1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kur do të krijohen strukturat e sigurisë së Kosovës?

Bekim Shehu/ Prishtinë16 Dhjetor 2008

Në Kosovë duhet të krijohen ushtria dhe shërbimi informativ. Udhëheqësit politikë kosovarë akoma nuk janë përcaktuar për udhëheqësit e këtyre sektorëve.

https://p.dw.com/p/GHBI
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Kosova ka nevojë për strukturat e veta të sigurisë, siç janë ushtria dhe shërbimi informativ. Këto dy mekanizma janë shumë të nevojshme për një vend në shtetndërtim si Kosova. Kështu thonë ekspertë për çështje të sigurisë. Sipas tyre Kosova duhet të shfrytëzojë në këtë fazë edhe përvojën e forcave ndërkombëtare të sigurisë prezente në Kosovë, në mënyrë që strukturat kosovare të sigurisë të arrijnë nivelin e strukturave të sigurisë të vendeve të zhvilluara. Udhëheqësit politikë kosovarë shprehin dëshirën që në të ardhmën sektori i sigurisë në Kosovë të ketë edhe mbikqyrje parlamentare, siç ndodh në të gjitha vendet e botës. Rustem Mustafa, udhëheq një komision parlamentar për çështje të sigurisë, mirëpo funksioni i tij tash për tash është vetëm këshilldhënës.

"Në këtë qasje që jemi, kur kërkohet shtim i kapaciteteve, unë besoj se jemi në pozitë që të krijojmë kapacitete të reja për mbikqyrje parlamentare në gjithë sektorin e sigurisë. Kjo gjë po na mungon, sikundër po na mungojnë kapacitetet analitike së bashku me kapacitetet akademike, jo vetëm për mbikëqyrje, por edhe për definimin e rrugëve kah duhet të ecë procesi i sigurisë në vend", thotë Rrustem Mustafa.

Kushtetuta e Kosovës, e bazuar në planin e Marti Ahtisarit, parasheh që Kosova të ketë shërbimin e saj informativ. Mirëpo, qeveria e Kosovës akoma nuk ka arritur që të zgjedhë udhëheqësin e këtij shërbimi. Debati në strukturat politike rreth kësaj çështjeje ka nisur tash e një vit, mirëpo, kryeministri Thaçi, këtë vonesë e arsyeton me faktin se ai dëshiron që udhëheqësi i shërbimit informativ të jetë profesionist pa ngjyrime politike. Vonesa ka edhe në krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Edhe në këtë fushë nuk është arritur pajtimi ndërmjet forcave politike në pushtet, se kush do të jetë komandant i kësaj trupe. Ramadan Qehaja, është ekspert për çështje të sigurisë.

"Kështu siç janë duke shkuar gjërat mendoj se jemi duke u ballafaquar me dobësi të karakterit neglizhent, ndoshta edhe politizim të kësaj force e kjo nuk i shkon për shtati një shteti të ri siç është Kosova", thotë Ramadan Qehaja.

Sidoqoftë, sektori i sigurisë në Kosovë mbikqyret nga autoritetet civile dhe ushtarake ndërkombëtare. Në Kosovë ka 16 mijë trupa të KFOR-it, ka afro tetë mijë policë të SHPK-së dhe një mijë policë ndërkombëtarë, tash në kuadër të misionit EULEX. Ky numër i forcave, në pamje të parë nga analistë të shumtë është cilësuar të jetë i madh për një vend të vogël siç është Kosova, por të nevojshme për rrethanat që janë zhvilluar në vend pas përfundimit të luftës.