1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekonomia gjermane optimiste për vitin 2018

Klaus Ulrich
28 Dhjetor 2017

Më tepër se dy të tretat e shoqatave ekonomike të pyetura nga Instituti i Ekonomisë Gjermane presin prodhim më të lartë për sipërmarrjet e tyre. Edhe vetë ekspertët habiten për fuqinë e bumit ekonomik.

https://p.dw.com/p/2q1RO
Aufschwung hat Wirtschaft voll erfasst Symbolbild
Fotografi: picture-Alliance/dpa

"Pak i fërkoj me habi sytë si ekonomist", thotë i entuziazmuar drejtori i IW Michael Hüther për zhvillimin e vrullshëm të ekonomisë, "pavarësisht se ku nis ta masësh periudhën e rritjes - në vitin 2011 pas krizës së rëndë apo 2013, pas një faze të shkurtër dobësie - kemi të bëjmë në çdo aspekt me një nga zhvillimet më të gjatë të rritjes, që kemi vëzhguar në konjukturën gjermane, por edhe evropiane".

Studiuesi i ekonomisë tregon vërtet gjëra që të habisin: 26 nga 48 sipërmarrjet që pyesin rregullisht në fund të vitit punonjësit e institutit të tij flasin aktualisht për gjendje më të mirë ekonomike në krahasim me një vit më parë. 20 sipërmarrje e vlerësojnë gjendjen e tyre njësoj si të një viti më parë.  Por janë vetëm dy që raportojnë gjendje më të keqe - vitin e kaluar ishin nëntë sipërmarrje.

Zhvillim solid

Këto shifra pasqyrojnë një periudhë rritjeje ekonomike që po mban për një kohë të gjatë dhe - ajo që ndodh më rrallë - po zhvillohet thuajse pa lëkundje. "Në prodhim dhe në punësim kemi një rritje si të hequr me vizore", thotë Hüter. Nga pikëpamja cilësore ky është një proces, i cili nuk ka të bëjë shumë me ciklet konjukturore të zakonshme, por që mbështetet në mundësitë e reja të zhvillimit.

Një gjendje më e keqe ekonomike, sipas sondazhit aktual të Institutit të Ekonomisë vërehet vetëm në industrinë ushqimore dhe në Bankat Popullore e bankat Raifeissen. Këto banka kryesisht të vogla, të organizuara si konsorciume vuajnë veçanërisht në nivelin aktualisht të ulët të interesave bankare. Me fuzionime në njësi më të mëdha, disa institute përpiqen që t'i kundërvihen kësaj gjendjeje.

Industria dhe industria e pasurive të paluajtshme me perspektivë të mirë

Symbolbild Wirtschaftswachstum, Wirtschaft, Industrie
Fotografi: picture-alliance / dpa

Në dallim me këtë, një pjesë e madhe e degëve të industrisë si dhe të industrisë së pasurive të paluajtshme dhe të leasing-ut flasin për gjendje të mirë të biznesit. "Kemi kombinim të disa faktorëve pozitivë", shpjegon Hütter. Ekonomia botërore, e cila në kuadër të 24 muajve të fundit pati edhe dyshime, për shkak të problemeve në Azinë Lindore, nga diskutimi në SHBA, u tregua rezistente. Të ngjashme qenë zhvillimet edhe në Evropë. "Vendet e krizës ndodhen në një rritje të qartë dhe në të gjithë indikatorët ekonomikë në Eurozonë ndodhemi në atë nivel, siç ishte para krizës së borxheve shtetërore". Me modelin e saj të biznesit, Gjermania u përshtatet shkëlqyeshëm nevojave të vendeve të tjera, tha Hüther. Kjo i shpjegon sukseset në eksport. Në një hap me këtë është edhe zhvillimi i gëzueshëm në tregun e punës me gjithnjë e më shumë persona të punësuar. Si rrjedhim, është "thuajse e pashmangshme", thekson ekonomisti që gjendja të jetë e mirë edhe në ekonominë brenda vendit.

Ana tjetër e medaljes: një e treta e sipërmarrjeve, të pyetura nga IW thonë se kapacitetet e tyre janë të mbingarkuara - dhe me këtë kërcënon një tejnxehje e ekonomisë. Si shkak për këtë, dy të tretat e sipërmarrjeve paraqesin mungesën e punonjësve të kualifikuar.