1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Kubanët duhet ta ruajnë pavarësinë e tyre"

Kohë kthese në Kubë? Fidel Kastro po jep ngadalë lamtumirën. Raul Castro do të japë dorëheqjen në vitin 2018. Bernd Wulffen, ish-ambasador gjerman në Kubë është i sigurtë: brezi i ri politik do të jetë më i zhdërvjellët.

Deutsche Welle: Pak para datëlindjes së tij të 90-të, Fidel Castro mbajti një lloj fjalimi lamtumire para shokëve të partisë së tij. Ndoshta ishte një nga fjalimet e fundit të "Ultimo Leader". Vëllai i tij, Raul Castro do ta dorëzojë postin e kryetarit të shtetit në vitin 2018. Ç'pamje mund të kishte një Kubë pa ekipin e vjetër të Castrove?

Bernd Wulffen: Unë që para disa vitesh kam mbrojtur pikëpamjen se gjithçka duket sikur do të jenë ushtarakët ata që do të marrin pushtetin. Por nuk do të ketë grusht shteti, sic e kemi parë në shtetet e tjera të Amerikës Latine, por një kalim të mbështetur nga institucionet, i cili do të rezultonte i natyrshëm. Që sot ushtarakët kanë në Kubë pozicione shumë qendrore. E kam fjalën këtu para së gjithash për Marino Murillon, një ish-kolonel të ushtrisë, i cili është përgjegjës për ekonominë. Ose për zëvendëspresidentin e tanishëm, Miguel Diaz-Canel, një specialist i radiolidhjes i forcave të armatosura. Ose edhe për kolonelin Alejandro Castro, një djalë i Raul Castros. Si koordinator i shërbimeve të fshehta ai zotëron një post shumë të rëndësishëm. Në këtë drejtim mund të ecin punët për Kubën.

Cila është trashëgimia politike, në të cilën mund të ecin pasardhësit?

Duket se të paktën formalisht do të mbetet ekonomia e centralizuar e administrimit, në një kohë kur kjo duhet relativizuar. Ndërkohë, edhe revolucioni kuban dhe udhëheqja e tij e kanë kuptuar se pa ekonomi private nuk bëhet, se për shtetin është e pamundur që të krijojë kaq shumë vende pune. E kanë kuptuar se janë të varur nga sipërmarrjet private dhe tani ato po mbështeten. E gjitha quhet "modeli kuban". Për mendimin tim është i krahasueshëm me Kinën apo me Vietnamin. Politikisht ekziston edhe më tej një superstrukturë e orientuar te leninizmi dhe marksizmi. Edhe nëse jashtë nuk duan ta pranojnë, nën këtë superstrukturë do të hedhë rrënjë dhe do të forcohet ekonomia e tregut. Por deri tani ky është vetëm spekulim - punët mund të vijnë edhe ndryshe.

Sa do të ndryshojë në të ardhmen sistemi politik në Kubë?

Zotërinjtë e vjetër si Fidel dhe Raul, të cilët luftuan në Sierra Maestra (një vargmal në Lindje të Kubës) kundër diktaturës së shpejti do të largohen dhe pastaj do të vijë një brez i ri. Përmenda në fillim disa emra. Shumica e këtyre meshkujve janë në fillim ose në mes të viteve '50. Unë besoj se nën ta do të ketë pikërëndesa të tjera. Ndoshta ata nuk do t'i përmbahen përfytyrimit ekzistues të revolucionit, por do të jenë më të zhdërvjellët.

Dhe çfarë mendojnë kubanët për ndryshimet politike?

Për këtë mund të flasësh pafundësisht. Nga njëra anë njerëzit janë krenarë për revolucionin, i cili i ktheu vendit sovranitetin dhe dinjitetin nacional. Nuk duhet harruar: në kohën e Fulgencio Batistas, një ish-presidenti të Kubës, të cilin Fidel Kastro e rrëzoi në vitin 1958, Kuba ishte një lloj rimorkioje e SHBA. Vetëm revolucioni solli pavarësinë e plotë. Atëherë vërtet në mbrojtjen e BS, por njerëzit ishin krenarë që kishin diçka të tyre.

Mendoj se në të ardhmen do të jetë e rëndësishme që kubanët të ruajnë pavarësinë e tyre. Që ata të mos bëhen sërish rimorkio e SHBA ose e një fuqie tjetër. Kubanët janë patriotë dhe janë shumë të lidhur me tokën dhe atdheun e tyre. Këtë duhet ta mbajmë parasysh.

Bernd Wulffen ishte prej vitit 2001 deri 2005 ambasador i Gjermanisë në kryeqytetin kuban Havanë. Juristi ka shkruar për kohën e tij atje dhe për kthesat politike në Kubë dy libra.