1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kulmi i harmonisë: Samiti SHBA - BE në Bruksel

SHBA - BE paraqiten në samit më të bashkuar se kurrë për shkak të krizës së Krimesë. BE dhe SHBA vendosin të pavarësohen nga gazi rus. Kaq ujdi nuk ka sunduar ndonjëherë në Bruksel - një sinjal i qartë drejt Rusisë.

Policia belge ka shumë përvojë me samite, pasi BE mblidhet në këtë qytet rregullisht. Por kur vjen presidenti i Shteteve të Bashkuara, atëherë komandën e merr Secret Service, garda presidenciale e SHBA-së. Në çatitë e ndërtesës së BE-së u ngritën pika vrojtimi për snajperët, rrugët dhe sheshet përreth ndërtesës janë bllokuar, linjat e autobusëve janë ndryshuar, madje dhe koshat e plehrave në stacione të largëta metroje janë kyçur. 1.500 policë gati për të mbrojtur Obamën. Popullata belge nuk e sheh presidentin në vizitën e tij të parë në kryeqytetin europian.

SHBA -BE - Miq shumë të mirë

Ky është samiti i parë BE-SHBA që nga viti 2011. Me këtë Barack Obama do të hedhë poshtë zërat se presidenti amerikan nuk e merr shumë seriozisht kontinentin e vjetër. Në konferencën për shtyp, Obama tha se "Europa është, përfshirë edhe Bashkimin Europian, një nga shtyllat e angazhimit tonë rreth botës. Ne jemi më të sigurtë dhe më me mirëqenie, po, bota është më e sigurtë, kur Europa dhe Amerika janë një." Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman van Rompuy e dëgjon këtë deklaratë me kënaqësi, e sidomos përballë tensionimit të situatës me Rusinë, mund t'i besohet gjithmonë Amerikës. "Ne ngremë besimin mbi këtë shkëmb, për t'u dalë ballë sfidave që na dalin. Është një lidhje miqësie e testuar në histori, dhe e patundur."

Por ky samit nuk është më shumë se një vizitë kortezie. Pasi bisedimet me presidentin e Komisionit Europian, José Manuel Barroso, kreun e Këshillit të BE-së, Herman van Rompuy, të ngarkuarën për politikën e jashtme, Catherine Ashton dhe komisionerin e BE-së për tregtinë, Karl de Gucht nuk zgjatën më shumë se dy orë, përfshirë edhe drekën.

Jan Techau nga "Fondacioni Carnegie" në Bruksel thotë se përballja me Rusinë për të ardhmen e Ukrainës, e paplanifikuar në samit, i bashkon europianët dhe amerikanët. "Është interesante të vihet re se si në kohë krize ekzistenciale del në pah thelbi i marrëdhënies transatlantike: Partneritet sigurie.

Marrëveshja e tregtisë së lirë

Temat e diskutueshme si aktivitetet e spiunazhit të shërbimeve sekrete amerikane në Europë dhe mbledhja e të dhënave të miliona qytetarëve dolën në plan të dytë në këto bisedime. Presidenti amerikan dhe përfaqësuesit europianë duan ta mbyllin me sukses marrëveshjen e tregtisë së lirë, të njohur si TTIP. Detajet si për shembull mbrojtja e konsumatorit, nuk u biseduan, ato iu lanë delegacioneve që negociojnë.

Lidhur me këtë Obama tha: "Nuk ka kuptim që të tensionohemi për përkufizimet e marrëveshjes së tregtisë së lirë, të cilat ende nuk janë gati. Do të ketë kohë të mjaftueshme të marrim në shqyrtim marrëveshjen, kur të bëhet publike." Premtimi i Obamës: "Unë ju garantoj se kriteret ekzistuese si mbrojtja e mjedisit dhe mbrojtja e konsumatorit do të përforcohen."

Parlamenti Europian duhet të japë votën e tij për këtë marrëveshje. Që tani ekziston në parlament refuzimi për këtë marrëveshje. Deputeti liberal, Alexander Graf Lambsdorff, i cili i njeh Shtetet e Bashkuara nga përvoja si diplomat në Uashington, thotë se SHBA kanë një interes po kaq të madh tek kjo marrëveshje sa europianët. "Këtë ne duhet ta përdorim nga ana strategjike. BE dhe SHBA duhet të bien dakord për të njëjtat standarte në çështjen e mbrojtjes së të dhënave. Kjo duhet të arrihet paralelisht me marrëveshjen e tregtisë së lirë. Bllokimi i këtyre bisedimeve tani do të ishte sinjali i gabuar."

Për Herman Van Rompuyn marrëveshja e tregtisë së lirë është edhe një instrument strategjik për të izoluar Rusinë në krizën aktuale. "Në ditë si këto thellimi i partneritetit strategjik është një sinjal politik. Ne i tregojmë opinionit dhe botës se kush jemi ne në Europë dhe Amerikë. Ekonomia bazohet në rregulla. Shoqëria ndan vlera të përbashkëta. Ne jemi krenarë për këtë."

Më shumë gaz amerikan në Europë

SHBA dhe BE po shqyrtojnë së bashku mundësitë për të pavarësuar Europën nga gazi rus. Presidenti Obama bëri të ditur se SHBA do të livrojë më shumë gaz në tregun botëror për t'i bërë konkurrencë Rusisë. Por edhe Europa duhet të bëjë më shumë për të siguruar burime të tjera. Në BE është shumë e diskutuar metoda e ashtuquajtur "fracking", që përdoret në SHBA. "Në rast se udhëheqja ruse ka menduar se bota nuk do të interesohej për mënyrën si vepron ajo në Ukrainë, apo se do të vendoste një pengesë mes SHBA-së dhe BE-së, atëherë duhet thënë se ajo i ka bërë llogaritë gabim", tha Obama.

Ujdi për sanksione ekonomike

Në rast se Rusia do të vazhdojë kursin e saj, atëherë do të vendosen sanksione ekonomike. Për këtë janë dakord si BE ashtu edhe SHBA. Ndërkohë NATO do të shqyrtojë mundësitë e rritjes së përhershme të kontigjentit ushtarak në vendet lindore, anëtare të saj dhe fqinjë të Rusisë.

Para 2000 të ftuarve presidenti amerikan mbajti një fjalim në fund të vizitës së tij për marrëdhëniet transatlantike. Ndërsa në varrezën për ushtarët e varër amerikanë në Luftën e I Botërore ai vendosi një kurorë me lule. Barack Obama udhëton drejt Romës, ku të enjten do të takohet me Papa Françeskun, më pas trupa presidenciale prej 900 personash, një duzinë helikopterësh ushtarakë, dhe me "Cadillac"-un e blinduar do të udhëtojë për në Arabinë Saudite me tre avionë.