1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kurban për problemet sociale - romët që dëbohen

Në Evropë jetojnë gjithsej deri në dymbëdhjetë milionë romë.Qëkurse Rumania dhe Bullgaria janë anëtare të BE-së, shumë romë nga këto vende e kërkojnë fatin e tyre në Francë. Por atje ata janë të padëshiruar.

Fëmijë romë rumunë pranë Lionit

Fëmijë romë rumunë pranë Lionit

Jo vetëm Franca, por kudo në Evropë po intensifikohen konfliktet për romët. Romët bien në sy me traditat e tyre, me mënyrën e tyre të jetesës dhe me pamjen e tyre. Pikërisht për këtë arësye ato përdoren si pretekst për të gjitha problemet e mundshme sociale, ndaj të cilave nuk ka zgjidhje të shpejtë, kështu ndodh edhe në Francë.

Të pretendosh që vetëm pak mijë romë janë problemi më i madh social në Francë, kjo nuk ka asnjë bazë serioze. Qeveria franceze e di që dëbimet e ndërmarra prej saj nuk janë në përputhje me të drejtën e BE-së. Vetëm për këtë arsye, përmes ofertave me para në dorë i hidhet manteli i vullnetit të lirë largimit të menjëhershëm të romëve drejt Rumanisë apo Bullgarisë.

Romët mund të lëvizin pa viza

Eshtë naivitet shpresa se me këtë zgjidhen të gjitha problemet e atyre komunave franceze, të cilat nuk duan t' i pranojnë romët dhe që ndaj vatrave të krizës në zonën e qytetit të tyre reagojnë me përforcimimin e masave të izolimit të tyre. Shumica e të dëbuarve, siç e tregon e kaluara, shumë shpejt kthehen, sepse ata janë të mësuar me diskriminimin.

Por si qytetarë rumunë dhe bullgarë atyre nuk u duhet vizë. Ata nuk janë qytetarë të BE-së të klasit të dytë, paçka se i bëjnë si të tillë. Askush nuk mund t'i pengojë ata që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të zgjedhjes së lirë të vendbanimit. Madje edhe legjitimiteti i masave franceze kundër kampeve ilegale të romave është i diskutueshëm dhe aktualisht objekt i një hetimi të Komisionit të BE-së.

Dëbim i romëve nga Franca

Dëbim i romëve nga Franca

Edhe për këtë arësye do të ishte mirë që të luftohen kufizimet kundër romëve në mendjet e shumicës së shoqërisë. Romët dallohen për vlerat dhe mënyrën e tyre të jetesës, por ata i bashkon i njëjti fat. Ata janë të spostuar në skajet e shoqërisë edhe atje, ku përbëjnë dhjetë përqind të popullsisë - në Rumani.


Problemi nuk zgjidhet me para

Integrim para së gjithash do të thotë që të çahet qarku i mbyllur i diskriminimit. Deri më sot kjo nuk është arritur. Shumë milirda euro ka vënë BE-ja në dispozicion tetë vitet e fundit për projekte nga më të ndryshmet për romët. Por tek shumica e njerëzve s' ka mbërritur më shumë se sa lëmoshë.

Ky problem nuk mund të zgjidhet vetëm me para. Shpesh herë mungon tek të dyja palët vullneti dhe gatishmëria për t' i hapur ndaj njëri-tjetrit botët e izoluara, ku ata jetojnë. Nëse askush nuk do të kujdeset për rininë, nëse askush nuk nxit arsimin dhe kualifikimin, ky është natyrisht edhe një problem për bashkësinë e romëve. Nëse në fund askush nuk dëshiron t' i punësojë romët qofshin edhe me kualifikimin më të mirë apo t' u japë atyre një banesë normale jashtë slume-ve, ku ata jetojnë, atëherë ky është një problem i të gjithëve.

E ky problem nuk mund të zgjidhet me më shumë para të BE-së, të cilat tek e fundit përdoren vetëm që romët të mos e shqetësojnë Evropën.


Autor: Andreas Meyer Feist

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 03.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/P3Um
  • Data 03.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/P3Um