1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kujat: "Misioni i OSBE-së në Ukrainë të mendohet mirë"

Ukraina është dashur të garantonte sigurinë e vëzhguesve ushtarakë të OSBE-së, tha Harald Kujat, ish kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe ish shef i Shtabit të Bundeswehrit, në radion gjermane.

Harald Kujat

Harald Kujat

Jasper Barenberg: Vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë u liruan në fundjavë, pasi u mbajtën peng një javë në Ukrainë. Megjithatë tani është ndezur një debat në lidhje me këtë mision të OSBE-së. Shtrohen një sërë pyetjesh rreth natyrës dhe pjesës ushtarake të misionit të vëzhguesve, por që përgjigjen me shumë hezitim nga qeveria gjermane. Ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen e justifikon misionin e vëzhguesve të paarmatosur gjermanë dhe bën të ditur sqarimin dhe analizimin e mëtejshëm të çështjes. Ministrja e Mbrojtjes dëshiron ta rishikojë edhe një herë çështjen. A ka arsye për një rishikim kritik pas ngjarjes?

Kujat: Sigurisht. Mendoj se në çdo mision të këtij lloji, sidomos në një mision, që ka shkaktuar një situatë kaq të vështirë, dhe siç thotë ministri i Jashtëm, kemi patur fat të madh dhe kemi dalë pa dëm, pikërisht një ndërmarrje të tillë duhet ta analizojmë mirë, cilat kanë qenë predispozitat, që çuan në një situatë të tillë dhe a ka patur kuptim e gjitha. Vendi mikpritës duhet të kujdeset për sigurinë e pjesëmarrësve.

Barenberg: Zoti Kujat, misione të tilla janë parashikuar për rajone, për situata me konflikte të rënda, që mund të jenë edhe të rrezikshme. A nuk është e natyrshme, që ekziston rreziku, nëse niset një mision i tillë?

Lirimi i vëzhguesve të OSBE në Ukrainë.

Lirimi i vëzhguesve të OSBE në Ukrainë

Kujat: Është e drejtë, që misione të tilla shërbejnë për të forcuar besimin dhe sigurinë ndërmjet shteteve pjesëmarrëse dhe kur ka shqetësime për aktivitete ushtarake, siç në këtë rast, atëherë njëri nga shtetet pjesëmarrëse në këtë rast Ukraina, mund të ftojë vizitorë, inspektorë, që të binden, për arsyen e shqetësimeve. Por kjo do të thotë edhe që shteti mikpritës të kujdeset për sigurinë e pjesëmarrësve në një vizitë të tillë. Siguria dhe integriteti përmenden madje edhe në dokumentin e Vjenës. Dhe çeshtja vendimtare natyrisht në këtë rast është: Se ka mundur Ukraina të garantojë sigurinë dhe integritetin e inspektorëve? Dhe nëse nuk është kështu, a kemi qenë të bindur ne para këtij misioni, që kjo është e mundur apo jo dhe a e kemi marrë vendimin mbi një bazë të sigurtë? Për këtë është fjala.

Barenberg: A shihni këtu gabime të mundshme nga ana e qeverisë gjermane?

Kujat: Duhet parë. Ministrja e Mbrojtjes ka njoftuar se do të bëjë një analizë të të gjithë procesit dhe në fokus të kësaj analize do të jetë, se si ka qenë vlerësimi i gjendjes para misionit, a kemi qenë të bindur se Ukraina është në gjendje të garantojë sigurinë dhe integritetin, apo jo. Dhe në qoftë se ne nuk kemi qenë njëqind për qind të bindur, atëherë sigurisht shtrohet pyetja, nëse misioni ishte me të vërtetë në përputhje, me rreziqet, që ne, qeveria gjermane, ishte e gatshme të ndërmerrte. Kjo duhet të sqarohet.

Barenberg: Unë shoh tek ju dyshime. OSBE është një organizatë, që mund të japë një kontribut të mirë.

Kujat: Unë kështu do ta quaja. Nuk kam asnjë dyshim, por secili prej nesh, që i ka parë lajmet në këtë kohë, e di se aty janë krijuar rreziqe të konsiderueshme të sigurisë. Nëse këto rreziqe të sigurisë kanë qenë të parashikueshme edhe për inspektorët, ose të paktën duhet të ishin llogaritur, kjo është një histori krejt tjetër. Por që kjo ishte një zonë me trazira, në të cilën kishte përdorim të konsiderueshme të forcës, kjo ishte mjaft e qartë.

Barenberg: Ministri i Jashtëm, Kancelarja, të gjithë vazhdojnë të besojnë se OSBE mund të luajë një rol të rëndësishëm, kur është fjala, për të gjetur rrugë për të dalë nga përdorimi i dhunës. A mendohet ndryshe tani, pas këtij incidenti?

Kujat: Jo. Mendoj se OSBE është sigurisht një organizatë, që mund të japë një kontribut të mirë në një situatë të tillë. Kjo as që diskutohet. Nga njëra anë për arsye se ne kemi 57 shtete anëtare dhe nga këto 57 shtete anëtare, krijohet natyrisht një presion i konsiderueshëm mbi shtetet anëtare, pra ndaj Ukrainës dhe ndaj Rusisë dhe Rusia është vetë anëtare e kësaj organizate. Me fjalë të tjera Rusia është e përfshirë që në fillim në këtë proces të bisedimeve, apo të sqarimit. Kjo është e rëndësishme. Dhe kësaj i shtohet fakti, që deri tani kemi parë që është shumë e vështirë për të gjetur një interlokutor për Rusinë, që mund të negociojë me Rusinë, në nivel të barabartë për këtë situatë. Ishte NATO, ishte Bashkimi Europian, edhe Gjermania është përpjekur, por Perëndimi nuk ka arritur sa duhet që ta sjellë Rusinë në tryezën e bisedimeve, ku mund të arrihet konkretisht një rezultat, që ka edhe qëndrueshmëri. Kjo deri tani nuk është arritur. Ndoshta mund ta bëjë OSBE, por nuk jam i sigurtë.

Barenberg: Ne do ta ndjekim dhe do të presim të shohim, nëse kryetari i OSBE-së nesër në Moskë do të arrijë më shumë. Tani për tani ju falemnderit shumë, Harald Kujat, për vlerësimet tuaja.