1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kuota e lartë e kredive të pakthyera rrezikon rritjen ekonomike në Shqipëri

BERZH: Shqipëria me nivel të lartë të huave të pakthyera ndër ekonomitë në zhvillim në Europë dhe Azi. Me 24,4 % të të gjithë portofolit të kredive të dhëna Shqipëria zë vendin e parë në rajon.

Albanien Zentralbank in Tirana

Hua apo kredi që bankat i humbin, pasi bizneset apo individët, që i kanë marrë, nuk i shlyejnë dot quhen “kredi me probleme” apo thjesht” kredi të këqia”. Të dhënat e sapopublikuara të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH) e klasifikojnë Shqipërinë me nivel të lartë të huave të pakthyera ndër ekonomitë në zhvillim në Europë dhe Azi, me 24,4 % të gjithë portofolit të kredive të dhëna, duke zënë keshtu vendin e parë në rajon: Maqedonia i ka kreditë e pashlyera në nivelin 0,8%, Bosnja më pak se 7% dhe të njëjtin nivel ka Mali i Zi dhe Serbia. I vetmi vend ndër ekonomitë në zhvillim në Europë dhe Azi me nivel më të lartë huash bankare të pashlyera se Shqiperia rezulton Kazakistani , me 36,7%.

Rritje e totalit të huave bankare në një periudhë të shkurtër kohore

Elvin Meka, me titullin Dr. në shkencat ekonomike, kryeredaktor i revistës”Bankieri” botim i Shoqatës Shqiptare të Bankave, thotë për DW se ka një sërë arësyesh për këtë situatë të kredive të pakthyera ne Shqipëri. “Pas një 'boom-i' kreditimi ekonomia dhe sistemi bankar përballet me një rritje të huave me probleme. Shqipëria ka nivelin më të lartë të huave të tilla, pas Kazakistanit sepse ka patur rritje eksponenciale të totalit të huave në një periudhe relativisht të shkurtër kohe, fenomen ky që nuk haset në vende të tjera, jo vetëm në rajon, por në përgjithësi në Europë. Një nga pasojat e rritjes së shpejtë të portofolit të huave është gjithnjë shpejtësia e lartë e formimit të huave me problem” thotë Dr. Elvin Meka.

Ndërkohë ulja e dërgesave të emigrantëve ka ndikuar, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në uljen e aftësisë paguese të klientëve shqiptarë pa lënë mënjanë uljen e madhe të ritmit të rritjes ekonomike të Shqipërisë, që ka sjellë zbehjen e dinamizmit të ekonomisë dhe operatorëve ekonomikë. Së fundi, një tjetër arësye është dhe detyrimet e papaguara të qeverisë ndaj bizneseve private për punët publike të kryera, thekson Elvin Meka.

Pasojat për ekonominë thikë me dy presa

Për nivelin e lartë të huave të pakthyera që ka Shqipëria kanë shprehur shqetësim Banka Botërore, FMN dhe së fund BERZH lidhur me pasojat që sjell në rritjen ekonomike të vendit. “Rritja e huave të pakthyera, e “kredive të këqia” është një thikë me dy presa: nga njëra anë shtrëngon gjendjen e likuiditetit në sistemin financiar, duke shkaktuar edhe shtrëngimin e kritereve dhe kujdesin e bankave për huadhënie të mëtejshme, gjë që çon në nënfinancimin e ekonomisë në përgjithësi. Ka një lidhje shkak-pasojë mes huave me probleme dhe financimit të ekonomisë, e cila hyn në një rreth vicioz: mosfinancimi i ekonomisë nuk gjeneron likuiditet, investime dhe kërkesë konsumatore, që nga ana tjetër rrit vështirësitë në gjendjen e likuiditetit të klientëve dhe kompromenton aftësinë e tyre paguese në banka, duke ushqyer akoma dhe më shumë portofolin e huave me probleme. Më tej, kjo gjendje ul fitimin e bankave dhe rrit kërkesat për kapital, duke i detyruar bankat të zgjedhin një alternativë investimi me më pak rrezik, siç janë titujt qeveritarë dhe mos i kanalizuar fondet drejt ekonomisë private, pra biznesit dhe individëve. Si rezultat rrezikohet rritja ekonomike” shpjegon për DW, Dr. Elvin Meka.

Banesat e marra peng nga banka pë huatë e pakthyera nxisin korrupsionin

Kreditë e pakthyera mbartin me vehte edhe një problem tjetër serioz: blerjen nga Bankat të kolateralit ose të pronës, që huamarrësit kanë lënë peng tek ato për huanë e marrë. Dr. Zef Preçi, ekspert në fushën e ekonomisë, Drejtori i Qëndrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike thotë për DW se kolaterali përfaqëson asetet që mund të lihen peng në favor të huadhënësit në rast dështimi apo pamundësie të huamarrësit për të kthyer huanë. “ Zakonisht si kolateral vendosen banesat, apartamentet e banimit, që Banka i merr në pronësinë e saj kur huamarrësi, biznes ose individ qoftë, nuk kthen kredinë e marrë. Në këtë rast Banka e shet apartamentet e banimit në bazë të një procedure ligjore, nxjerrjes së tyre në ankand. Likuidimi i kolateraleve përfshin apartamentet e banimit, që shiten nga Bankat deri në 40% të vlerës së tregut në raundin e dytë të ankandit, gjë që i ka shndërruar këto të fundit në një “gjah të majmë” për zyrtarë bankash tregtare vendas dhe të huaj, dhe një mundësi për futjen në qarkullim dhe legjitimimin e shumave të mëdha të parave me origjinë të dyshimtë nga veprimtaritë e paligjshme dhe nga korrupsioni. Personalisht mendoj se duhet hequr dorë nga pranimi dhe përdorimi i banesës së familjes, si garanci për bankat, qeveria duhet të gjejë forma dhe rrugë të tjera, të njohura në botën përreth, për nxitjen e biznesit, ndërsa bankat duhet të mësohen “të bëjnë banking”,mbështetur në ndjekjen e zhvillimeve ekonomike të vendit,” thotë Zef Preçi.

Politika dhe përvoja për të ulur nivelin e kredive të pakthyera

Reformat ekonomike mbesin çelësi për të ndryshuar situatën e tanishme serioze të kredive problematike. “Është fjala për reforma që bëjnë të mundur futjen në qarkullimin ekonomik të parave përkohësisht të lira të qytetarëve dhe bizneseve, që nxitin konkurrencën dhe ndëshkojnë rritjen e çmimeve apo shfrytëzimin e dobësive rregullatore nga bankat tregtare, ndëshkojnë korrupsionin me këto të fundit dhe i shndërrojnë bankat tregtare në aktorë dhe faktorë të rëndësishëm në kapërcimin e krizës, rritjes ekonomike të qëndrueshme të ekonomisë kombëtare” thotë Dr. Zef Preçi. Por ka edhe pervoja te dobishme ne vendet fqinje që mund të aplikohen në Shqipëri.

“Një përvojë interesante është ajo e Malit të Zi, ose i ashtuquajturi “Modeli Podgorica”, i cili mund t'u sigurojë jo vetëm bankave tregtare një mekanizëm eficient në zgjidhjen e problemeve, por ndihmon edhe shoqëritë me aftësi paguese, që kanë vështirësi në kryerjen e veprimtarisë së tyre ekonomike” thekson Dr. Elvin Meka.