1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kusari-Lila: qarkullim i lirë i mallrave

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në qeverinë e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila konfirmon se shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po zhvillohen normalisht, konform marrëveshjes që është arritur në Bruksel.

Mimoza Kusari-Lila , Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë

Mimoza Kusari Lila, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë

Në një intervistë për Deutsche Welle-n ministrja kosovare Kusari Lila, shprehet se me marrëveshjet e arritura në Bruksel, Kosova ka marrë përsipër detyrime ndërkombëtare dhe çdo veprim ndryshe kundrejt Serbisë, do të ishte kundër parimeve të Bashkimit Evropian për liri të tregut.

DW: Zonja Kusari-Lila ka pasur shumë debate rreth reciprocitetit me Serbinë, debate këto që u manifestuan edhe me protesta të lëvizjes Vetëvendosja, flas këtu për reciprocitet tregtar me Serbinë. Po zbatohet në tërësi reciprociteti në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel?

Kusari-Lila: Debatet për këtë çështje kanë rrjedhur prej momentit kur u kalua mocioni për reciprocitet të plotë me Serbinë më 7. Dhjetor dhe është diskutuar se qeveria është ngutur me heqjen e masës së reciprocitetit me Serbinë. Por, unë dua t'i rikujtojë të gjithë se para 20. Korrikut, situata ka qenë krejt ndryshe, problemet me lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve në vendet e rajonit kanë qenë të shumta. Ndërkohë që të gjitha qëllimet tona, që nga momenti kur kemi vendosur masën e reciprocitetit më 20. Korrik, janë arritur në këtë periudhë, sepse kemi qarkullim të lirë të mallrave, është arritur pranimi i vulave doganore të Kosovës, si me Bosnjen-Hercegovinën, si me Serbinë. Pra është arritur që ata prodhues që dëshirojnë të transportojnë mallra përmes Serbisë në vendet e Bashkmit Evropin, ta bëjnë një gjë të tillë dhe mund të themi se për herë të para pas shpalljes së pavarësisë Kosova ka raporte të normalizuara me të gjitha vendet e rajonit dhe me Bashkimin Evropian. Kjo është shumë e rëndësishme për sektorin e prodhimit. Pra nëse shikohet periudha para 20. Korrikut të vitit 2011, ne kemi një rritje prej 70 përqind të eksportit për në Serbi.

DW: Ka të dhëna të Ministrisë që ju drejtoni si po reflektohet ky reciprocitet në zhvillimin e ekonomik të Kosovës, apo po ndodh e kundërta siç po thotë Lëvizja Vetëvendosja, po dëmtohen prodhuesit kosovar?

Kusari-Lila: Është krijuar një mit që Serbia vazhdimisht po përfiton nga Kosova dhe çdo gjë që po punohet në këtë drejtim është vetëm në favor të Serbisë. Kjo nuk është e vërtetë, sepse në aspektin kuantitativ ka një rënie të importit nga Serbia. Sot kontrollohen pikat 1 dhe 31 në veri të Kosovës, që do të thotë se nuk ka trafikim dhe kontrabandim të mallrave të asaj natyre si para intervenimit të njësisë speciale të Kosovës në veri. Pra, në vlerë totale, sa mallra eksporton Serbia  në Kosovë, mund të themi se kemi një rënie të eksporteve të Serbisë në Kosovë dhe një rritje të eksportit të mallrave kosovare në Serbi.

DW: Kur flasim për raportet tregtare Kosovë-Serbi, kemi dy pika kufitare në veri të Kosovës jo tërësisht të lira, ndërsa, dy ose tre pika kufitare të tjera të lira. Në veri të Kosovës thuhet se akoma futen mallra kontrabandë nga Serbia në Kosovë. Cilat janë informacionet tuaja?

Kusari-Lila: Nuk mund ta mohojë tërësisht që nuk ka kontrabandë aty, mund të ketë, por është në masë shumë të vogël, për arsye se vetëm nëse shikohet situata në rrugët në Veri të Kosovës, mund të dihet se maunet që janë futur më herët, sot nuk mund të hyjnë, sepse janë barrikadat në rrugë dhe rrugët anësorë nuk mund të ofrojnë një cilësi të njëjtë, ashtu si ka qenë më herët ku nuk ka pasur barrikada dhe ku nuk ka pasur kontroll në pikat 1 dhe 31. Pra, sot në Veri ka qarkullim të njerëzve që jetojnë në atë pjesë, por është vështirësuar qarkullimi i përgjithshëm i njerëzve nga komunat e tjera për në veri. Prandaj në këtë linjë nuk mund të themi se kemi një kontrabandë të sasisë si ka qenë gjatë vitit të kaluar.

DW: Ka pasur shumë vlerësime të ndryshme, sipas të cilave importi i Kosovës nga Serbia është shumë i lartë, ndërsa, eksporti i mallrave kosovare në Serbi është shumë i ulët. Ka ministria juaj ndonjë strategji që ta balancojë këtë shkëmbim tregtar?

Kusari-Lila: Më duhet të them se shkëmbimi tregtar jo vetëm me Serbinë por edhe me vendet e tjera kohë pas kohe mund të përcillet me probleme. Megjithatë në mbrojtje të prodhuesve vendorë ekzistojnë edhe ligjet në fuqi. Në momentet kur hetohet se ka tendencë të prishjes së një sektori të prodhuesve kosovarë, ekzistojnë dy ligje nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ligji për masat mbrojtëse dhe ligji për parandalimin e dampingun. Pra, të dy këto ligje janë në fuqi dhe janë të aplikueshme. Me ligjin anti-damping disa herë kemi arritur të ndërmarrim masa sanksionuese për prodhuesit e vendeve jashtë Kosovës, sepse kemi vërejtur se ka tendencë të shitjes së mallrave me çmime damping në Kosovë. Veprohet kështu. Prodhuesi paraqet ankesë në Ministri, Ministria zhvillon hetime për një periudhë të shkurtër duke marrë informata për çmimin e mallit nga vendi i origjinës dhe në momentin e përfundimit të hetimeve sillet një vendim që rrit çmimin gjatë zhdoganimit të atij malli në doganat e Kosovës.

DW: Ka një presion nga partitë politike opozitare sidomos për qarkullimin tregtar me Serbinë që thonë se nuk është i barabartë. Nëse Kosova do të vepronte ndryshe nga ajo që po vepron tash, mund të ketë përplasje me parimet e BE-së për qarkullimin e lirë të mallrave?

Kusari-Lila: Kosova, jo vetëm me Serbinë, por edhe me vendet e tjera të rajonit, Maqedoninë, Shqipërinë, ka pasur raste të aplikimit të barrierave të ndryshme tarifore. Por, në rastin konkret me Serbinë përderisa ka njohje reciproke të vulave doganore, përderisa ka qarkullim të lirë të mallrave, çfarëdo ndërhyrje tjetër sidomos në forma që nuk janë institucionalisht të pranueshme, natyrisht se do të jetë e pafalshme dhe do të jetë gabim për Kosovën. Por, po e them se të pretendohet se është humbur me atë çfarë është aplikuar më herët në raport me Serbinë është gabim i madh. Ne kemi fituar, ne kemi mundësuar lëvizjen e lirë të mallrave kosovare në të gjitha vendet e rajonit dhe në Bashkimin Evropian.

Autor: Bekim Shehu/Prishtinë

Redaktoi: Lindita Arapi