1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kufiri absurd mes Ukrainës dhe Ukrainës

Gadishulli ukrainas i Krimesë është me sa duket fort në duart ruse. Aty po ngrihet pika kufitare kontrolli.

Në "Perekop", rripin e ngushtë tokësor që lidh Krimenë me kontinentin po punohet për bllokimin me blloqe betoni të rrugës kryesore për në Simferopol. Në Krime po ngrihet me shpejtësi një "vendkalim kufitar". Ushtarët ukrainas në anën tjetër mbajnë kallashnikovë dhe maska edhe pse në të vërtetë, ata janë të urtë, të pasigurt dhe të rinj, ashtu si ushtarët rusë 50 metra më tej.

"Djema, vetëm mos qëlloni," u them gjysmë me shaka apo ndoshta seriozisht? "Mos u shqetësoni, ne nuk kemi urdhër për të qëlluar", thekson një djalë i ri nga ana e Krimesë. Ai duket qartë se është një oficer rus. Por se prej nga nuk ka marrë urdhër për të qëlluar, nga Moska apo nga Simferopoli, ai nuk do ta thotë. Mua s'më lejohet të fotografoj, përndryshe thotë ai, ai do të jetë i detyruar të ma marrë aparatin fotografik. Ukrainasit nga ana e tyre nuk kanë ndonjë kundërshtim për fotografitë.

"Ne tatarët kemi atdhe vetëm Krimenë"

Nisem në drejtim të kryeqytetit të Krimesë Simferopolit. Rruga është thuajse e braktisur. Në periferi të fshatit Voikove, një turmë njerëzish mbajnë në duar flamuj të Ukrainës dhe pankarta ku shkruhet "Russia go home". Demonstruesit janë tartarë. Tartarët janë myslimanë, por më tepër laikë. Asnjë nga gratë që marrin pjesë në demonstratën e Voikovës nuk mban shami në kokë. Ato janë veshur si për festë.

Një grua 50-vjeçare thotë se tartarët nuk kanë atdhe tjetër veç Krimesë. Ata i kanë internuar dikur në Sibiri apo Kazakistan, por kanë mbijetuar. Rusët mund të shkojnë ku të duan, po ne tartarët jo, thotë ajo. Po erdhi Putini, kush do të na shpëtojë nga ndonjë shpërngulje tjetër? - shton demonstruesja.

Kufiri absurd

Kthehem sërish tek "pika kufitare". Një numër blloqesh betoni që bllokojnë rrugën i detyrojnë makinat të ulin shpejtësinë. Një ushtar rus më kontrollon makinën për armë apo lëndë ekspolozive, sepse sipas televizionit rus në Simferopol rrugës për atje qenkan qindra e mijëra "fashistë" që duan të minojnë synimin legjitim të banorëve të Krimesë për t'u ribashkuar me Rusinë. Nga ana ruse e kufirit shihen vetëm nja tre-katër ushtarë. Se sa mund të jenë në të vërtetë ndoshta të fshehur në ndërtesën afër kufirit nuk merret vesh. Nga pala ukrainase ka rreth 30-40 ushtarë.

Kontroll pasaportash deri tani nuk ka. As rusët, as ukrainasit nuk më kërkuan pasaportën apo lejen e qarkullimit. Në kufirin absurd mes Ukrainës dhe Ukrainës nuk ka dhënë njeri urdhër për kontrolle të tilla.