1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kur ekzistenca e familjes vihet në lojën e fatit

5 Mars 2011

Gjendja e rëndë ekonomike dhe papunësia, mbeten arsyet kryesore të emigrimit të kosovarëve. Ata që duan të emigrojnë jo rrallë bien pre e grupeve kriminale.

https://p.dw.com/p/10Tts
Policia e Kosovës arreston grupe krimineleFotografi: DW

Çifti Ahmet dhe Nazlije Bajgora, nga fshati Ballovc i Podujevës, me të katër fëmijët u nisën drejt perëndimit në kërkim të një jete më të mirë. Ndërsa, shpresa e kahmotshme për shërimin e djalit i çoi në duar të mashtruesve. "Na e kemi djalin e sëmurë e kemi dashtë me e çu jashtë vendit për shërim. I kam thanë asaj gruaje: "Po ma sheh djalin e sëmurë e foshnjën një vjeç. Mos m´qit me m´lanë n´rrugë! M´ka garantu. Kam besu dhe jam nis. Mbetëm n´rrugë," rrëfen Nazlija për gruan me emrin V., e cila meqenëse ia kishte premtuar bindshëm kalimin e sigurt të kufijve ata kishin shitur gjithë çfarë kishin.

Por, s´do të kalojë shumë kohë dhe kjo familje do ta kuptojë kotësinë e premtimeve të tilla. Ahmeti, kryefamiljar, tash përshkruan rrugëtimin e tij drejt Turqisë, me destinacion përfundimtar, Suedinë: "Ajo është nis prej Prishtine me neve deri n´Turqi. N´aeroport na ka thanë: "Hyni. N´mujshi me dalë, vi. Mos mujshi, unë largohem e fshihem!" Neve na nxuni policia, se vizat ishin konë fallse. Atë nuk e pamë ma hiç. E neve na mbajtën një javë n´burg n´Truqi, e pastaj na kthyen n´shpi".

Illegaler Grenzübergang Kosovo Montenegro
Kufiri Kosovë Mal i Zi përdoret për kalimet ilegaleFotografi: DW

Një pasuri e tërë për viza të rrejshme

Por, edhepse besimi i verbër ua kishte rrezikuar ekzistencën, të gjitha do t´harroheshin ndoshta, sikur loja të përfundonte me kapjen, burgimin dhe kthimin në Kosovë. Por, ajo tejkaloi çdo kufi të njerëzorës -thotë kryefamiljari Bajgora. "Ma s´pari m´i ka lyp 16 mijë euro. Nuk kam mujt me ia dhanë! Pas gjashtë javësh, m´ka ra në dhjetë mijë. Me i ba ato pare e kam shit traktorin, pesë ari truall e dukatin e gruas. Nuk mujti me m´qit jashtë vendi! 7500 m´i ka marr atje, e masi jem kthy knej m´ka lyp të tjera. Një herë 2,800, një herë 1,500, një herë 1,300. Por kur t´mbramën herë m´i lypi edhe 2000 të tjera e s´pata, shkova n´polici e lajmërova. Polcia toni e nxunë," thotë z.Bajgora.

Lidhur me këtë rast, në fillim të shkurtit Zyra e Shtypit e Policisë së Kosovës me anë të një komunikate njoftoi për arrestimin e femrës V.M., me banim në rajonin e Prishtinës. Por, për shkak të ndjesisë së rastit nuk u dhanë më shumë detaje.

"Rasti po hetohet dhe për shkak të natyrës së hetimeve nuk mund të bëjmë publik më shumë detaje. Por, ne apelojmë tek qytetarët që të mos binë pre mashtrimeve të personave që në mënyrë të paligjshme i dërgojën ata jashtë shtetit, dukë vënë në rrezik jetën e tyre. Sepse, në të kaluarën ka pas raste shumë tragjike ku njerëzit kanë humbur edhe jetën," thotë për DW-në, toger Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Symbolbild Geld 50 Euro Scheine
Familja Bajgora dha 15 mijë euro për të shkuar në SuediFotografi: DW

Bashkëpunimi i policisë ngushton rrethin e grupeve kriminale

Nënshkrimi i disa marrëveshjeve nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës me ministritë e shteteve të rajonit dhe të Evropës Perëndimore, po ndihmon dukshëm luftimin e formave të ndryshme të krimit, rezultat i të cilit është edhe arrestimi i 7 personave për rastin e lumit Tisa, kur në tetor te vitit 2009 nga përmbytja e varkës në lumin Tisa në brezin kufitar Serbi-Hungari, patën humbur jeten 15 qytetarë të Kosovës.

"Lidhur me këtë rast kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Hungarisë por edhe me policinë e shteteve të tjera. Dhe, sipas informacioneve që kemi, për rastin e lumit Tisa ka të arrestuar edhe ne shtetet e tjera," thotë zëdhënësi Sadriu, sipas të cilit gjatë vitit 2010 Policia e Kosovës i ka realizuar 30 raste arrestimesh të individëve apo grupeve, për falsifikim dokumentesh dhe vizash si dhe kalime ilegale te kufirit, qoftë të shtetasve të Ksooves apo të shtetasve të huaj, të cilët e kanë shfrytëzuar Kosovën si vend tranzit.

Tash jetojmë me 45 euro

Krahas përpjekjeve, arrestimi i personave nuk kthen në jetët e humbura e as nuk rimëkëmb familjet e shumta, te cilat për shkak të mashtrimeve të tilla tash jetojnë në skaj të ekzistencës. Rasti më i fundit është ai i familjes Bajgora nga komuna e Podujevës, sipas kryefamiljares së të cilës: "Tash jetojmë me 45 euro të djalit, sigurim invalidor, kurrgja ma shumë. Një shitore qetu po na jep veresie. Se, kurrgja tjetër. Na ka lanë pa bukë n´shpi,pa kurrgja," thotë Nazlija.

Policia e Kosovës bën thirrje tek qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve të tilla, sepse këmbimi i informacioneve me policitë e shteteve të tjera rrethin e grupeve kriminale po e ngushton gjithnje e më shumë. Dhe, paralajmërojnë se falë një bashkëpunimi të tillë, viktimat e këtyre grupeve kriminale të cilat dashur pa dashur involvohen edhe në veprën penale të kalimit ilegal të kufirit apo të përdorimit të vizave dhe pasaportave të falsifikuara, sado që arrinë të kalojnë të paverejtur nga policia kufitare e një shteti ata kthehen prapa nga policia kufitare e shtetit tjetër.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama