1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kthimi i pasurive të Kosovës nga republikat e ish-Jugosllavisë

Kosova në kuadër të dialogut teknik me Serbinë do të kërkojë edhe kthimin e pronave të ndërmarjeve shoqërore të Kosovës, që gjenden në Serbi. Më shumë asete Kosova ka në Serbi dhe Mal të Zi.

Kosova

Në Republikat e ish-Jugosllavisë, Kosova ka një numër të madh asetesh të ndërmarrjeve shoqërore. Qeveria synon pronësinë e këtyre aseteve, sepse, sipas përfaqësuesve të qeverisë, këto asete përshkruhen si prona të Kosovës edhe në planin e Marti Ahtisarit, mbi bazën e të cilit Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008. Më së shumti prona të ndërmarrjeve kosovare ka në Serbi, Mal të Zi, ndërsa, një pjesë e tyre gjenden e në Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci, Maqedoni dhe Slloveni.

Për të evidentuar asetet e ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që gjenden republikat e ish Jugosllavisë, qeveria ka angazhuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Ylli Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci, thotë:

“Të dhënat që ka Agjencia Kosovare e privatizmit flasin për 55 ndërmarrje shoqërore, më shumë se 155 asete të shpërndara në republikat e ndryshme të ish Jugosllavisë. Agjencia deri tash ka pasur vështirësi të qaset në këto prona të Kosovës pasi ka pasur raste të uzurpimit të këtyre pronave nga persona të ndryshëm. Probleme më të theksuara ka pasur sidomos me Republikën e Serbisë dhe Malit të Zi. Zyrtarët e agjencionit kanë pasur disa takime me zyrtarë të Malit të Zi dhe ka pasur një qasje pozitive nga udhëheqësit e kësaj repubike për t'i zgjidhur këto çështje, për t'i evidentuar pronat dhe për t'i gjetur mënyrat më të përshtatshme se si këto asete të kthehen te pronari i vërtetë, Repubika e Kosovës.

Në këtë çështje është përfshirë edhe ministria e jashtme e qeverisë së Kosovës. Kjo ministri tashmë ka themeluar një komision që do të grumbullojë të dhëna edhe mbi pjesëmarrjen e Kosovës në fondin e atëhershëm federal të ish-Jugosllavisë, thotë për DW, Agron Maloku, drejtor i departamentit të jashtëm për çështje ekonomike, në ministrinë e jashtme të Kosovës.

“Kjo bazohet në sistemin ekonomik të Kosovës, e cila në të kaluarën sidomos nga viti 1974 ka pasur sistemin e saj ekonomik, që ka kontribuar në fondim federal të ish-Jugosllavisë, me një pjesmarrje prej 2% në GDP-në e federatës. Kjo do të thotë se përveç pronave, Kosova duhet të pretendojë edhe për pjesën e vet nga fondi federativ, e cila në renditje të ish-republikave është ndodhur para Malit të Zi dhe pas Maqedonisë. Ky kontribut i Kosovës ka shërbyer për ngritjen e ambasadave, misioneve diplomatike, ushtrinë jugosllave dhe në shumë projekte të cilat kanë qenë kompetencë e federatës."

Aktualisht, komisioni i qeverisë së Kosovës, i cili synon kthimin e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore kosovare, që gjenden jashtë territorit të saj, bisedat e para do t'i ketë me Republikën e Serbisë dhe atë të Malit të Zi. Sipas përfaqësuesve të qeverisë së Kosovës, autoritetet malezeze janë shprehur të hapura për ta diskutuar këtë çështje. Ndërsa, sa i përket Repubikës së Serbisë, çështja e kthimit të aseteve të Kosovës që gjenden në këtë vend, do të jenë pjesë e dialogut teknik tashmë të filluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Autor: Bekim Shehu / Prishtinë

Redaktoi: E. Xhani