1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Borxhet private në Gjermani

Rachel Gessat / Elert Ajazaj13 Nëntor 2012

Gati dhjetë për qind e të rriturve në Gjermani nuk janë në gjendje t'i kthejnë kreditë e marra. Kështu shkruhet në "Atlasin e huamarrësve 2012". Mirëpo si bien njerëzit në kurthin e borxheve?

https://p.dw.com/p/16hZv
Fotografi: picture-alliance/dpa

Financimi i shpenzimeve private nëpërmjet kredive është prej dekadash një praktikë e zakonshme në Gjermani. Bankat ofrojnë kredi pa verifikuar kredibilitetin, marketet bëjnë reklamë me slogane si "Blini tani, paguani më vonë", dhe në internet je në gjendje t'i porosisësh gati të gjitha nëpërmjet klikimit të mausit, nga udhëtimi për pushime deri te pajimi i shtëpisë. Mirëpo krizat e paparashikuara si humbja e vendit të punës, një divorc apo sëmundje bëjnë që papritur të dështojnë planet financiare të miliona shtetasve.

Si për shembull te familja M. Çifti i ri ka një fëmijë, burri punon në aeroport, gruaja si pastruese. Të dy kanë marrë një kredi, për të blerë një automjet. Mirëpo pastaj zoti M. humbet vendin e tij të punës. Në të njëjtën kohë rriten shpemzimet e familjes, sepse është duke lindur një fëmijë i dytë. Të dy nuk arrijnë t'i shlyejnë këstet, të cilat i kanë paguar për vite me radhë me korrektësi dhe zhyten thellë në borxh.

Konsulencë për daljen nga borxhet
Konsulencë për daljen nga borxhetFotografi: picture-alliance/dpa

Një rast tipik, thotë Ralf Jeuschede i këshillimores për huamarrës në Bonn në bisedë me Deutschen Welle-n: "Sipas gjykimit tim 90 për qind e huamarrësve janë huamarrës krize. Në të vërtetë ata kanë planifikuar në baza të shëndosha, dhe pastaj ka ngjarë diçka, që nuk ishte e planifikueshme dhe që shkakton këtë katastrofë financiare."

Tejzhytja në borxh mund t'i prekë (gati) të gjithë

Por, thotë Jeuschede, në opinion janë rezistente paragjykimet se njerëzit që kanë rënë në kurthin e borxheve e shkaktojnë vetë rrënimin e tyre nëpërmjet konsumit të tepruar dhe planifikimeve financiare me mendjelehtësi. Ky shabllon përbën përjashtimet, jo rastet e zakonshme, thotë Ralf Jeuschede, i cili punon prej 30 vjetësh në këshillimoren për huamarrësit.

Tejzhytja në borxh nuk është fenomen që prek vetëm personat, të cilat fitojnë pak: "Këta janë edhe njerëz në gjendje shumë të mirë, të cilët për shembull nuk arrijnë të merren vesh gjatë divorcit, sesi do t'ia bëjnë me pasurinë e patundshme që e kanë blerë bashkarisht." Në raste të tilla lindin shpejt detyrime prej 100.000 eurosh dhe më shumë. Mesatarisht pirgu i borxheve është rreth 33.000 euro për person.

Atlasi i huamarrësve 2012

Rreth 6,6 milionë vetë 6,6 milionë në Gjermani konsiderohen së të tejzhytur në hua. Kjo do të thotë, që ata nuk ia dalin t'i shlyjnë më për një kohë të gjatë këstet e tyre të huasë, as në ato raste kur e kufizojnë standardin e tyre të jetesës. Kjo del nga atlasi aktual i huamarrësve 2012, të cilin e harton çdo vit agjencia ekonomike e informacionit Creditreform. Michael Bretz, zëdhënës i Creditreform, vë në dukje në intervistë me Deutsche Welle-n lidhjen e drejtpërdrejtë midis koniunkturës, tregut të punës dhe tejzhytjes në borxh: "Tejzhytja në borxh e ka burimin te tregu i punës. Kjo do të thotë, kur përkeqësohet gjendja e tregut të punës, kur kemi më shumë të papunë, atëherë bëhemi gjithashtu me më shumë persona të tejzhytur në borxhe."

Kriza dhe papunësia shkaktojnë borxhe edhe kur vendimet për konsum janë peshuar mirë
Kriza dhe papunësia shkaktojnë borxhe edhe kur vendimet për konsum janë peshuar mirëFotografi: Fotolia