1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ku do të varroset ish-nazisti Priebke?

Deri në fund, nazisti i dënuar për krime lufte, Erich Priebke nuk tregoi pendim. Tani njerëzit në Romë kundërshtojnë që ai të varroset atje. Ata kërkojnë që trupi i tij të përcillet në Gjermani.

Pas vdekjes së kriminelit nazist të luftës, Erich Priebke në Itali është shtuar kundërshtimi për mbajtjen e një ceremonie të përmortshme si dhe varrimit në vendin e tij. Kryetari i bashkësisë hebreje në Romë, Riccardo Pacifici propozoi të dielën që trupi i tij të përcillet në Romë. Atje Priebke të varroset në vendlindjen e tij, Hennigsdorf, në Brandenburg. Këtë Pacifici ia tha agjencisë gjermane të lajmeve, dpa. Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme gjermane bëri të ditur se deri tani nuk ka për këtë ndonjë kërkesë zyrtare nga Italia.

Ish-oficeri SS Priebke vdiq në Romë në moshën 100 vjeçare. Argjentina, vendi ku Priebke jetoi për një kohë të gjatë refuzoi që ai të varroset në Bariloche, ku pati jetuar.

Nëse të afërmit e Priebkes do të kërkojnë që ai të varroset në Brandenburg, sipas ekspertëve kjo nuk mund të pengohet. "Në Evropë secili ka të drejtë të ketë një varr - pavarësisht nga krimet që ka kryer ai", i tha dpa-së drejtori i Fondacionit të Qendrave Përkujtimore të Brandenburgut, Günter Morsch. Për këtë vendos dëshira e të afërmve."

Avokati i Priebkes, Paolo Giachini tha të shtunën se për ish-mandantin e tij do të mbahet një ceremoni të martën, në një kishë në qendër të Romës. Pas kësaj, mandanti i tij do të varroset në Romë."

Pas kësaj, shefi i policisë së Romës, Fulvio della Rocca tha se ai do të ndalojë çdo formë të ndonjë ceremonie publike dhe solemne. Agjencia italiane e lajmeve Ansa, citoi dioqezën e Romës, sipas së cilës nuk ka plane për ndonjë ceremoni mortore në ndonjë kishë të Romës.

Kryetari i Bashkisë së Romës, Ignazi Marino e përjashtoi një ceremoni publike "për dikë, që i ka shkaktuar kaq shumë dhimbje këtij qyteti". Marino tha se do të shqyrtojë nëse mund ta ndalojë me ligj një varrim në Romë. Anëtarë të bashkësisë hebreje në Romë druhen se varri i Priebkes do të shndërrohet në vend pelegrinazhi për neonazistët.

Prieble jetonte nën arrest shtëpiak në Romë. Në mars të vitit 1944 ai mori pjesë në pushkatimin e 335 civilëve në afërsi të Romës. Ekzekutimet qenë ndër krimet më të rënda naziste të Luftës së Dytë Botërore në Itali. Ndër viktimat, 75 qenë hebrenj.

Pasi kreu burgun si i burgosur lufte, Priebke udhëtoi me pasaportë false në Argjentinë. Prej atje atë e ekstraduan në vitin 1995. Për pjesëmarrjen e tij në masakër, në vitin 1998 atë e dënuan me burgim të përjetshëm. Për shkak të moshës së thyer, ky dënim u shndërrua në arrest shtëpiak.