëndron tek gjetja e datës së përshtatshme. Dita e zisë kombëtare, që në Gjermani zakonisht kremtohet nga mesi i nëntorit, dhe që përkujton të rënët në dy Luftërat Botërore dhe viktimat e nacionalsocializmit, të cilën e propozoi në fillim Ministri de Maizière, nuk gjeti shumë përkrahje. Një tjetër datë që vjen në pyetje është 2 prilli, sepse më 2 prill 2010 – “në të premten e zezë të pashkëve” - në Afganistan ranë tre ushtarë gjermanë. Për këtë datë është edhe i ngarkuari i Parlamentit Federal (Bundestag), Hellmut Königshaus. Sipas tij një ditë përkujtimore për veteranët duhej të ishte caktuar qyshkur.

Ministri Federal i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere
Ministri Federal i Mbrojtjes, Thomas de MaiziereFotografi: dapd

Ndërkaq ministri i Mbrojtjes ka dalë me një një sugjerim tjetër: 22 maji. Më 22 maj 1956 janë hedhur themelet kushtetuese të Bundeswehr-it, - argumenton ai. Mbas Luftës së Dytë Botërore në fillim nuk ekzistonte një ushtri gjermane. Vetëm në mesin e viteve 50-të aleatët i lejuan republikës së re që të ngrinte ushtrinë e saj – një rrjedhojë e tensioneve të rritura ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Por, në perceptimin e Bundeswehrit për veten, kjo datë nuk luan ndonjë rol të veçantë.

Reagimet që ka shkaktuar propozimi i Ministrit janë të ndara. “Në se kjo është vetëm një ditë që thjesht i shtohet vargut të ditëve të tjera përkujtimore, atëherë nuk e vlerëson çështjen si duhet”, ka thënë eksperti i socialdemokratëve për mbrojtjen, Rainer Arnold në gazetën “Mitteldeutsche Zeitung”. 22 maji është më mirë se një datë arbitrare e një atentati ndaj Bundeswehrit, është i mendimit Andreas Timmermann-Levanas, kryetari i Bund Deutscher Veteranen (Federata e Veteranëve Gjermanë).

Kush është veteran?

Nga diskutimi për ditën përkujtimore del se diçka është e paqartë: Kush është veteran në Gjerman? Vetëm ushtarët që kanë qenë në misione jashtë shtetit, apo të gjithë ata që kanë shërbyer për një kohë të gjatë në ushtri e që tani janë të moshuar? Për shkaqe historike ky term, “veteran”, nuk ka traditë në Bundeswehr. Për veteranët e Luftës së Dytë Botërore në Gjermani nuk janë bërë ndonjëherë festa përkujtimore si në SHBA dhe në Francë, çka është e logjikshme. E, veteranë "të rinj”, gjatë Luftës së Ftohtë, nuk pati, sepse Bundeswehri nuk u përfshi në veprime luftarake.

Ushtarë gjermanë në Afganistan
Ushtarë gjermanë në AfganistanFotografi: dapd

Veç kohëve të fundit kjo fjalë është ringjallur nga ushtarët, sidomos nga ata të kthyerit nga Afganistani: Ata kanë luftuar aty, disa janë lënduar fizikisht a shpirtërisht. Ushtarët e quajnë angazhimin e tyre “luftë” dhe veten “veteranë”. Në gusht të 2010-ës ata themeluan në Berlin një organizatë përfaqësuese, Federatën e Veteranëve Gjermanë.

Por se kush hyn konkretisht në të, për këtë vazhdojnë diskutimet edhe në radhët e 200.000 ushtarëve të organizuar në Bundeswehr Verband (Shoqata e Bundeswehrit). Tani po studiojmë “substancën” e termit “veteran”, thotë kryetari Ulrich Kirsch. Ministri i mbrojtjes de Maizière tërheq vëmendjen se përkufizimi i këtij “titulli nderi” në Gjermani është ende i vagullt. Për të ka rëndësi që të shmanget një përçarje e forcave të armatosura në ushtarë “me ose pa status veterani”.

Autor: Nina Werkhäuser/ Anila Shuka

Redaktoi: Auron Dodi