1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kujdes me puthjet gjatë Karnavaleve!

Një rregullore sjelljeje për refugjatët në shtatë gjuhë është gati e po shpërndahet pak para se karnavalistët të festojnë nëpër rrugët e Gjermanisë. Synimi: Të shpjegohet "gjendja e jashtëzakonshme" nëpër rrugë.

"Bützen" - në gjermanisht do të thotë një puthje në faqe - dhe është tipike për karnavalet. Një broshurë e qytetit të Bonn-it në shtatë gjuhë shpjegon se ç'do të thotë puthja, apo "kamelle" -"bonbonet" dhe zakone të tjera, traditë në zonën e Rinit. Para se të fillojnë festimet e karnavaleve më 4 shkurt, punonjës të administratës së bashkisë apo të qendrave të strehimit të refugjatëve i shpërndajnë këto broshura që janë pjesë e iniciativës "Save me". "Për njerëzit që nuk kanë dëgjuar kurrë për karnavalet është disi e çuditshme - edhe në kuptimin pozitiv", thotë Sabine Kaldorf nga Iniciativa e Refugjatëve "Save me", e me këtë broshurë refugjatëve iu jepet një rregullore si ndihmesë.

"Jo do të thotë vërtet Jo"

Që karnevalet nuk nënkuptojnë vetëm maskën e kostumimin, këtë e di gjithkush, po qe se ka kaluar në një kohë të tillë nga pubet e Bonn-it, Köln-it, Düsseldorf-it. Atmosferë festive shkon shpesh paralelisht me përdorimin e alkoolit në mënyrë të ekzagjeruar, apo edhe ndonjë përpjekje që i kalon kufijtë e një "bützten"- puthjeje platonike. Kjo mund të sjellë edhe keqkuptime me vete, prandaj broshura e informimit për refugjatët përmban paralajmërime. "Ju lutemi ruani masën" në konsumimin e alkoolit! Urinimi në ambiente publike është i ndaluar dhe "bützen" -puthja nuk duhet të keqkuptohet. "Afrimi seksual nuk është i lejuar! Një grua dhe një burrë duhet të bien dakord gjithmonë për një gjë të tillë! Jo do të thotë jo!"

Ndërsa Shoqata e Karnavalistëve të Mönchengladbach-ut ka shtuar në informacionet e saj se vepra penale "si në festimet e Vitit të Ri në Köln nuk do të tolerohen dhe do të ndiqen penalisht".

"Shumë rregulla"

Azilkërkuesja nga Libani, Noura Saab el Chami është e të njëjtit mendimi. Ajo jeton prej afro një viti në Köln, por nuk ka për të festuar karnevalet "sepse nuk di asgjë për këtë". Ajo ende nuk e ka parë broshurën, por do të donte të kishte disa informacione. 25 vjeçarja është e mendimit se refugatëve u duhen shpjeguar zakonet dhe traditat e këtushme. "Në Gjermani ka shumë rregulla, që duhen respektuar. Shumë vetë thjesht nuk e dinë si duhet të sillen."

"Jo njerëz shpellash"

E ngarkuara e qeverisë gjermane për migracionin, Aydan Özoguz kritikon faktin që broshura të tillë botohen ekstra për refugjatët. Në një intervistë me radion gjermane WDR ajo paralajmëron nga trajtimi i refugjatëve si "njerëz shpellash". Shoqatat e Karnevaleve të Köln-it dhe Bonn-it nuk kanë publikuar broshura të tilla, por vetëm disa informacione për të orientuar jo vetëm refugjatët, por edhe të huajt që vijnë të festojnë në karneval. "Je i sapoardhur në Köln?" është pyetja e parë në këto informacione. Në shtatë faqe informacione Komisioni i Karnavaleve të Kölnit përpiqet të shpjegojë në anglisht, gjermanisht dhe arabisht frymën e karnevaleve, ku bëhet fjalë për disa orë "për të harruar të përditshmen", e ku festohet së bashku me miqtë, por sidomos me të huajt".

CIVIS Medienkonferenz 2016

E ngarkuara e qeverisë gjermane për migracionin, Aydan Özoguz

Por informacionet e Komisionit të Karnavaleve të Kölnit nuk lexohen si paralajmërime, por si shpjegime. Pyetjes "a mund të festoj edhe unë?" i jepet përgjigja: "Patjeter, kölnasit janë të hapur dhe kuriozë ndaj të huajve -një buzëqeshje të tregon se dikush dëshiron të festojë me ty!" Edhe konsumimi i alkoolit preket si temë, duke theksuar se ai nuk është detyrim. "Dëfrim, vallëzim, këngë ka edhe pa alkool."