Kundërshtari i përbashkët Turqia: kurdët bëjnë aleancë me Assadin | Bota | DW | 19.02.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kundërshtari i përbashkët Turqia: kurdët bëjnë aleancë me Assadin

Turqia po avancon gjithnjë e më shumë në armik të përbashkët: milicia kurde YPG do të krijojë aleancë me pushtetmbajtësin sirian Assad, për të përballur ofensivën turke në Sirinë Veriore.

Kurdët e sulmuar nga Turqia në rajonin e Sirisë Veriore Afrin i kanë bashkuar forcat e tyre kundër Ankarasë me qeverinë në Damask. Ushtria siriane do të stacionojë poste kufitare në rajonin Afrin, i tha përfaqësuesi i nivelit të lartë të kurdëve Badran Jia Kurd agjencisë së lajmeve Reuters. Marrëveshja është fillimisht thjesht ushtarake.  

Kurdët në Afrin e patën thirrur ushtrinë e Assadit për ndihmë kundër Turqisë. Televizioni shtetëror sirian ndërkohë i konfirmoi lëvizjet përkatëse të trupave. Ushtarët sirianë mund të ndodhen "brenda disa orësh" në rajonin Afrin. "Forcat e popullit do të jenë brenda disa orësh në Afrin, për të mbështetur rezistencën e popullit kundër sulmit të regjimit turk", bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmeve Sana. Hollësi të tjera nuk u bënë të ditura.

Ofensivë turke në Sirinë Veriore

Turqia ka sulmuar që prej janarit rajonin përreth Afrinit. Objektiv i ofensivës në shtetin fqinjë, sipas paraqitjes së qeverisë në Ankara është dëbimi i milicëve kurdë nga rajoni në afërsi të kufirit turko-sirian. Si kurdët, ashtu edhe udhëheqja siriane duan të pengojnë nga ana tjetër që Turqia ta zgjerojë zonën e saj të ndikimit.

Turqia  ndërkohë i ka hedhur poshtë kritikat, se ushtria e saj ka përdorur  gaz helmues në ofensivën e saj kundër milicisë kurde YPG në rajonin e Sirisë Veriore Afrin. Këto janë fajësime pa bazë, tha një diplomat turk në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih. "Turqia nuk ka përdorur kurrë armë kimike. Në operacionin tonë "Dega e ulllirit" ne jemi shumë të kujdesshëm ndaj civilëve".

Nga ana tjetër, YPG thotë se ka të dhëna për një sulm turk me gaz ndaj një fshati në Afrin. Në goditjen në afërsi të kufirit me Turqinë të premten u plagosën gjashtë vetë, tha një zëdhënës. Personat thuhet se kanë pasur probleme me frymëmarrjen dhe simptoma të tjera të një sulmi me gaz. Një gjë të ngjashme bëri të ditur Qendra Siriane e Vëzhgimit, e afërt me opozitën siriane si dhe agjencia e lajmeve Sana. Të dyja palët ishin orientuar në deklaratat e mjekëve në Afrin.

SHBA i kundërshtojnë planet kurde për autonomi

YPG dhe aleatët e saj kanë ngritur që prej fillimit të kryengritjes kundër Presidentit Assad në vitin 2011 tri rajone autonome në veri të Sirisë, midis tyre Afrinin. Ndikimi i YPG është rritur, kur e vendosi veten në krye të Forcave të Armatosura Demokratike Siriane (SDF) dhe pas luftës së suksesshme kundër Shtetit Islamik. Meqenëse YPG mbështetet nga SHBA, ofensiva e Turqisë në Veri të Sirisë ka shkaktuar grindje midis partnerëve të NATO-s SHBA dhe Turqi. Megjithatë, SHBA i kundërshtojnë planet e kurdëve për autonomi, ngjashëm me qëndrimin e udhëheqjes siriane që mbështetet nga Rusia.