1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ku ndodhen forcat ruse dhe cili është potenciali i tyre?

Marshimi i trupave ruse dhe pushtim i Ukrainës lindore, ky është skenari, nga i cili kanë frikë shumë ukrainas dhe që do ta vinte NATO-n, SHBA-në dhe BE-në para sfidave më të mëdha. Por ekspertët janë të qetë.

Është një gjest i qartë kërcënues. Sipas informacioneve të NATO-s Rusia ka grumbulluar deri në 40.000 ushtarë në kufirin me Ukrainën. Në më shumë se 100 pika janë stacionuar tanke, helikopterë, artileri, forca speciale, avionë luftarakë dhe njësi të logjistikës. Ata ndodhen atje prej disa javësh, disa nga njësitë janë vetëm 40 kilometra larg nga kufiri ukrainas. Këtë gjendje paraqiti drejtori i Qendrës për menaxhimin e krizave në selinë ushtarake të NATO-s, gjeneral brigade Gary Deakin, në mes të prillit.

Çfarë ka ndërmend presidenti rus Vladimir Putin? Këtë pyetje e bëjnë ushtarakët, politikanët dhe shumë ekspertë. Në deklaratën e Putinit se ai nuk do të dërgojë trupa në lindje të Ukrainës, nuk mund të bazohesh, shkruan gazetari Alexander Golz në "Moscow Times", kritike ndaj qeverisë. Për pushtimin e territoreve të mëdha ushtria ruse nuk ishte e përgatitur, për shkak se ndodhet në mes të një procesi reformues.

Ushtria ruse e reduktuar

Sepse Rusia e ka reduktuar ushtrinë e saj, ndër të tjera për shkak të rënies së numrit të popullsisë. Dhjetëra mijëra oficerë janë pushuar, qindra njësi "jo të gatshme për luftim" janë mbyllur, thotë Golz. Deri në reformim Rusia ka ndjekur konceptin e sasisë mbi cilësinë, mobilizimin masiv me disa milionë rezervistë. Tani qeveria kthehet te trupat e ndërhyrjes së shpejtë. Në këto njësi, thotë Golz, shërben shumica e 50. 000 ushtarëve me kontratë, që angazojnë forcat e armatosura në vit. Se sa mirë funksionon me ndërhyrjen e shpejtë, e ka treguar kriza në Krime.

Ushtar prorus në Ukrainë

Ushtar prorus në Ukrainë

Por një pushtim dhe okupim i vazhdueshëm i rajoneve të mëdha, si Donesku, Kharkivi dhe Luhansku në Ukrainën lindore do ta vinte ushtrinë para sfidave të mëdha. 100.000 trupa do të nevojiteshin të paktën për të siguruar zonën, një e teta e të gjithë ushtrisë, thotë Golz. Fuqia pushtuese duhet praktikisht të ngrejë një kufi me pika kontrolli në të gjitha rrugët e mëdha.

Edhe Kristian Pester nga fondacioni Shkenca dhe Politika (SWO) sheh në një rast të tillë, "rrezikun e shtrirjes së tepërt." Për shkak se kërkon shumë më tepër forca dhe është shumë më e vështirë për të ruajtur kontrollin mbi një territor të pushtuar në afat të gjatë, se sa për të kryer një sulm të suksesshëm, thotë eksperti në "Fokus online". Por për një sulm të shpejtë ushtria ruse është gjithsesi e aftë. Të paktën njesitë në kufi me Ukrainën konsiderohen të pajisura mirë me tanke moderne, aeroplanë luftarakë dhe raketa me rreze të shkurtër.

Putin tregon muskujt

Ndryshe ushtria ukrainase. Ajo ka 200.000 ushtarë, jo të gjithë janë besnikë të qeverisë në Kiev dhe pajisjet e tyre janë mizerabël. Ato përbëhen kryesisht nga mbetjet e stoqeve të vjetra sovjetike, prej vitesh armët dhe pajisjet nuk janë rinovuar. "Ushtria ukrainase është plaçkitur për 20 vjet nga oligarkët ukrainas dhe nga anëtarët e shërbimit shtetëror të Ukrainës", tha së fundmi eksperti i Evropës Lindore, Ewald Bohlke, i qendrës Berthold Beitz në Berlin, në një intervistë me Deutsche Wellen. "Kështu që ajo është në një gjendje të tmerrshme dhe e demoralizuar krejtësisht."

Ushtria ukranase ka paisje të vjetëruara

Ushtria ukranase ka paisje të vjetëruara

Si pasojë "operacioni anti-terror" i qeverisë ukrainase kundër separatistëve prorusë në Slovjansk qe i pasuksesshëm, megjthëse presidenti i përkohshëm Alexander Turçinov dërgoi deri në 11.000 ushtarë.

Putin atëherë tregoi muskujt. Ai u përgjigj me një manovër pranë kufirit. Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu njoftoi për stërvitje ushtarake të forcave tokësore në jug dhe perëndim, si dhe të njësive të Forcave Ajrore, që patrullojnë kufirin. Që në fund të shkurtit Rusia zhvilloi një manovër në rajonin kufitar për të "kontrolluar gatishmërinë në situata krize, dhe si kërcënim ushtarak."

Por edhe Perëndimi përforcon praninë e tij ushtarake. SHBA stacionuan në javën e kaluar 150 ushtarë në Svidvin të Polonisë. Përveç kësaj ata duan të dërgojnë së shpejti 450 ushtarë në republikat baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Stacionimi e trupave është arritur në marrëveshje "bilaterale" me qeveritë përkatëse, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, John Kirby. Nuk janë vendime të NATO-s.