1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kur nuk ka para kursejnë edhe ushtritë

Gjashtë vende me shpenzime ushtarake që shquheshin deri tani, ndër to SHBA-ja, po përkulen para detyrimit për të kursyer duke reduktuar buxhetin e tyre ushtarak. Rusia dhe Kina nga ana tjetër po i rrisin buxhetet e tyre

Nuk është ideja e çarmatimit ajo që i ka shtyrë Brazilin, Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe dhe SHBA-në që të reduktojnë shpenzimet e tyre të armatimit në vitin 2011: "Në shumicën e vendeve janë përpjekjet për të vënë në kontroll financat e shtetit", thotë Carina Solmirano e Institutit të Stokholmit për Kërkime të Paqes. Për Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe shkencëtarja Solmirano parashikon një rënie të lehtë të shpenzimeve ushtarake në vitet që vijnë. Ngjashëm është edhe në rastin e SHBA-së, thotë ajo, para së gjithash duke mbajtur parasysh tërheqjen e NATO-s nga Afganistani.

Në rastin e Brazilit dhe Indisë arsyet për rënien e shpenzimeve të armatimit janë paksa ndryshe, por edhe këtu janë të lidhura me ekonominë e këtyre dy vendeve, thotë Solmirano: Brazili e ka ulur buxhetin ushtarak kryesisht për të reduktuar rritjen ekonomike dhe për t'i vënë frerë inflacionit." India i ka rritur vazhdimisht vitet e kaluara shpenzimet e saj ushtarake. Në shifra absolute rritja ishte në 2011-n 8,5 për qind "mirëpo për arsye të inflacionit të lartë kemi një rënie të shpenzimeve në shifra reale", plotëson Solmirano.

Rusia rrit potencialin ushtarak

Raketa të tipit Triumf S-400 në Rusi

Raketa të tipit Triumf S-400 në Rusi

I kundërt është zhvillimi në Rusi. SIPRI konstatoi atje vitin e kaluar një rritje të buxhetit ushtarak me 9,7 për qind. Moska ka derdhur gati 72 miliardë dollarë dhe renditet në vendin e tretë pas SHBA-së dhe Kinës për shpenzime ushtarake, para Francës dhe Britanisë së Madhe.

Rritja e shpenzimeve për armatimin shërben për të shmangur kolapsin e sistemit ushtarak në Rusi, thonë ekspertë ushtarakë të pavarur rusë. "Është njëfarë kompensimi për vitet e gjata të financimit të pamjaftueshëm", mendon Ruslan Puhov, drejtor i Qendrës për Analizë Strategjie dhe Teknologjie në Moskë. Pas fundit të Bashkimit Sovjetik porosi të mëdha për armatime ka pasur për herë të fundit në 1991 dhe 1992, konstaton Vladislav Shurygin: "Më pas ka pasur vetëm blerje të veçuara". Në rast se nuk rriten shpenzimet ushtarake tani, atëherë ushtria ruse rrezikon të bjerë në nivelin e vendeve afrikane, thotë në intervistë me DW-në eksperti i pavarur ushtarak.

Megjithatë rritja e shpenzimeve ushtarake bart rreziqe të mëdha. "Që shpenzimet janë të larta, nuk do të thotë doemos se shfrytëzohen siç duhet. Gjatë fazës së gjatë të financimit të pamjaftueshëm shumë oficerë janë larguar nga ushtria dhe ka humbur teknologji", mendon Vladislav Shurygin. Puhov plotëson se ushtria ruse po modernizohet tani rrënjësisht. Kjo kërkon (sipas tij) para shtesë. Megjithatë, ai është kritik ndaj shpenzimeve të mëdha, pasi sipas tij problemet më të rëndësishme të Rusisë nuk janë doemos në sektorin e armatimit.

Puhov dhe Shurgyn janë të një mendjeje për sa i takon objektivit të armatosjes së ushtrisë ruse: Është fjala për t'u përgatitur për rreziqet në jug dhe në lindje të vendit, ku gjendja nuk është gjithandej e qëndrueshme, thonë ata. "Nga njëra anë, në shtetet e Azisë Qendrore mund të ndodhë një kapërcim i dhunës islamiste. Nga ana tjetër, Rusia kufizohet me fuqinë në rritje, Kinën, si dhe për shembull me Gjeorgjinë, e cila e ka dëshmuar gatishmërinë e saj për konflikt ushtarak", mendon Ruslan Puhov.

Edhe Kina do të kompensojë prapambetjen

Pamje nga një paradë ushtarake në Pekin

Pamje nga një paradë ushtarake në Pekin

Në këtë mes Kina nuk do që të mbetet prapa. Vitin e kaluar qeveria i rriti me 6,7 për qind krahasuar me një vit më parë shpenzimet ushtarake. Për vitin aktual po të ketë edhe një herë rritje: 11,2 për qind më shumë planifikohet të ketë. Këtë e vendosi Kongresi i Popullit në mars. Në Perëndim ky zhvillim ndiqet me shqetësim.

Solmirano e Institutit të Stokholmit për Kërkime të Paqes vëren si në rastin e Kinës ashtu edhe në atë të Rusisë një lidhje midis zhvillimit ekonomik dhe modernizimit të ushtrisë e armatimit si dhe shpenzimeve për blerje dhe kërkime.

Autorë: S. Hartert-Mojdehi/M. Bushuev/C. Haiye/E. Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti