1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kundër një ure: Protestë e re e serbëve në Kosovë

Në Kosovë serbët e fshatit Prilluzh jo larg Mitrovicës protestuan të hënën duke kundërshtuar ndërtimin e një ure në fshatin e tyre, e cila lidh 12 fshatra shqiptare. Gjatë protestës sipas policisë nuk ka pasur incidente

default

Logo e policisë kosovare

Rreth njëqind pjesëtarë të komunitetit serb të fashtit Prilluzh të Vushtrisë jo larg Mitrovicës, protestuan të hënën kundër ndërtimit të një ure mbi lumin Sitnica që kalon nëpër fshatin tyre. Ndërtimi i kësaj ure, sipas kryetarit të komunës së Vushtrisë Bajram Mulaku, do të lidh 12 fshatra shqiptare me magjistralen kryesore Prishtinë Mitrovicë. Pikërisht për këtë shkak, serbët e fshatit Prilluzh kundërshtojnë ndërtimin e kësaj ure, duke thënë se qarkullimi i madh i shqiptarëve nëpër fshatin e tyre do të shkatërrojë qetësinë që ata kanë dhe mund të cenohet edhe siguria e tyre.

Serbët: Ose urën ose Prilluzhën në Kosovë

Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë Besim Hoti, konfirmon për DW, se gjatë protestës nuk janë shënuar incidente. “Një kundërshtim i tillë lidhet drejtpërdrejt, siç thuhet me sigurinë e banorëve serb të fshatit Prilluzh. Kundërshtimi i tyre sot ishte pasiv dhe nuk ka pasur ndonjë tentativë për të penguar fillimin e punimeve për ndërtimin e urës”, thotë zëdhënësi Besim Hoti.

Media lokale serbe njoftojnë se kryetari i komunës paralele serbe të Vushtrisë Zoran Rakic, ka biseduar me komandantin e KFOR-it, Erhard Buher, duke i thënë atij se nëse duan që Prilluzha të mbetet në Kosovë, kjo urë nuk duhet të ndërtohet. Megjithë kundërshtimin e serbëve, sot u vendos gurthemeli për ndërtimin e urës, ndërsa, kryetari i komunës së Vushtrisë Bajram Mulaku, ka garantuar siguri për çdo komunitet që jeton në këtë komunë. Protestuesit serb janë shpërndarë të qetë, por kanë paralajmëruar protesta edhe gjatë ditës së martë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi