1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ku kanë mbetur policët serbë?

Ligji për policinë e Kosovës parashikon krijimin e nënstacioneve të policisë, në mënyrë që policia të jetë sa më afër qytetarit. Por kjo nuk po ndodh në vendbanimet serbe dhe fshatrat e përziera.

Policë serbë

Qindra policë serbë të Kosovës kanë zhveshur uniformat e policisë, me urdhër të Beogradit. Ata nuk pranojnë që të marrin urdhëra nga qendra e policisë së Kosovës në Prishtinë.

Krijimi i nënstacioneve të policisë është paraparë nga pako e Marti Ahtisarit, dhe përfshirë në planin gjashtë pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Kërkesa është që në vendbanimet serbe të ngrihen nënstacione të veçanta policie. Përbërja e policisë aty duhet të jetë shumëtnike, sepse kjo do të ndihmonte çtensionimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe luftën kundër krimit.

Në Kosovë deri tani janë themeluar 22 nënstacione policie, disa prej të cilave vetëm në veri të Kosovës, banuar me shumicë serbe. Fahredin Vërbovci, udhëheq procesin e krijimit të nënstacioneve të policisë në nivel të Kosovës. “Kemi ngritur një nënstacion policie në fshatin Lipë, i cili funksionon në kuadër të komunës së Zvecanit, e banuar nga shumicë serbe. Kemi ngritur edhe një në fshatin Suriganë, që gjendet në qendër të Kosovës, por në thellësi lidhet me veriun. Kemi ngritur nënstacione dhe, siç i quajmë ne edhe policë fshati në Koshtovë, Bistricë dhe Rajë që gjenden në komunën e Leposaviqit. Po ashtu në fshatin Cabër, në komunën e Zubin Potokut,” thotë koloneli Vërbovci.

Koloneli Vërbovci, shton se këto nënstacione policie janë funksionale. Ai tregon për një nënstacion olicie në një fshat të përzier, ku jetojnë serbë dhe shqiptarë dhe ku bashkëpunimi sipas tij është shumë i mirë. “Marr shembull rastin e nënstacionit Suriganë, ku para pak ditësh ishim në një takim me policë shqiptarë dhe serbë dhe përfaqësues të komuniteteve shqiptare dhe serbe. Në atë takim u diskutua çështja e sigurisë. Mund të them se ky takim ishte një shembull i mirë i bashkëpunimit të komuniteteve dhe policisë. Për ne si polici e Kosovës, ishte për tu vlerësuar fakti, se në këtë fshat nuk është shënuar asnjë incident ndëretnik dhe liria e lëvizjes ishte në nivelin e duhur,” thotë koloneli Vërbovci.

Krijimi i nënstacioneve të policisë, sidomos në vendbanimet serbe dhe në fshtarat e përziera shihet si i domosdoshëm. Mirëpo, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës ndihet mungesa e policëve serbë, si në stacionet e mëdha të policisë ashtu edhe në nënstacione. Qindra policë serbë të Kosovës kanë zhveshur uniformat e policisë, me urdhër të Beogradit. Ata nuk pranojnë që të marrin urdhëra nga qendra e policisë së Kosovës në Prishtinë. Policët serbë pranojnë të marrin urdhëra vetëm nga policia ndërkombëtare, në bazë të rezolutës 1244 të KS-it, mirëpo këtë nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës. Problemi me policët serbë ishte paraparë të zgjidhet nëpërmes një dialogu të drejpërdejtë Prishtinë-Beograd, i ndihmuar nga UNMIK-u, mirëpo kjo akoma nuk ka ndodhur. Sepse që të dy qendrat, nuk po arrijnë të dakordohen për formatin e bisedave. Prishtina kërkon, që këto biseda të zhvillohen në cilësinë e dy vendeve fqinjë kërkesë kjo, që nuk pranohet nga Beogradi. Prandaj çështja e një pjese të madhe të policëve serbë ka mbetur pezull për muaj të tërë. Mirëpo, tani sipas qeverisë së Kosovës edhe kësaj çështjeje po i vjen fundi. Ministria e Brendshme u ka dhënë afat policëve serbë të Kosovës, deri me 30 qeshor që të kthehen në punë, nëse dëshirojnë. Në të kundërtën atyre do tu ndërpriten kontratat e punës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi : Aida Cama




  • Data 23.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HcfR
  • Data 23.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HcfR