1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kurdët në Veri të Irakut votojnë për shkëputjen - Qeveria në Bagdad kërcënon me sanksione

Kurdët në Veri të Irakut u shprehën me shumicë në referendum për pavarësinë. Në referendumin e diskutueshëm 92.3% e zgjedhësve votuan për shkëputjen nga Iraku, deklaroi komisioni kurd i zgjedhjeve të mërkurën në Erbil.

Që votuesit do të shpreheshin me shumicë për shkëputjen nga Iraku, kjo pritej. As rezultati zyrtar, që komunikoi të mërkurën (27.09) komisioni i zgjedhjeve në Erbil, nuk befasoi askënd. "Gjithsej 72,16 përiqnd e zgjedhësve kanë votuar. Me po kanë votuar 92.73 e tyre dhe me jo 7.27 përqind." Referendumi nuk detyron askënd dhe as nuk është i barazvlefshëm me shpalljen e pavarësisë.

Presidenti kurd Masoud Barzani nuk priti rezultatin përfundimtar zyrtar të votimit. Në një fjalim në televizion qysh të martën ai shpalli fitoren: "Popull i madh i Kurdistanit, ti nuk i ke lejuar askujt, që të thyejë vullnetin tënd, kur ke votuar për pavarësinë - dhe ke votuar me jo për një masakër të mëtejshme dhe një sulm të ri kimik. Ne kemi nisur një fazë të re, dhe kjo është një fitore për të gjithë Kurdistanin."

Barzani shpreson, që rezultati i votimit do ta forcojë atë dhe do t'i japë atij një mandat të qartë për bisedime me qeverinë qendrore të Irakut. Qëllimi i Barzanit është një marrëveshje për shkëputjen e Kurdistanit të Irakut nga pjesa tjetër e vendit. "Në vend të kërcënimeve dhe sanskioneve tani duhet të ketë një fillim të ri serioz të dialogut, me të cilin ne do të bëhemi fqinjë të mirë."

Por qeveria e Irakut nuk do t'ia dijë për deklaratat e Barzanit. Kryeministri Haider al-Abadi e hedh poshtë kategorikisht ndarjen e Veriut të banuar me shumicë kurde. Me sa duket Abadi tani është i vendosur që t'i sprapsë liritë, që ka gëzuar deri më sot rajoni autonom. "Nëse aeroportet në rajonin e Kurdistanit në Erbil dhe Sulaimaniya nuk do të vendosen nën autoritetin e qeverisë qendrore, Iraku do të suspendojë të gjitha fluturimet ndërkombëtare në këto aeroporte. Kabineti i ka dhënë kohë deri të premten në orën 18:00 Kurdistanit që ta verë në jetë këtë vendim. Në rast të kundërt të gjitha fluturimet ndërkombëtare do të suspendohen."

Kjo i prek rëndë kurdët. Ata ndonëse i menaxhojnë vet këto dy aeroporte, janë të varur për koordinimin e fluturimeve nga Bagdadi. Madje Abadi shkon edhe më tej me deklarimet e tij: "Të gjitha kalimet tokësore, që lidhin rajonin e Kurdistanit me vendet fqinjë, duhet të kalojnë në kompetencën e qeverisë qendrore."

Udhëheqja kurde e ka hedhur poshtë menjëherë këtë vendim. Por sidoqoftë shoqëritë e para ajrore kanë deklaruar tashmë anullimin e fluturimeve të tyre për të premten e ardhshme.

Edhe parlamenti i Irakut i ka ashpërsuar tensionet sërish. Ai i bëri thirrje kryeministrit, që të dërgojë ushtrinë mes Erbilit dhe Bagdadit në territoret e diskutueshme në Veri të Irakut, si në Kirkuk, ku ndodhen fushat më të mëdha të naftës.