1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kulturë mirëpritjeje apo izolim - Gjermania debaton

Ndësa numri i azilkërkuesve po shtohet, Gjermania debaton: kulturë mirëpritjeje apo izolim. Politika shqyrton çështjen e ligjit të emigracionit.

Në njërën anë kriza e refugjatëve është "çështje e shefit". Në anën tjetër, Angela Merkel nuk do të diskutojë për një ligji të ri emigracioni. SPD-ja po ushtron tani presion. Mbi të gjithë drejtuesi i grupit parlamentar Thomas Oppermann: "Në qoftë se kancelarja e shtyn këtë çështje, ajo bën një gabim të rëndë", tha ai në Berlin. SPD, të Gjelbrit dhe E Majta, bëjnë thirrje për një zgjidhje të shpejtë të ligjit për imigracionin. Thomas Groß nga Universiteti i Osnabrück e konsideron një ligj imigracionit të nevojshëm për disa arsye. "Nga njëra anë ne kemi nevojë për rregulla ligjore, në mënyrë që të lehtësohet integrimi i tmigrantëve në tregun gjerman të punës." Përveç kësaj, eksperti në bisedë me DW theksoi, se një ligj imigracioni mund të parandalojë fluksin e pakontrolluar të refugjatëve në Gjermani.

Në radhët e CDU/CSU-së ka megjithatë ende rezistencë. Angela Merkel ka deklaruar kohët e fundit se ajo ka aktualisht probleme "më urgjente". Thomas Groß sheh në këtë ngurrim vazhdimin e një tradite: "Në Gjermani ka prej 40 vjetësh një politikë izolimi". Sidomos njerëve nga vendet jo anëtare të BE-së synohet t'u ndalohet emigrimi në Gjermani.

Koha nuk pret

Një gjë është e qartë, që të nevojshme janë zgjidhje sa më të shpejta. Sepse numri i azilkërkuesve po shtohet dhe deri në fund të vitit priten rreth 800.000 kërkesa. Dhe nga ana tjetër ekonomia gjermane sheh tek emigrantët një potencial të madh. Zyrat e Punës thonë se në Gjermani ka rënie të numrit të të papunëve. Kryetari i Agjencisë Federale të Punësimit Frank Jürgen Weise tha se për refugjatët ka shanse të mira punësimi.

Procesi deri tani është megjithatë i lodhshëm. Deri tani Agjencia Federale e Punësimit duhet që në 15 muajt e parë, në të cilat një refugjat që është në kërkim për punë, por që nuk i është njohur ende statusi, të shqyrtojë nëse ndonjë punëtor gjerman ka të njëjtat kualifikime. Edhe Thomas Groß mendon se eliminimi i burokracisë është një nga problemet më të ngutshme: Duhet të lehtësohen kushtet për imigrimin, sidomos testet e gjuhës para ardhjes në Gjermani përbëjnë një pengesë.

Përgjigjet nga politika të pamenduara thellë

Por nga Berlini politik për momentin vijnë vetëm propozime të pamenduara thellë. Socialdemokratët kërkojnë kontigjente për numrin e refugjatëve që mund të pranojë Gjermania. Sipas ekspertit Thomas Groß kjo nuk është një zgjidhje afatgjatë dhe nuk e shndërron Gjermaninë në vend imigracioni.

Kurse CDU/CSU-ja shprehen për një ndryshim të kushtetutës në lidhje me shpalljen e vendeve të sigurta të origjinës dhe ndryshim të kompetencave mes landeve dhe federatës për t'i mundësuar federatës strehimin më të shpejtë të atyre që kërkojnë azil.

Po ashtu mediat, si gazeta "Bild" njoftojnë se vendet shtetasve të të cilëve u hidhen poshtë kërkesat për azil në 99% të rasteve, do të konsiderohen në të ardhmen si shtete të sigurta origjine duke mundësuar kështu dëbimin e përshpejtuar të shtetasve nga këto vende.

Ajo që anashkalohet shpesh në këto propozime është fakti që ligji për azilin është ndryshuar një herë në vitin 1992 në kontekstin e luftërave në ish-Jugosllavi dhe se Gjykata Kushtetuese ka vendosur edhe atëhere që në raste të veçanta duhet shqyrtuar nëse kemi të bëjmë me përndjekje politike.

Po ashtu një ndryshim i tillë do të binte ndesh edhe me të Drejtën Evropiane dhe me Konventën e Gjenevës për Refugjatët.