1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kulturë e re proteste në Turqi dhe Bullgari

Alexander Andreev / Eliana Xhani17 Korrik 2013

Një kulturë e re proteste vihet re këto kohë në rrugët e Stambollit, Ankarasë por edhe të Sofjes. Parrulla me humor, performanca, heqje dorë nga dhuna dhe shumë fantazi janë disa nga karakteristikat e përbashkëta.

https://p.dw.com/p/198z1
Protesta antiqeveritare në Bullgari
Fotografi: picture alliance/AP

Prej një muaji mijëra bullgarë protestojnë kundër sistemit oligark. Në ditën e 31-të të demonstrimeve në Sofje, protestuesit duke aluduar me revolucionin francez, inskenuan në 14 korrik tablonë e famshme të Eugène Delacroix "Liria udhëheq popullin". Një aktore me gjoksin e zbuluar dhe kostumin përkatës, realizoi imazhe që mbeteshin në mendje. Kjo ishte një ndër idetë e shumta inteligjente, tipike për protestat në Sofje. Studiusi i kulturës Ivaylo Ditchev, i cili ka përjetuar edhe protestat në Stamboll, sheh shumë ngjashmëri:

"Ata që dalin në rrugë, si në Turqi ashtu edhe në Bullgari, janë një brez i ri, i cili nuk ndihet i përfaqësuar nga politikanët. Është qendra e shoqërisë, e cila indinjohet që pushtetmbajtësit i shkelin me këmbë vlerat e demokracisë. Turqit në qytete thjesht nuk e pranojnë që shamia e kokës ngadalë po kthehet në një detyrim, që shitja e alkoolit kufizohet dhe që puthjet në sheshe publike ndalohen. Për këtë arsye edhe format plot fantazi të protestës si pirja dhe puthja në publik, si shpoti ndaj islamistëve.“

Protestuesit bullgarë inskenojnë pikturën e Delacroix "Liria udhëheq popullin"
Protestuesit bullgarë inskenojnë pikturën e Delacroix "Liria udhëheq popullin"Fotografi: Mariya Ilcheva

Fantazi, krijimtari dhe refuzim i dhunës

Plot fantazi janë edhe parrullat e demonstruesve në Sofje, thotë Ditchev. Kryeministri bullgar Plamen Oresharski për shembull thërritet "Oligarski" dhe në një pankartë shkruhej: "Ka një spital për qeverinë. Tani na duhet një çmendinë për qeverinë." Edhe gazetarja dhe aktivistja për të drejtat e njeriut Emmy Barouth, krahason bazuar në përvojën e saj protestat në Turqi dhe Bullgari:

„E përbashkët është fantazia, shpirti krijues i protestave por edhe heqja dorë nga dhuna dhe aftësia për të izoluar provokatorët. Shumë e rëndësishme: si në Turqi ashtu edhe në Bullgari, simbolet, gjuha figurative e demonstruesve janë universale dhe jo lokale apo kombëtare. Natyra e këtyre protestave i kapërcen kufijtë kombëtarë. Brezi i parkut Gezi dhe brezi "#DANSwithme" janë si binjakë. Ata kërcejnë në shi, këndojnë, përqafohen, qeshin, ëndërrojnë, krijojnë kuptim. Energjia e tyre është e fuqishme, moderne dhe e jashtëzakonshme."

Disa protestues mbajnë maska të politikanit ultranacionalist Volen Siderov dhe këmishë force
Disa protestues mbajnë maska të politikanit ultranacionalist Volen Siderov dhe këmishë forceFotografi: BGNES

Emërtimi në Twitter #DANSwithme është një aluzion për shërbimin e fuqishëm sekret bullgar DANS. Një pronar mediesh, i dyshuar si oligark në Bullgari, u emërua shef i DANS-it por një ditë më vonë dha dorëheqjen i detyruar nga trysnia e protestave në rrugë. Edhe emërtime të tjera që imitojnë njoftime të shkurtra në Twitter janë shumë të preferuar në Sofje. Për shembull #Ignoresiderov - një thirrje për të injoruar kryetarin e ultranacionalistëve Volen Siderov, i cili mbështet qeverinë. Mediet sociale si Twitter dhe Facebook, janë të gjithëpranishme si në Bullgari ashtu edhe në Turqi dhe një nga instrumentet kryesorë të demonstruesve. Është një kulturë krejt e re proteste, konstaton autori i DW-së, Ivan Kulekov, i cili ka xhiruar një dokumentar televiziv në Stamboll:

„Janë të rinj modernë të cilët organizohen në Facebook dhe komunikojnë me Twitts. Ata shpotisin me humor të hollë politikanët në qeveri, të cilët në sytë e tyre janë të prapambetur dhe pa formim."

Forma moderne në shprehje dhe kërkesa

Protesta në Stamboll
Protesta në StambollFotografi: Reuters

Karikatura plot humor, kudo maska 'anonim' dhe thirrje nga lëvizja 'occupy': demonstruesit në Turqi dhe Bullgari e shohin veten si pjesë të një kulture të re proteste të të rinjve, e cila nuk njeh kufij shtetesh. Kulekov tregon për një pemë proteste me fletushka të verdha në Stamboll, ku ndër të tjera ishte edhe mesazhi i një klase shkolle: "Ne e lamë mësimin për të protestuar." Dhe në Bullgari një nxënës filloreje mbate një poster të bërë nga ai vetë, ku shkruhej: "Në të vërtetë unë doja të shkoja të luaja."

Moderne nuk janë vetëm format e shprehjes por para së gjithash pikërëndesat e demonstruesve, thotë Emmy Barouh: „Në Turqi dhe Bullgari ata kanë objektiva të qartë ekologjikë. Ata kërkojnë edhe një stil të ri qeverisës me më shumë dialog dhe të drejta civile, me më shumë transparencë dhe pjesëmarrje të shoqërisë civile.“

Nesër ata do të jenë me siguri përsëri në rrugët e Stambollit dhe Sofjes. Për protestuesit në Sofje çdo ditë fillon me një ritual të ri me dozë humori: pirjen e kafesë para parlamentit.