1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kusari-Lila: Brezovica projekt i sukseshëm

Qeveria e Kosovës prezanton në vende të ndryshme të botës para investitorëve potencialet e projektit për qendrën turistike "Brezovica". Flet në intervistë për DW zëvendës - kryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila.

DW: Zonja zëvendëskryeministre, qeveria e Kosovës ka prezantuar gjatë këtyre ditëve në vende të ndryshme të botës para investitorëve të mundshëm projektin për qendrën turistike "Brezovica". Një prej temave që u prek edhe në takimin e organizuar në Bruksel ishte çështja e korrupsionit. Çfarë është duke ndërmarrë qeveria e Kosovës në luftimin e kësaj dukurie?

Mimoza Kusari-Lila: „Ne në procesin e prezantimit të Brezovicës kemi takuar edhe kompani në SHBA-së në Denver Colorado dhe është e rëndësishme të ceket që në vazhdimësi kemi hasur në interesim. Ne shpresojmë që t'i trajtojmë të gjitha temat ose brengat e investitorëve në mënyrë që ata të kenë besim në proces dhe çka është më e rëndësishmja të vijnë e të përgatisin propozimin për pojektin e Brezovicës. Natyrisht që temë e pashmangshme në vendet në tranzicion, sidomos në vendet e Ballkanit Perëndimor, është çështja e korrupsionit dhe luftimi i tij. Qeveria e Kosovës si institucion që bën zbatimin e politikave mundohet në këtë proces që t'i shkurtojë procedurat burokratike si kryesore që nxisin korrupsionin, siç është zgjatja e procedurës së marrjes së lejes së regjistrimit dhe procedura të tjera të cilat në vazhdimisht i shtyjnë qoftë zyrtarët apo kompanitë që të ofrojnë mito për shkurtimin e tyre. Ne i bëjmë këto qoftë në kuadër të ligjeve apo edhe përmes udhëzimeve administrative dhe kjo është një përpjekje, e cila edhe është njohur pozitivisht për Kosovën në raportin e Bankës Botërore për biznesin ku në vitin 2012 jemi shpallur si reformatori më dinamik në kuadër të vendeve të Evorpës Juglindore. Megjithatë kjo nuk është e tëra për shkak se ka nevojë për një luftë intensive gjegjësisht një përpjekje të vazhdueshme dhe një vetëdijësim të përgjithshëm, qoftë të sektorit privat qoftë të zyrtarëve insitucional, që korrupsioni nuk është rruga që sjell përparimin dhe investimet përkundrazi, ato u sjellin një fitim për momentin, por kjo shtetin e dëmton shumë siç është dëmtuar edhe në Kosovë vite me radhë..."

Ndërkohë në Bruksel ende nuk kanë përfunduar bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit për kompetencat që do të kenë në të ardhmen komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Sa ndikojnë këto bisedime tek investitorët e mundshëm, pasi bëhet fjalë për një investim në një komunë me shumicë serbe?

Mimoza Kusari-Lila: "Në fakt një numër i konsiderueshëm i kompanive evropiane nuk e kanë ende të qartë situatën dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Disa pej tyre, duke dëgjuar lajmet ose zhvillimet nga veriu i Kosovës mendojnë se një situatë e tillë dhe tensione të tilla ka në tërë Kosovën. Ne mundohemi t'u sqarojmë se kjo nuk është e vërtetë. Ndërsa aspektin e dialogut e përdorim në favor të prezantimit të mundësive dhe normalitetit në Kosovë se përderisa ke liderë institucionalë të nivelit të presidentëve dhe kryeministrave, të cilët bisedojnë, kjo do të thotë se të dy shtetet e shohin që nuk ka rrugë tjetër përveçse dialogut dhe zgjidhjes së problemeve në kuadër të dialogut. Pastaj shtetet që e përkrahin Kosovën, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se nuk ka ndryshim të kufijve, nuk ka qasje tjetër ose status tjetër për veriun dhe këto qëndrime janë shumë të rëndësishme. Megjithatë më e rëndësishmja është që të dyja vendet e shohin normalizimin e situatës si një proces që tanimë është i pashmangshëm dhe për të cilin duhet të punohet në mënyrë që të dy vendet, që aspirojnë anëtarsimin në BE të gjenden një ditë në kuadër të shteteve anëtare të BE-së."

Para gjashtë vitesh kur është diskutuar për privatizimin e "Brezovicës" nga komuna e Shtërpcës janë dëgjuar edhe kushtëzime lidhur me punësimin e komunitetit serb. A ka sot kushtëzime të këtij lloji?

Mimoza Kusari-Lila: "Atëherë ka qenë një situatë krejt tjetër. Atëherë kemi pasur një proces të privatizimit klasik domethënë një proces që do të nënkuptonte që Brezovica gjegjësisht asetet e saj të dalin në privatizim klasik. Tani kemi një projekt krejtësisht tjetër, një projekt që është i paraparë përmes partneritetit privato-publik me koncension, me një marrëveshje 99 vjeçare. Unë shpresoj që ai investitor, që do ta fitojë këtë projekt do të jetë një kompani zhvilluese, kompani e cila do të bëjë jo vetëm ndërtimin, por edhe menaxhimin e këtij resori malor. Sa i përket aseteve të kaluara të kompanisë INEX ne do të përdorim vlerësimin e pavarur për 20 përqindshin e punëtorëve, ndërsa të tjerat do të jenë në radhë të parë në benefit të Shtërpcës dhe pastaj të të gjithë rajonit dhe Kosovës. Nuk kemi të bëjmë me kushtëzime, ne në asnjë moment nuk kemi hasur në pengesa dhe ju e dini se edhe kryetari i komunës së Shtërpcës është pjesë e Komitetit ndërministror. Ai ka qenë shumë konstruktiv, shumë bashkëpunues, të gjitha vendimet, që kemi marrë kanë qenë të zbatueshme edhe nga komuna dhe besojmë që procesi do të shkojë mirë. Në çdo janë banorët e Shtërpcës të parët që do të përfitojnë nga projekti, jo vetëm në punësim por edhe nga të ardhurat që do të mund t'i kenë për zhvillimin e komunës."

Sa i arsyeshëm mund të jetë një investim kaq i madh në një vend, ku gati gjysma e popullsisë janë e papunë dhe skijimi është ndoshta i fundit që iu shkon ndërmend?

Mimoza Kusari-Lila: "Besoj që është një investim shumë i arsyeshëm. Edhe sot ka shumë të rinj që presin në radhë të ngjiten për të skijuar, nganjëherë dhe në këmbë. Gjithashtu vetëm në kuadër të rajonit kemi afër pesë milionë banorë që kanë akses përmes rrugëve ndërsa 30 milionë përmes aeroporteve. Në Kosovë edhe një fakt është i pamohueshëm: ne kemi forcën e lirë punëtore dhe shpenzimet operacionale të cilësdo komopani do të jenë më të ulëta në raport me vendet e tjera. Brezovica kështu nuk do të tërheq vetëm të rinjtë nga Kosova, por do të tërheq turistë nga të gjitha vendet e rajonit, BE-së e ndoshta edhe nga vendet më të largëta. Ne kemi parë modele të tilla që nuk janë shumë larg nga Kosova, si përshembull në Bullgari dhe përderisa Brezovica ofron atribute shumë më të mira qoftë në skijim, qoftë me kushtet klimatike, unë besoj që do të jetë një projekt i suksesshëm."