1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ku ta degdisim Gaddafin? SHBA kërkon mundësi ekzili për diktatorin

Diktatori Muammar al Gaddafi vazhdon të qëndrojë i kapur pas pushtetit edhe me përdorimin e dhunës. Për të mundësuar dorëheqjen e tij, po shqyrtohen mundësitë e ekzilit në disa vende afrikane.

Luftë në Libi

Luftë në Libi

Edhe pas 40 vitesh, ai nuk do të largohet me dëshirë nga pushteti. Për të mundësuar dorëheqjen e tij po shqyrtohen mundësitë e ekzilit në vendet afrikane. "New York Times" raportoi para një jave se SHBA po kërkon një vend për të dërguar Gaddafin në ekzil megjithëse ky i fundit nuk e ka kërkuar këtë.

Vetë pushtetmbajtësi libian Muammar Al-Gaddafi mban marrëdhënie të shkëlqyera me shumë shtete afrikane. Jo rastësisht themeloi ai "Unionin Afrikan" (AU) në vendlindjen e tij, Sirte. Shumë pushtetmbajtës të tjerë afrikanë ai i ka ndihmuar të vijnë në pushtet. Për këtë arsye mjaft shtete afrikane qëndrojnë në krah të Libisë që nga koha e fillimit të konfliktit. Që në Mars, Uganda ishte vendi i parë që u diskutua për një ekzil të mundshëm të Gaddafit.

Henry Oryem Okello, ministër Shteti në Ministrinë e Jashtme të Ugandës e sheh çështjen ndryshe: "President Gaddafi nuk ka bërë kërkesë për azil. Nëse e bën këtë, ne do ta shqyrtojmë kerkesën e tij, ashtu siç bëjmë me gjithë të tjerët. Uganda nuk ka dëbuar asnjëherë refugjatë, dhe ne nuk shohim asnjë arsye pse duhet të refuzojmë Gaddafin, nëse ai kërkon azil."

Sulme të NATO-s kundër shtabit qendror të Gaddafit

Sulme të NATO-s kundër shtabit qendror të Gaddafit

Uganda - vendstrehim për Gaddafin?

Para 30 vitesh, Gaddafi ndihmoi presidentin Yoweri Museveni të vinte në pushtet përmes një mbështetjeje masive. Në Uganda Libia posedon një sërë firmash në vlerë disa miliarda ndër to edhe "Tropical Bank", "Laiko Lake Victoria Hotel" dhe firmën e naftës "Tamoil East Africa". Ndërkohë që edhe 2/3 e shoqërive telefonike të Ugandës i përkasin Libisë. Në Kampala një rrugë dhe një xhami kanë marrë emrin e Gaddafit. Për vite me radhë marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të shkëlqyera. Vetëm kur Museveni i kundërshtoi planet e Gaddafit për krijimin e shteteve të bashkuara të Afrikës, miqësia mes dy vendeve ka pësuar krisje të dukshme. Megjithatë Uganda do të ishte një vend ekzili për Gaddafin, mendon gazetari dhe eksperti për Libinë, Beat Stauffer:

"Pasi Uganda është një vend relativisht i stabilizuar në kontekstin afrikan, relativisht në gjendje të mirë ekonomike, dhe sepse klani i Gaddafit ka aty investime në vlerë miliardash. Regjimi i Gaddafit ka në dorë një mjet presioni kundër Ugandës, në rast nevoje madje ta detyrojë për pranimin e tij."

Pavarësisht këtyre kushteve, Uganda nuk është për Gaddafin një vend i sigurtë. Gjykata Ndërkombëtare ka nisur me kërkesë të Këshillit të Sigurimit hetime kundër Gaddafit. Uganda është njëri nga nënshkruesit e konventës për Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë dhe ofron madje njërin nga gjykatësit. Në rast se ngrihet akuza për krime kundër njerëzimit, Uganda do të detyrohej ta ekstradonte Gaddafin.

Gadaffi dhe Omar al Bashir kanë qenë miq - Bashir megjithatë refuzoi azilin për Gaddafin

Gadaffi dhe Omar al Bashir kanë qenë miq - Bashir megjithatë refuzoi azilin për Gaddafin

Vende të tjera të mundshme për ekzil

Edhe vende të tjera afrikane mund t'i ofronin azil Gaddafit. Sudani është njëri prej tyre. Në rast ndjekjeje penale në Sudan, Gaddafi nuk duhej të kishte frikë. Por presidenti Omar al Bashir, i cili kërkohet me urdhërarresti ndërkombëtar për krime lufte ka refuzuar paraprakisht një kërkesë të mundshme për azil.

Al Bashir: "Ne na interesojnë mjaft lidhjet me popullin libian. Lidhjet mes krerëve të shteteve janë shumë më afatshkurtra dhe të përkohshme, ndërsa lidhjet mes popujve janë një çështje shumë e rëndësishme. Prandaj Sudani nuk do t'i ofrojë Gaddafit në këto kushte azil."

Çadi po ashtu bën pjesë tek vendet që mund t'i ofronin azil Gadaffit. President Idriss Deby ka pasur shumë të mira nga Gaddafi. Krahas mbështetjes financiare edhe një marrëveshje paqeje me Sudanin. Sipas raportimeve në media, garda republikane e Çadit lufton në krah të Gaddafit, gjë që dementohet nga qeveria e këtij vendi. Edhe disa vende jashtë Afrikës, si Venezuela, Kuba dhe Nikaragua i kanë bërë oferta Gaddafit paraprakisht.

Besueshmëria e perëndimit në pikëpyetje

Gazetari në profesion të lirë Beat Stauffer shikon në këto spekulime në media më shumë një strategji të SHBA-së. "Spekulimet për vende të mundshme ekzili për Gaddafin dhe anëtarët e familjes së tij, janë sipas mendimit tim të ofruara nga Shtetet e Bashkuara, me qëllim që Gaddafi të vihet në një farë mënyre nën presion."

Në rast se perëndimi ia del të gjejë një vend ekzili për Gaddafin, që e mbron atë nga një procedim gjyqësor në Gjykatën Ndërkombëtare, atëherë vihet në pikëpyetje besueshmëria e perëndimit. Vetë perëndimi prej vitesh flet për ndjekje penale për personat që akuzohen për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Autor: Lina Hoffmann/Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM