1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kundërfushatë ndaj ndryshimit të kushtetutës nga Erdogani

Me votat e turko-gjermanëve, pasuesve të AKP-së, Erdogani mund të ndryshojë kushtetutën turke. Politikanë gjermanë kërkojnë që atij t'i ndalohet të bëjë reklamë për referendumin e tij në Gjermani.

Myrvete Eztyrku është një nga politikanet gjermane me origjinë turke. Në qytetin e saj të lindjes Wetzlar ajo bën fushatë tek turqit, që ata të votojnë kundër një ndryshimi të kushtetutës, që do t'i rezervonte edhe më shumë të drejta Presidentit Erdogan. Fushata quhet  Hayir - Jo!

"Kur ke frikë të shprehësh lirisht mendimin tënd edhe kur je 3000 kilometra larg Turqisë, atëherë si deputet i zgjedhur me rrugë demokratike nuk të lejohet ta kthesh kokën mënjanë. Për mua ka rëndësi që t'i mbështes njerëzit që të kenë mundësinë të thonë me shumë vetëbesim Jo!" - thotë Myrvete Eztyrku.

Turqia e rikthyer në rrugën e kohëve të errëta

Ajo ka lindur në Gjermani. Prindërit e saj erdhën gati 50 vjet më parë nga Turqia këtu për shkak të mungesës së lirisë dhe prej varfërisë. Tani aktivistja dhe politikania e të Gjelbërve e sheh Turqinë të rikthyer në rrugën e kohëve të errëta. Që ta thuash këtë, ndërkohë, nuk është bërë e parrezikshme, edhe në Gjermani, sepse sipas Myrvete Eztyrkut "njerëzit mund të nisnin pas referendumit një lloj aksioni hakmarrjeje, sipas parimit: këta janë ata që thanë jo, t'i mbërthejmë. Një gjë e tillë mua natyrisht që do të më dukej shumë e rrezikshme."

Bündnis90/Die Grünen Mürvet Öztürk (picture-alliance/dpa/F. von Erichsen)

Mürvet Öztürk

Në një takim informues të fushatës së saj JO, Myrvetja rimbushet me pak shpresë. Pjesëtarët e minoriteteve kurde dhe alevite të mbledhur në takim janë në pjesën më të madhe të tyre kritikë ndaj planeve të Erdoganit. 44-vjeçarja e di se rëndësi ka çdo votë e gjermanëve me origjinë turke, sepse mund të ketë një garë të ngushtë midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të ndryshimit të kushtetutës - megjithëse kundërshtarët e Erdoganit në Turqi thuajse nuk kanë më mundësi të shprehen.

Në Turqi nuk ekziston më drejtësi e pavarur

Në takim Myrvete Eztyrku flet edhe për rastin e gazetarit gjerman të arrestuar në Turqi, Deniz Yücel: "Le të mos e harrojmë Deniz Yücelin. Që ai ndodhet në burg në Turqi tregon se atje nuk ekziston më drejtësi e pavarur. Një shkak më tepër për të votuar me JO në referendum!""

Atmosfera mes turqve në Gjermani është e acaruar. Gazetari Deniz Yücel është rritur në Flërsheim dhe aty banojnë edhe prindërit e tij. Ata nuk duan të flasin me mediet, nga shqetësimi për të birin e arrestuar. Edhe midis gjermano-turqve në këtë vend ne nuk gjen gati askënd që dëshiron ta komentojë hapur rastin Yücel. Vetëm një pronar dyqani e përshkruan sa e thellë është ndarja te ta për rastin Yücel: "Njerëzit thonë nga njëra anë: me të drejtë. Të tjerë thonë: me të padrejtë. Ata që thonë "me të drejtë" kanë parasysh faktin që ai ka intervistuar edhe njerëz të organizatave terroriste. Pse e bën ai këtë? Kjo është problematike për shtetin turk. Por secili duhet ta dijë vetë se çfarë bën."

Medie turke besnike ndaj qeverisë edhe në Gjermani

Banorët e Flërsheimit janë të tmerruar për qëndrimin radikal të shumë banorëve me origjinë turke. "Ata janë rritur këtu. Si mund të arrijnë të kenë një mendim të tillë? I vetmi shpjegim që gjej është se ata shohin vazhdimisht televizionin turk dhe mendojnë se ajo që përhapet atje është e vërteta." - thotë një kalimtar.

Türkische Zeitungen Flash-Galerie (picture alliance/dpa)

Medie turke besnike ndaj qeverisë dalin edhe në Gjermani. Për shembull gazeta e përditshme Sabah. Ajo i nxit lexuesit kundër të gjithë kritikëve, krejtësisht si i pëlqen Erdoganit: Deniz Yücel është terrorist, thuhet atje. Zyra në Gjermani e gazetës Sabah gjendet në qendër të Frankfurtit. Kërkesave për intervista lidhur me raportimin e saj për Yücelin, redaksia nuk u jep përgjigje.

Në shenjestër të medieve të afërta me qeverinë

Myrvete Eztyrku e di se ndodhet në shenjestër të medieve kritike të afërta me qeverinë. Çdo herë kur kthehet në mbrëmje në shtëpi dhe hap kompjuterin i duhet të lexojë të shara të reja. Si deputete në Parlamentin e Hessenit ajo është mësuar me kritika. Por kur e paraqet si terroriste edhe gazeta turke Sabah, ajo ndihet e shokuar. Si shumë politikanë gjermano-turq ajo ka frikë për sigurinë e saj. "Do të më pëlqente të jetoja pa mbrojtjen e policisë. Besoj se aktualisht ende mund ta bëj këtë. Por natyrisht do të konsultohem për këtë. Ajo që mund të shpresoj është vetëm që rrethana të tilla këtu në Gjermani të mos bëhen të vetëkuptueshme."

Të paktën këtu në Gjermani turqit duhet të kenë mundësi që të debatojnë pa frikë me njëri-tjetrin për rrugën e drejtë politike. Myrvetja nuk ka për të lëshuar pe këtu. sepse në Turqi, në atdheun e prindërve të saj, ka kohë që kjo nuk është më e mundur. Myrvete Eztyrku mendon se "në fakt pas referendumit ka ende shumë për të bërë. Ngritja e një kulture diskutimi, formimi politik. Para së gjithash neve na nevojitet këtu një kulturë diskutimi me respekt. Urgjentisht!"