1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Kultura e kujtesës - mesazhe nga Berlini"

”Të mos përsëritet më kurrë historia e regjimeve diktatoriale, e dhunës dhe ekseseve nacionaliste ". Elke Braun nga Fondacioni gjerman 'Kujtesë, Përgjegjësi, e Ardhme' flet në bisedë për DW:

Elke Braun, nga Fondacioni gjerman me qëndër në Berlin ”Kujtesë, Përgjegjësi, e Ardhme” (Stiftung “Erinnerung, Verantwortung und Zukunft”) është e entuziazmuar që Shqipëria ka gritur enkas një institut për të shkuarën e regjimit komunist. “Që regjime totalitare dhe diktatoriale të mos përsëriten”, thotë ajo në një bisedë për DW.

Me një grup gazetarësh të mediave të njohura në Gjermani ajo vizitoi kohët e fundit Shqipërinë dhe pati rast të njihet edhe me çfarë ndodh në Shqipëri me kulturën e kujtesës. Fondacioni “Kujtesë, Përgjegjësi, e ardhme”, ku ajo punon prej 14 vitesh, në Berlin është i njohur në të gjithë Europën për aktivitetin e tij në krijimin dhe kultivimin e kësaj kulture, në shoqërinë e sotme gjermane dhe europiane, sidomos për vështrimin kritik të periudhës së regjimit nazist. “Fondacioni u krijua në vitin 2000 nga qeveria federale gjermane dhe merret me periudhën e nacionalsocializmit në Gjermani. Qëllimi ishte kompensimi financiar i gjithë atyre civilëve dhe ish të burgosurve në kampet famëkëqia të përqëndrimit, që bënë punë të detyruar dhe i mbijetuan Luftës së Dytë Botërore. Krahas tij edhe mbështetja e projekteve të shoqërisë civile, që kultivojnë sot kulturën e kujtesës, ndihmojnë viktimat e regjimit nazist dhe të Holokaust-it ,që ende jetojnë. Nga 8.4 million civilë dhe 4,5 million ish të burgosur lufte kanë mbetur gjallë 700.000, në gjithë botën, në Europë, SHBA, Izrael etj”, thotë Elke Braun për DW.

Elke Broun Stiftung Rembemberance, Responsability and Future in Berlin

Elke Braun nga fondacioni Kujtesë, Përgjegjësi, e Ardhme”

Fondacioni mori një fond prej 5,2 miliard Eurosh, të ngritur 50% nga 6.500 kompani të industrisë gjermane dhe 50% nga qeveria federale gjermane. Fondit i parapriu ligji përkatës. Në sajë të zbatimit të tij u bë e mundur që brenda 6 viteve, 2000 – 2006, të dëmshpërblehen 1,6 milion të mbijetuar, civilë dhe ish të internuar në kampet e përqëndrimit në më shumë se 100 vende të botës. Por fondacioni kishte menduar jo vetëm për të riparuar me aq sa mundte të shkuarën. “Bordi i Fondacionit vendosi që 7 % e shumës totale prej 5 miliardë eurosh të hiqej mënjanë dhe të vendosej në Bankë. Kur procesi i dëmshpërblimit mbaroi ne kishim përqindjet bankare të këtij 7%, që arrijnë në 7,7 milion euro në vit. Me këtë fond të përvitshëm ne vazhdojmë të mbështesim të mbijetuarit nga kampet e përqëndrimut si shprehje e përgjegjësisë së brezave të sotëm për të shkuarën e gjermanëve”, thekson Elke Braun.

Me këtë këndvështrim ajo vlerëson faktin, që Shqipëria ka një ligj për dëmshpërblimin e viktimave dhe të mbijetuarve të komunizmit. ”Edhe pse këstet e dëmshpërblimit nuk janë marrë për shkak të situatës së vështirë ekonomike, që po kalon Shqipëria, ekzistenca e ligjit është shumë e rëndësishme. Për më tepër që jo të gjitha ish vendet komuniste te Europës Lindore kanë miratuar një ligj të tillë”, vë ajo në dukje.

Kultura e kujtesës në Shqipëri e ngjyrosur politikisht

Por ekzistenca e këtij ligji nuk e shpëtoi dot politizimin e të shkuarës në Shqipëri dhe debatet politike rreth saj. Kjo ndodh edhe sot e kësaj dite, si për periudhën e regjimit komunist, ashtu edhe për atë të Luftës së Dytë Botërore dhe përfshirjen e Shqipërisë në të me Luftën Nacional-Çlirimtare kundër nazi-fashistëve. Në Shqipëri forcat kryesore politike, që bëjnë rotacionin e pushtetit, janë të përfshira në debate të ndezura politike për Ditën e Çlirimit nga pushtuesit nazistë: 28 apo 29 nëntori? Ato që prej më shumë se 20 vitesh e festojnë këtë date historike të ndarë: e djathta në 28 nëntor dhe e majta më 29. Ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffman, gjatë pjesëmarrjes para disa ditësh në përkujtimin e 71 vjetorit të masakrës së nazistëve, më 6 korrik 1943, në fshatin Borovë tha: “Le të shpresojmë, që në Shqipëri të zhvillohet një kulturë kujtese, që të fokusojë dhe vlerësojë guximin dhe vetësakrifikimin e luftëtarëve, që rezistuan ndaj pushtimit dhe të gjithë të tjerëve, që humbën jetën, duke e bërë këtë bashkarisht, pertej çdo debati politik”.

Ambasadori gjerman në Shqipëri, Helmut Hoffmann

Ambasadori gjerman në Shqipëri, Helmut Hoffmann

Kultura e kujtesës - nga vijmë, ku shkojmë?

Rëndësia e kultivimit të një kulture të tillë kujtese i tejkalon vlerat e njohjes së historisë. “Mendoj që shoqëria përcakton, se cilët jemi dhe ku shkojmë. Konkretisht shoqëria gjermane përcaktohet para së gjithash nga periudha e regjimit nazist dhe ndarja e Gjermanisë, mes Lindjes dhe Perëndimit nga Muri i Berlinit, ndarje që ndihet sot e kësaj dite. U deshën disa breza, që gjermanët të përballen me të shkuarën e tyre, të flasin hapur dhe të shikojnë veten në mënyrë kritike”, thotë Elke Braun.

Ajo përmend Lëvizjën Studentore në vitin 1968 dhe në fillim te viteve 1970-të në Gjermani, në sajë të së cilës studentët filluan të kritikojnë qeverinë, që ishte ende e përfshirë me të kaluarën pasi ish anëtarë të partisë naziste ishin në pozicione të rëndësishme qeverisëse. Kështu, 35 vjet pasi përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, gjermanët fillluan të interesohen për historinë e vendit të tyre: të kërkojnë të dinë, se cilët ishin njerëzit, që dikur kishin banuar në shtëpinë e tyre dhe ishin deportuar gjatë regjimit nazist, t'i gjenin dhe t‘i ftonin të ktheheshin, filluan të shkruheshin libra, të organizoheshin konkurse historie në shkolla, fëmijët filluan të pyesin gjyshërit e tyre për historinë e Luftës së Dytë Botërore, të mbajtur deri atëhere në heshtje, sikur të mos kish ndodhur kurrë, tregon Elke Braun.

“Kjo Lëvizje vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe Fondacioni ynë e mbështet financiarisht. Brezat e rinj duhet të njohin historinë të kuptojnë çfarë ndodhi në të shkuarën dhe të nxjerrin prej saj mësime, që historia të mos përsëritet, që të ecim drejt paqes dhe zhvillimit”, thotë ajo për DW.

Gjermania - e angazhuar fuqimisht në garantimin e paqes në Ballkan

Për ambasadorin gjerman Hoffman rruga drejt paqes së qëndrueshme në Europë kalon nga integrimi europian. “Në vitet '90-të për fat të keq u vu re shpejt se edhe ne, në Evropë, nuk jemi të mbrojtur nga përsëritjet e historisë së dhunës dhe ekseset nacionaliste. Luftrat e zhvilluara në Ballkan shkaktuan trazim dhe tmerr. Prandaj kjo është një arsye më shumë, pse duhet të gëzohemi që vitet e fundit, permes përpjekjesh intensive në kontekstin e unifikimit evropian, ia kemi dalë të arrijmë zhvillime gjithnjë e më pozitive edhe në Ballkan. Gjermania është angazhuar fuqishëm dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në ardhmen”, garantoi ai.

Për të ndaluar rikthimin në politikën e dhunës

Por zhvillimet e fundit në Europë tregojnë se duhet forcuar kultura e kujtesës dhe nxwnia e mësimeve si nga Lufta e Dytë Botërore, ashtu edhe historia më e afërt e viteve '90-të. "Jemi duke përjetuar mendësi të vjetra në sfera pushteti dhe ndikimi, që shkojnë deri në destabilizim shtetesh të tjera dhe aneksim territoresh të huaja. Ndaj duhet bërë gjithë sa është e mundur për të shmangur rikthimin në një politikë konfrontimesh dhe dhune. Nëse prej historisë arrijmë të mësojmë të ndërtojmë Evropën, nëse mësojmë se jemi të gjithë pjesë e së tërës dhe se kjo është Evropa e të gjithëve ne, atëherë mund të themi se kemi nxjerrë një mësim të mirë nga e kaluara jonë e vështirë”, dha mesazhin nga Borova, ambasadori gjerman në Tiranë, Hoffmann.