1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

PORTA GJERMANE

Kujdestari Bernd Jahrmärker nga Gëtingen

Bernd Jahrmärker ka një jetë plot ngjarje. Ish-ushtaraku i dikurshëm punon sot si kujdestar shkolle. Motoja e jetës së tij është: „Shijoje ditën.“

default

Bernd Jahrmärker

Në mëngjes në orën gjashtë e gjysëm në Gëtingen është akoma qetësi. Rrugët e qytetit të vogël universitar në jug të Saksonisë së Poshtme janë të zbrazëta. Nga dritaret e shtëpive nuk shihet dritë. Ndryshe në gjimnazin Hainberg. Nga porta e hyrjes duket dritë, sepse këtu dita ka filluar. Bernd Jahmärker ecën korridoreve të gjata dhe poshtë e lart shkallëve. Një nga detyrat e tij të para gjatë ditës është të hapë dyert e të gjitha klasave. Kur nga ora 7 e 20 vijnë nxënësit e parë, kujdestari i shkollës është përsëri në zyrën e tij dhe pi kafe.

Ushtari bëhet elektromekanik dhe kujdestar shkolle

Pastaj ai kontrollon ngrohjen në qilar. Për këtë nuk ka nevojë as që të ngrihet. Ngrohja drejtohet prej kompjuterit. Teknikën ai e njeh më së miri, sepse ka mësuar zanatin e elektromekanikut. Por në fillim ka qenë ushtar profesionist. "Jam regjistruar vullnetarisht, kur kam qenë 17 vjeç dhe doja të qëndroja për fare në Bundesver“, kujton 53-vjecari. Por dashuria për një vajzë nga Gëttingeni ia ngatërroi planet.

Ajo ishte motra e një të njohuri dhe ishte fotomodele. Ata u njohën dhe u dashuruan. Për Bernd Jahrmärker lidhja u bë serioze. Sidomos kur pas katër vjetësh ajo i vuri një ultimatum: Duhej të zgjidhte midis saj dhe Bundesverit. Vendimi i Jahrmärker-it qe: „E lashë punën dhe erdha në Gëttingen"

Marrëdhënia me fotomodelen u prish. Megjithatë Jahrmärker mbeti në qytetin universitar.Gëttingen dhe vazhdon të jetojë aty. Jahrmärker jeton sot vetëm në një banesë prej 50 metër katrorë. 53-vjeçari nuk ka fëmijë, ose jo fëmijë të tijët. Në shkollë ai ka çdo ditë 1.100 nxënës rreth vetes dhe ka punë plot: Teksa flet me drejtorin e shkollës për nevojën për vegla të reja, ndërpritet, sepse në banjon e vajzave po rrjedh poshtë lavamanit. Rrugës drejt banjove Bernd Jahrmärker takon një elektricist. Ai instalon në katin e dytë priza të reja dhe i duhet një shkallë. Përveç kësaj para derës ka ardhur një paketë e adresuar gabim.

Një aksident u bë pika e kthesës

Prej 12 vjetësh Bernd Jahrmärker kujdeset për mbarëvajtjen e gjimnazit Hainberg. Më parë punonte si elektromekanik dhe ndërtonte impiante teknike në të gjithë Evropën. Por në moshën 40-vjeçare në jetën e Bernd Jahrmärker-it erdhi një pikë kthese, që u shkaktua nga një aksident gjatë një loje futbolli. Pas një përplasjeje të fortë ai mbeti i shtrirë në bar me gjak, që i dilte nga goja. Kishte thyer tre brinj, majat e brinjëve i kishin hyrë në mushkëri. Ai luftoi me vdekjen. Për muaj me radhë Jahrmärker qëndroi i shtruar në spital. Pastaj mori një vendim të prerë: Do të filloj edhe një herë nga e para. Jahrmärker donte të kishte të bënte më shumë me njerëz dhe u bë kujdestar shkolle, duke u zgjedhur ndërmjet 170 kandidatëve. Sot Jahrmärker thotë për veten e tij se është i lumtur. Motoja e jetës së tij është: „Shijoje ditën.“ Megjithatë ai thotë për vete se qesh pak.

Feedbackfrage:

A do të fillonit fare nga fillimi, sikur të mos kishit pasur fat në jetë?

Autor: Shabnam Nourian/Ina Verbica
Redaktor: Pandeli Pani

WWW Linke