1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kultura dominuese gjermane si kulturë debati

Një iniciativë e 28 organizatave dhe shoqatave është përpjekur ta rivlerësojë debatin që po zgjerohet për bazat e bashkëjetesës në Gjermani. Çfarë është gjermane e çfarë bën pjesë në jetën e Republikës Federale Gjermane?

Dhoma e konferencës në godinën pranë Portës së Brandenburgut është mbushur dingas, kur vjen ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere. Nuk është për t'u çuditur, sepse në dokumentin, për të cilin flitet këtu kanë punuar kishat, ministritë, organizatat joqeveritare dhe shoqatat ekonomike nën drejtimin Këshillit Gjerman të Kulturës - gjithsej 28 organizata - të përfaqësuara në "Iniciativën integrimi kulturor".

Tema që diskutohet është temë e preferuar e ministrit - por për cilën temë bëhet fjalë, këtë nuk preferojnë ta përmendin këtu. Me përjashtim të tij. "Në rastin e fjalës "kulturë dominuese" (ose kulturë drejtuese) me sa duket unë kam mendim të ndryshëm nga Këshilli i Kulturës. Mua më duket fjalë e mirë, ju nuk e quani fjalë të mirë". Dhe duke buzëqeshur në sallë ai shton "Për mua mund ta quani edhe vizion, model".

Vetëm dy javë më parë, de Maiziere (CDU) paraqit nën titullin "Ne nuk jemi burka" dhjetë teza për një kulturë dominuese gjermane. Me to ai donte të theksonte gatishmërinë për të kontribuar, vlerën e shtrëngimit të dorës bashkëbiseduesit dhe një mendësi oksidentale. Me këtë ai fyeu shumë vetë - politikanë socialdemokratë dhe të gjelbër e akuzuan se po e përçan shoqërinë dhe po flet në emër të populistëve të djathtë.

Nga tezat e tij ai nuk tërhiqet as tani. Ai i paraqet ato si shtysë të rëndësishme për diskutim. "Edhe kultura e debatit është pjesë e kulturës dominuese", thekson politikani unionist. Dhe ai është i gëzuar për gjithsej 15 tezat që paraqiten.

Për integrimin nevojitet më shumë se kushtetuta

"Ne kemi rënë dakord që të mos e përdorim konceptin "kulturë dominuese ose drejtuese", sqaron drejtori ekzekutiv i Këshillit të Kulturës, Olaf Zimmermann, i cili i ka drejtuar bisedat në "Inisiativën integrimi kulturor". Ai mendon se ky koncept "është djegur" dhe nuk është më i përshtatshëm për një diskutim objektiv. Por natyrisht, Zimmermanni i kushton rëndësi kulturës, kur bëhet fjalë për një bashkëjetesë të suksesshme.

Kultura për autorët e tezave është në të njëjtin nivel me integrimin social dhe me integrimin përmes punës. Të të njëjtit mendim janë ata se integrimi nuk mund të ketë sukses me ligje dhe urdhëresa. "E rëndësishme është për ne që Ligji Themelor gjerman, i cili përshkruan pikërisht në 20 nenet e para parime të pakthyeshme të bashkëjetesës nuk mjafton për të krijuar një kohezion në shoqëri", shpjegon Zimmermann.

Roli i kishave dhe komuniteteve fetare shihet i rëndësishëm në dokument, krahas mundësisë për të jetuar pa fe. Liria e mendimit dhe liria e artit theksohen. Zotërimi i gjuhës dhe njohuritë për historinë e Gjermanisë, veçanërisht të Shoa-s - vrasjes së miliona hebrenjve evropianë nga nazistët - përshkruhen si faktorë që të funksionojë integrimi.

Dokumenti e sheh si përparësi shumëllojshmërinë kulturore, por shpreh mirëkuptim që njerëzit në Gjermani ndihen të kërcënuar  në kuadër të ndryshimeve nga migrimi. Prej të ardhurve pritet që "të përballen me konstruktivitet me traditat kulturore, zakonet dhe vlerat e vendit që i pranon" e që edhe t'i respektojnë ato. Në pikën shtatë është fiksuar: "Imigrimi dhe integrimi janë pjesë e historisë sonë". Vetëm me gërma më të vogla më poshtë gjen të shkruar: "Gjermania është një vend migrantësh".

Aydan Özoguz, e ngarkuara për Migrimin e Qeverisë Gjermane, sheh në tezat një ftesë për diskutim. Vetëm se kjo nuk është shumë e thjeshtë me dokumentin e konsensusit, sepse në të vërehet që ajo synon të mos plagosë askënd. Ministri i Brendshëm de Maiziere tha se ekziston nevoja që diskutimi të vazhdojë. "Çfarë është gjermane në atë që na mban të bashkuar dhe cili është roli që luan patriotizmi? Këto pika më mungojnë".