1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

:"Jugosllavët nuk e donin luftën"

28 Korrik 2016

Ishte një festë e paqes: Më 28 korrik 1991 mijëra vetë protestuan në një koncert në Sarajevë kundër luftës. Danijel Visevic fton njerëzit që ishin pjesëmarrës në koncert të rrëfejnë historinë e tyre.

https://p.dw.com/p/1JWzg
Kriegsspuren in Bosnien und Herzegowina
Gjurmë lufte në Bosnje-HercegovinëFotografi: DW/D. Visevic

Deutsche Welle: Ju doni të kujtoni lëvizjen e harruar të paqes në ish-Jugosllavi, pika kulmore e së cilës ishte koncerti në hollin "Zetra" në Sarajevë, pak muaj para luftës së përgjakshme. Si do ta përshkruanit këtë projekt?

Danijel Visevic: "Projekti Zetra" është një pikëpjekje në internet, ku njerëzit që ishin atëherë në koncert, rishihen sërish. Aty ne mbledhim historitë e atyre që u angazhuan për paqen dhe ndoqën koncertin. Me qëllimin, që këto kujtime të mos shuhen, dhe të tregojmë se njerëzit në atë kohë donin paqe.

Po pse filloi lufta atëherë, kur të gjithë donin paqen, si thoni ju?

Përgjigja për këtë është e vështirë. Në përgjithësi vetë njerëzit ishin vërtet kundër luftës, pavarësisht fesë apo kombësisë. Nuk ka pasur ndonjë popull që e do luftën, megjithëse u katapultua aty nga njëra ose tjetra palë. Një shembull për këtë: Nuk ka pasur koncert vetëm në Zetra, por më shumë se 30 koncerte të tjera dhe demonstrime për paqen në të gjithë Jugosllavinë. Kanë qenë demonstrata të zhvilluara spontanisht nga qytetarët, dhe jo nga partitë politike. Kjo tregon se shumë qytetarë e patën perceptuar luftën si një rrezik konkret dhe donin ta pengonin.

DW Danijel Visevic auf IFA Berlin 06.09.2013
Danijel VisevicFotografi: DW

Pse u zhvillua pyesni ju? Për mua nuk ka qenë urrejtja si arsye, ose së paku kane qenë vetëm një pjesë e saj. E përjashtoj shtjellimin se popujt në Jugosllavi e urrejnë njëri-tjetrin prej shekujsh dhe mezi kanë pritur të ndërrojë jetë Tito që t'i sulen fqinjit. Shumë politologë e kanë hedhur poshtë ndërkohë urrejtjen etnike si arsye për luftën në ish-Jugosllavi. Këtë e tregon edhe projekti Zetra.

Milan Trivic, një nga organizatorët e koncertit në hollin Zetra thotë se mjaftojnë pak vetë për të nxitur një luftë, ata krijojnë disa incidente, ngrenë pretendimin se janë sulmuar dhe duhet të mbrohen. E ndani këtë mendim?

Si gazetar këtë përgjigje e shoh si më të mirën të mundshmen. Edhe historianë si Ulf Brunnbauer kanë shkruar se si ndizen luftërat, dhe se si është nxitur konkretisht lufta në Bosnje dhe Jugosllavi. Vërtet disa ekstremistë mund të krijojnë incidente, e qytetarët e shohin veten të detyruar praktikisht të marrin një krah, ndryshe çdo gjë tjetër është me rrezik për jetën.

Sa i rëndësishëm ka qenë roli i kësaj lëvizjeje të paqes?

Për mua ajo ka luajtur rol të rëndësishëm. Shumë më thonë: po lufta shpërtheu megjithatë, pse e bën këtë, kujton një lëvizjeje paqeje, që nuk pati sukses? Unë them një lëvizje paqeje është e parëndësishme, vetëm kur ne e harrojmë atë. Po qe se e kujtojmë, atëherë e dimë se njerëzit kanë bërë vërtet shumë për të ndaluar luftën në ish-Jugosllavi. Ne mund të mësojmë më shumë se çfarë ndodhi atëherë, dhe t'i dalim ballë sot më të vendosur atyre që duan të krijojnë fronte mes myslimanëve dhe jo-myslimanëve.

Shumë vetë në projektin tuaj shikojnë paralele mes ish-Jugosllavisë dhe Europës sot. Cili është mesazhi juaj?

Ne jemi të gjithë njerëz-pavarësisht sa i thjeshtë është ky mesazh, për mua ai është më i çmuar, kur vjen nga ata që kanë përjetuar luftën. Baza e kësaj lufte ishte renditja ndaj një kombësie të caktuar - pikërisht ky nuk duhet të jetë kriter që të na përcaktojë ne.

Danijel Visevic është gazetar, autor librash dhe regjisor në Berlin. Një pjesë e familjes së tij jeton në Bosnje dhe Kroaci.