1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Kundërshtarë të globalizimit në qytetin e Brazilit Jugor Porto Alegre

Për të dhjetën herë zhvillohet Forumi Social Botëror. Përfaqësues të sindikatave, të kishave dhe politikanë bëjnë një bilanc të 10-vjeçarit të kaluar dhe diskutojnë alternativa ndaj projekteve sociale neoliberale.

Logoja e Forumit Social Botëror ne Porto Alegre

Valle, këngë dhe pankarta - Forumi Social Botëror në Porto Alegre filloi si zakonisht me një demonstratë. Në fund të fundit, kundërshtarët e globalizimit duan që në radhë të parë të tërheqin vëmendjen - pikërisht tani në kohën e krizës, thekson Francisco Whitaker, njëri prej themeluesve të Forumit: "Bota ndodhet në procesin e evolucionit, dhe ne jemi në një moment entuziazmi të madh, dhe ndoshta mund të arrijmë këtu diçka - jo kthesën e madhe, ajo nuk është më e mundur. Bota nuk funksionon më në atë mënyrë, që thjesht të vish në pushtet, të shpallësh të pavlefshme gjithçka të vjetër dhe të hartosh rregulla të reja."

Flash-Galerie Weltsozialforum

Para 10 vjetësh, Whitaker-i dhe dy kolegë të tij themeluan në Porto Alegre Forumin Social Botëror, si kundërprojekt ndaj Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Ata që mblidhen këtu nuk janë shefa shtetesh apo koncernesh, por organizata joqeveritare, përfaqësues të kishave dhe qytetarë të thjeshtë.

"Unë jap këtu ndihmesën time, sepse ne duhet të luftojmë për një planet, i cili të jetë më solidar, me më shumë dinjitet dhe më socialist. Kjo para së gjithash për njerëzit që janë të përjashtuar. Shoqëria kapitaliste e shtyp dhe e përçan popullin." - tregon një pjesëmarrës.

Orientim i ri pas krizës ekonomike dhe dështimit të takimit të nivelit të lartë për klimën

Në fakt, këtë vit, emërtimi Forum Social Botëror nuk i përgjigjet realitetit, sepse në vend të një aktiviteti të madh qendror, në të gjithë globin zhvillohen disa forume të decentralizuara. Por Porto Alegre është diçka e veçantë, këtu është djepi i lëvizjes dhe këtu ekziston dëshira për një orientim të ri pas krizës ekonomike dhe dështimit të takimit të nivelit të lartë për klimën, thotë bashkëthemeluesi Oded Grajew: "Ne duhet të ecim shumë më përpara, sepse modeli vazhdon të ekzistojë dhe kërcënon ekzistencën e njerëzve, dhe si u pa tani në Kopenhagë, ne nuk arritëm t'i bindim vendet se rreziku për klimën është shumë i madh. Prandaj duhet ta rrisim presionin dhe për shembull t'i ndajmë qeveritë nga ndërthurrjet me ekonominë."

Forumi Social me kritikën e tij radikale ndaj kapitalizmit e sheh veten të konfirmuar nga ngjarjet e muajve të fundit. Dhe ndien shtimin e mbështetjes, edhe nëse përsa u përket shifrave kjo nuk do të pasqyrohet në Porto Alegre: priten e shumta 20 mijë pjesëmarrës, para së gjithash nga Brazili dhe vendet e tjera të Amerikës Latine. Në qendër të konsultimeve pesëditore do të jetë një debat për strategjinë.

Autor: Gottfried Stein/Auron Dodi
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 26.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Lgyh
  • Data 26.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Lgyh