1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kundërshtarët e Putinit jo të bashkuar

Me protestat, lëvizja anti-Putin dëshmoi guxim. Por edhe kandidati i padëshiruar për president mobilizoi ithtarët e tij. Kjo bën që shkurti të jetë një muaj i nxehtë në Rusi.

Opozita ruse proteston kundër Putinit

Opozita ruse proteston kundër Putinit

Shqetësimet e organizatorëve të lëvizjes kundër Putinit ishin pa bazë. Pakënaqësia për zgjedhjet e falsifikuara të Dumës dhe kthimi i planifikuar i Putinit në Kremlin si më parë mbeten argumente mjaft të forta për të zhvilluar një protestë impresionuese në Moskë. Po ashtu edhe temperaturat e akullta nuk mundën të pengonin që disa dhjetëra-mijë qytetarë të Moskës të dilnin nëpër rrugë dhe pastaj të ngrinin në sheshin Bolotnaja kërkesat e tyre politike – në të njëjtin vend, ku më 10 dhjetor 2011 shoqëria e re civile ruse ka treguar fytyrën e saj.

Të shmanget rizgjedhja e Putinit president

Megjithatë, gjatë mbikqyrjes së lëvizjes protestuese u konstatua se demonstruesit janë të bashkuar vetëm në një kërkesë: me kërkesën për zgjedhje të lira dhe të refuzimit të një mandati të ri të Vladimir Putinit për president të Rusisë. Për çështjet e tjera politike mendimet ndryshojnë gjerësisht.

Lëvzjes protestuese anti-Putin nuk i mungon vetëm një kandidat i përbashkët. Në mesin e demonstruesve ka një gamë të tërë përfaqësuesish të ideologjive politike: forca politike socialdemokrate dhe liberale në kuptimin perëndimor, nacionalistë rusë me slogane ksenofobe dhe komunistë të krahut radikal të majtë. Aktualisht është e vështirë të imagjinohet se si këto grupe të ndryshme mund të bien dakord për një udhëheqje të re politike dhe për një reformë të sistemit politik në Rusi, në qoftë se duan të kenë sukses në parandalimin e zgjedhjes së Putinit si presidenti i ardhshëm i Rusisë. Edhe në qoftë se këto çështje janë të rëndësishme për një afat të gjatë kohor, ato megjithatë nuk luajnë tani ndonjë rol.

Raundi i dytë do të ishte një sukses

Synimi i lëvizjes protestuese në fakt është shumë efikas dhe plotësisht realist. Kjo do të thotë që të evitohet një fitore e Vladimir Putinit në raundin e parë në zgjedhjet presidenciale të Rusisë më 4 mars dhe ai të detyrohet në një përballje tjetër në balotazh me kandidatë të tjerë.

Demonstrues pro Putinit

Demonstrues pro Putinit



Kjo do të ishte sipas pikëpamjes së lëvizjes protestuese një sukses i madh, sepse do të bënte që Putinit t'i hiqej aureola e krijuar e një “udhëheqësi kombëtar” të padiskutueshëm dhe po ashtu ai do të dobësohej në sytë e burokracisë së tij mbështetëse.

Që Putini frikësohet nga ky zhvillim, këtë ai e ka konfirmuar vetë. Në javët e kaluara ai paralajmëroi se një raund i dytë në zgjedhjet presidenciale do ta çonte vendin në një destabilizim të situatës politike. Këtë deklaratë ai e përdor për popullin, që është përfshirë nga frika e gjerë nga një kaos dhe destabilizim. Sigurisht që Rusia nuk dëshiron të ketë zhvillime të tilla. Një revolucion i përgjakshëm do të ishte gjëja e fundit, që i duhet Rusisë tani.

Shkurt i nxehtë

Marshi i protestave kundër Putinit dhe demonstratat në Moskë javët e fundit kanë bërë të qartë që pakënaqësia me sistemin e Putinit është rritur aq shumë, sa që njerëzit nuk tremben as nga të ftohtit e akullt në gjithë Moskën.
Por më 4 shkurt edhe Kremlini nuk ishte i papunë: Në jug të Moskës ai organizoi një manifestim protestues pro-Putinit, ku kundërshtarët e kryeministrit rus do të akuzoheshin se përmes një „revolucioni të portokalltë“ po e çonin vendin në kaos. Rusia politike po përballet me një shkurt të nxehtë.


Autor: Ingo Mannteufel
Redaktion: Auron Dodi

DW.COM