1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kundër paragjykimeve në Ballkan - Synimi i Akademisë Rajonale të Demokracisë

E aplikuar për herë të parë mes 7 vendeve ballkanike, Akademia Rajonale e Demokracisë krijon një hapësirë tolerante dhe kooperuese mes kastave të politikanëvë të rinj.

Prej 7 vitesh Këshilli i Europës aplikon në Shqipëri modelin e Shkollës së Studimeve Politike si një ofertë kualifikuese për lidershipin ri nga vetë rradhët e politikës, nga nivele të ndryshme të administratës, biznesi, media etj. Ky është një model i përhapur në 19 vende të botës kyesisht ato, që kanë dalë nga totalitarizmi. Janë rreth 200 studentë, që kanë ndjekur Shkollën Shqiptare të Studimeve Politike, ShShSP, që ka synuar dhe synon të nxisë kulturën moderne politike, në themel të së cilës janë vlerat e përbashkëta të pluralizmit, tolerances, dialogut, në favor të krijimit të një komuniteti të politikanëve të rinj dhe drejtuesve në të gjitha nivelet në zbatim të modelit demokratik bashkëkohor të qeverisjes.

Stimulim i proçesit të vendimmarrjes në mënyrë transparente

Ish student i ShShSP-së në vitin 2008, gazetari Erjon Tase, tashmë drejtor i Shkollës, thotë se në Shqipëri ka dhe versione të tjera të kualifikimit politik, por ato funksionojnë si struktura pranë partive, që do të thotë se në to afrohen anëtarë, aktivistë, apo mbështetës brenda rradhëve të spektrit. Kurse ShShSP është një opcion plural, ku afrohen të interesuar, që i përkasin rrymave dhe fraksioneve të ndryshme politike, si një mjedis, ku krijohet mundësia për dialog e bashkëpunim edhe me ata, që mendojnë ndryshme, shprehet Tase për DW.

“Programi ka si objektiv thelbësor inkurajimin e zhvillimin të udhëheqësisë së përgjegjëshme dhe etike mes drejtuesve të rinj politikë dhe qytetarë; të zgjerojë botëkuptimin e të trajnuarve mbi parimet kryesore të qeverisjes së mirë si shteti i së drejtës, legjitimiteti, transparenca, llogaridhënia, aksesueshmëria dhe respekti për të drejtat e njeriut. Shkolla u siguron mundësi studentëve, që të jenë bashkë, nga i gjithë spektri i jetës publike, që të diskutojnë një gamë të gjerë të çështjeve politike, sociale dhe ekonomike.”

Gazetari Erjon Tase, drejtor i Shkollës së Studimeve Politike

Gazetari Erjon Tase, drejtor i Shkollës së Studimeve Politike në Tiranë

Objektiv tjetër për stafin e Shkollës është dhe stimulimi i proçesit të vendimmarrjes dhe atij legjislativ sa më transparentë dhe të qartë, që të marrin në konsideratë inreresat dhe opinionet e ndryshme të publikut. Gjithashtu dhe të rrisim aftësitë dhe njohuritë e studentëve me aspektet konkrete praktike të proçesit demokratik, që ata të jenë aktivë dhe të marrin pjesë në dialogun dhe debatin e hapur publik, përfshirjen e medias në këtë proces etj.

Frymë dialogu, komunikimi e zgjidhjesh

Për herë të parë brenda projektit të ShShSP-së ka nisur së fundmi dhe funksionimi i Akademisë Rajonale të Demokracisë, ARD, me pjesëmarrjen e 7 shkollave të Ballkanit. Me mbështetjen e Bashkimit Europian secila prej shkollave afron një grup përfaqësuesish lokalë dhe të gjithë bashkë përbëjnë grupin rajonal. Në vitin e parë të funksionimit grupi e zhvilloi programin kualifikues në disa stacione: në Serbi, Kroaci (përkoi me kohën e hyrjes zyrtare në BE) në Mal të Zi dhe në qytetin e Durrësit në Shqipëri.

“Përfitimet ishin në dy nivele. Sepse e keni parasysh që grupi shqiptar ishte me përkatësi të ndryshme politike dhe qëndrimi disaditor bashkë krijonte afrim dhe frymë debati konstruktiv. Pavarëisht pikave të ndarjes nga linja programore politike, krijohej një mjedis kooperativ dhe mirëkuptues. Kurse në nivelin e dytë përfitimi ishte ndërshtetëror, ku shqiptarët, serbët, malazezët, apo përfaqësuesit e Kosovës shpenzuan një kohë pune me diskutime, që shkonin në favor të shkrirjes së akujve, jo thjesht sepse u komunikua, por u krijuan hapësira për të ndërrmarrë projekte mes dy a më shumë shteteve fqinje. Si një shkëmbim eksperiencash në proceset zgjedhore, në sistemin energjitik etj”, thotë Erjon Tase për DW.

Analistja Edlira Gjoni, njëkohësisht dhe aktiviste në Partinë Fryma e Re Demokratike, ishte njëra prej pjesëmarrësve të Akademisë Rajonale të Demokracisë. Ajo e përshkruan këtë përfshirje për DW si “një nga trampolinat më të suksesshme” dhe përmend faktin se përmes ARD iu krijua mundësia të depërtojë në institucione të ndryshme politike në vendet e BE-së, veçanërisht aty, ku politikat për Ballkanin Perëndimor janë më delikate.

“Në Akademi unë njoha deputetë, partiakë e politikanë të rinj, që nesër do jenë ministrat, kryeministrat, apo politikëbërësit kyç të vendit të tyre në rajon. Ndaj, kur tē takojmë njëri-tjetrin nesër korridoreve të Strasburgut, apo Brukselit, do të shoh tek ata së pari kolegun dhe mikun, që njoha në ARD, pastaj "armikun" politik, apo rajonal. E jam e bindur plotësisht, se kjo mënyrë pune ndikon në sheshimin e stereotipeve të trashëguara ballkanase. Më duket si një iniciativë, që e ka gdhendur akoma më shumë përqasjen time aktive dhe gjithëpërfshirëse në politikë. Jo barriera. Jo korniza. Frymë dialogu, komunikimi, zgjidhjesh, e jo konflikti”.