1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kukan: Ajo që ndodhi sot në Tiranë nuk është thjesht show politik

Pas takimit të europarlamentarëve me politikanët shqiptare, Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit për Marrëdhëniet me Europën Juglindore në Parlamentin Europian analizon situatën politike në Shqipëri.

Eduard Kukan

Eduard Kukan

DW: Zoti Kukan, ndryshe nga herët e tjera që keni kryesuar delegacionin e parlamentarëve europianë në Tiranë, që në fillim të bisedimeve nuk e fshehët optimizmin se do të kishte konsensus në fund. Kishit marrë garanci më parë nga palët, apo gjithçka u la në fatin e qëndrimeve të sotme?

Eduard Kukan: Jam shumë i emocionuar dhe mirëpres çdo lloj gatishmërie nga të dyja palët politike që të gjejnë diçka të rëndësishme në rradhë të parë për vendin dhe shqiptarët. Kjo është një shenjë për mua se ka përpjekje për rindërtimin e marrëdhënieve mes politikanëve në këtë vend. Sa i takon interesimit tuaj unë mund të them se optimizmi në radhët e delegacionit tonë këtë herë ishte nga vetë situata në javët e fundit në Shqipëri nga sinjalet që janë dhënë, por dhe nga puna që ka nisur, nga propozimet konstruktive që kanë ulur palët duke punuar. Ta themi qartë se jemi në fillesa optimiste, por hapa të tjerë janë të nevojshëm me karakteristika të njëjta në të ardhmen. Ajo që unë nuk pres është rikthimi tek e shkuara, të mos i kthehemi sërish duke thënë ky apo ai kishte faj. Por fryma ishte tërësisht e papërshtatshme, sepse më parë çdonjeri fliste që të kishte zërin e tij, por pa menduar se çfarë mund të behëj bashkarisht në një mënyrë kompromisi.

DW: Cilat janë çështjet më të rëndësishmet që sipas jush kërkojnë zgjidhje emergjente?

Eduard Kukan: Unë mendoj se fakti që angazhimet janë për rregulloren e parlamentit apo për reformën elektorale dhe në këto aspekte ka gjuhë të përbashkët nga palët, janë ngritur komisionet e përbashkëta atëherë le të përqëndrohet puna në diskutimin gjithëpërfshirës në to. Pra, fryma e konsensusit duhet të përcillet menjëherë tek realizmi i reformës, elektorale dhe tek përmirësimi i rregullores së parlamentit dhe miratimi i ligjeve kryesore që kërkojnë dhe votat e opozitës. Jua thashë dhe kolegëve shqiptarë gjatë bisedimeve se kjo që po ndodh në Shqipëri është një situatë e re, pozitive, por që duhet provuar me hapa konkretë. Unë jam një njohës i asaj që ndodh në Shqipëri kam kontakte me të gjitha palët dhe jam në këto momente me shumë besim se fryma e dialogut dhe konsensusit për reformat duhet të funksionojë. Unë besoj se ajo që ndodhi sot në Tiranë nuk është thjesht një show politik, një pauzë që ju duhet palëve për t'ja nisur një acarimi tjetër. Debati mes mazhorancës dhe opozitës nuk do të thotë se u shua, por gjithçka të vendoset në "shtratin" e konsensusit për integrimin europian. Këtë presin qytetarët shqiptarë nga klasa e tyre politike, këtë pret dhe Brukseli dhe të gjitha vendet anëtare. Askush nuk mendon dhe vlerëson se hapat e duhur janë vetëm si tregues për të marrë ok e statusit të vendit kandidat, apo për të avancuar në cdo fazë të procesit që shkon drejt antarësimit të vendit në BE.

DW: Kjo do të thotë z. Kukan se për vitin e ardhshëm Shqipëria e ka të sigurtë statusin e vendit kandidat?

Eduard Kukan: Kjo është në duart e vetë shqiptarëve, në angazhimin me vepra konkrete të klasës politike. Unë, por dhe kolegët e mi jemi mëse të qartë se cilido politikan i këtij vendi i ka të qarta detyrat që duhen kryer. Realizmi i këtyre detyrimeve e vendos afatin real të statusit të vendit kandidat apo antarësimin e plotë për në BE.

DW: Së fundi z. Kukan, gjatë këtij raundi të katërt të bisedimeve mes jush dhe parlamentarëve shqiptarë, nga këta të fundit, si nga mazhoranca ashtu dhe nga opozita morrt këkesën që PE të mbështesë edhe Kosovën në rrjedhat e saj integruese europiane. Çfarë mendimi keni?

Eduard Kukan: Shikoni, ne ishim sot në një axhendë të paracaktuar që ka lidhje me raportet mes Shqipërisë dhe BE. Sa i takon Kosovës ky është një fokus permanent në axhendën e Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Europën Juglindore dhe strukturave të tjera të BE-së. Ashtu sikundër dhe nga Shqipëria edhe aty ne presim hapa konkretë në plotësimin e standarteve, për të cilat autoritetet dhe forcat politike në Kosovë janë koshientë se duhen arritur. Kjo varëson të gjithë procesin integrues, për të cilin unë jam optimist se do të ecë pa kthim.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi