1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kursime po, rritje taksash jo? Kabineti federal diskuton për planet financiare

6 Qershor 2010

Kabineti federal mblidhet të dielën në një takim me dyer të mbyllura për të vendosur për kuadrin e buxhetit të vitit 2011 dhe planin financiar deri në vitin 2014. Priten shkurtime të mëdha dhe rritje taksash.

https://p.dw.com/p/Nip8
Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble
Ministri gjerman i Financave Wolfgang SchäubleFotografi: AP

Para konsultimeve të kabinetit federal për buxhetin e vitit 2011 të dielën, (06.06) kancelarja gjermane, Angela Merkel është shprehur mbi propozimet aktuale për rritjen e tatimeve me qëllim të përmirësimit të gjendjes financare në Gjermani.

Shpenzime jo më shumë se të ardhura

Kursi i koalicionit do të jetë ky, të shpenzojmë jo më shumë se sa kemi të ardhura, tha Merkel në një konferencë shtypi të shtunën.

Merkel ka kërkuar përdorimin me më tepër efiçiencë të shpenzimeve në sektorin social. Ndërkohë partia liberale (FDP)ka kërkuar kursime në asistencën për të papunët. Në konsultimet e kabinetit të dielën dhe të hënën duhet të vendosen piketat e buxhetit shtetëror për vitin 2011 deri në vitin 2014. Me qëllim që të frenohet deficiti shtetëror në Gjermani duhen kursyer së paku 10 miliardë euro në vit. Sipas revistës gjermane "Der Spiegel" qeveria gjermane do të kursejë që nga viti 2011 rreth 800 milionë euro në administratë.

Hans-Olaf Henkel
Kabineti i MerkelitFotografi: Picture alliance/dpa

Çfarë nuk i përgjigjet më kohës?

Gjithsej Gjermania duhet të shkurtojë 60 milliardë euro deri në vitin 2016. Kjo është krejtësisht e bëshme, sepse potencial për kursime ka, mendon Hans-Olaf Henkel, ish-president i Shoqatës Federale të Industrisë Gjermane, BDI. Federata, landet dhe komunat shpenzojnë çdo vit 50 miliardë euro, për të subvencionuar ekonominë, këtu ka shumë hapësirë veprimi.

Si hap i parë mund të përfshihen në tatim edhe shtojcat financiare për punën e të dielave dhe natën: "Këto shtojca duhet t'i paguanin punëdhënësit, jo komuniteti i taksapaguesve. Ligji për këtë është i vitit 1944, atë e ka nënshkruar Adolf Hitleri. Synimi i tij ishte që të mobilizonte rezervat e fundit të armatimit për Gjermaninë. Dhe ky ligj mbahet tani si vazo e bekuar në kishë nga sindikatat, të cilat lëvdojnë vlerën e tij sociale. Ndërkohë, ne jemi i vetmi vend në botë, ku është koha e punës ajo që përcakton normën tatimore. Këtë unë e konsideroj shumë qesharake. Kjo na sjell për shembull 2 miliardë në vit."

Hans Olaf- Henkel
Hans Olaf - Henkel

Sektorë ku duhet treguar vëmendje: Bujqësia

Andreas Freytag, ekspert për ekonominë në Universitetin e Jenës mendon për bujqësinë: "Politika ndaj bujqësisë është shqetësuese në çdo aspekt. Ajo prek më të varfërit e këtij vendi, sepse çmimet për ushqimet natyrisht që shtrenjtojnë tej mase shportën e më të varfërve të këtij vendi. Ne kemi pak mundësi për zëvendësime. Por ka edhe drejtime, të cilat nuk duhet të bihen pre e lapsit të kuq, kërkon Christian Calliess nga Universiteti i Lirë i Berlinit:

Prof. Andreas Freytag
Prof. Andreas FreytagFotografi: Andreas Freytag

Jo kursime në fushën e arsimit

"Kursime nuk duhet të bëhen në sektorë, të cilët si të thuash janë të lidhur me të ardhmen. Këtu bën pjesë veçanërisht arsimi dhe fusha të ngjashme." Kursimi është njëra anë, nga ana tjetër në politikën e Berlinit diskutohet në mënyrë intensive për gjetjen e rrugëve për të shtuar të ardhurat. Propozime përkatëse shtrihen që nga shtyrja e moshës së pensionit në 70 vjeç, në eleminimin e një dite pushimi dhe ngritjen e tatimit mbi vlerën e shtuar nga aktualisht 19 në 25 përqind. Një ngritje e tillë e shkallës së tatimit nuk është ide e mirë për Andreas Freytagun, sepse ajo do të prekte sërish grupet me të ardhura më të pakta.

Por ai e përfytyron shumë mirë një përafrim të normave të tatimit: "Një gjellë që hahet në shkollë, për shembull, tatohet me 19%, por Döneri, të cilin e merr në dorë dhe nuk e ha në lokal, tatohet me vetëm shtatë përqind. Dhe kjo natyrisht që është budallallëk në çdo aspekt."

Edhe ish-presidenti i Shoqatës Federale të Industrisë Gjermane, Hans Olaf-Henkel nuk e quan ide të mirë rritjen e taksave: "Shteti gjerman është boll i shëndoshë dhe i trashë. Unë po ju jap një shembull tjetër: sot ne kemi një Zyrë Punësimi, pra në Nyrnberg dhe gjithë agjencitë e tjera, të cilat janë të shpërndara në Gjermani. Atje janë punësuar mbi 100 mijë vetë. Në gusht 1963 ne kishim vetëm 83 mijë të papunë. Sot ne kemi më shumë njerëz që merren me administrimin e papunësisë se sa kishim atëherë të papunë."

Hand mit Stempel Finanzamt
Rritja e tatimeve nuk do të mirëpritet. Në foto pamje simbolike e vulës së zyrës së tatimeveFotografi: picture-alliance/dpa

Ngritja e taksave nuk mirëpritet nga populli

Pavarësisht nga vendimet që do të marrë qeveria federale, çdo shkurtim i një subvencioni do ta revoltojë një pjesë të popullit kundër politikës njësoj si çdo ngritje taksash. A duhet të druhemi ne pas krizës financiare dhe ekonomike për një krizë sociale?

Henkel: "Po të vazhdojmë kështu si deri tani, atëherë ajo nuk përjashtohet. Duhet të vrasim mendjen, edhe në Gjermani, pse dolën njerëzit në Greqi në rrugë; pse iu vunë flakën kaq shumë automjeteve në Athinë. Kjo ka të bëjë me mbitheksimin për dekada të tëra të sociales në politikën greke. Pavarësisht nëse këtë punë e kanë bërë socialistët apo konservatorët. Të gjithë këta kanë shpenzuar me të dyja duart para, për të tërhequr vota zgjedhësish. Po të vazhdojmë edhe në kështu, edhe ne në këtë situatë do të vijmë. Prandaj është e drejtë që të nxjerrim përfundime nga shembulli i Greqisë, pra që të kursejmë sa nuk është bërë vonë."

Autorë: Danhong Zhang/Auron Dodi/Lindita Arapi

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi