1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kthim drejt populizmit dhe nacionalizmit në Rumani

Pa u vënë re jashtë vendit në fushën e kulturës në Rumani po ndodh një proces, ku çka është moderne cilësohet si "jorumune". Në fokus në të ardhmen duhet të jenë përsëri kombi dhe tradita.

Andrei Marga ka kryer shumë detyra në jetën e tij: para vitit 1989 ai ishte një zyrtar i Unionit të Studentëve Komunist të Rumanisë dhe profesor i filozofisë, pas vitit 1989 rektor i një Universiteti dhe më vonë ministër i Arsimit dhe ministër i Jashtëm i Rumanisë. Në shtator të vitit 2012, ai u emërua shef i Institutit Kulturor të Rumanisë ICR, institucioni më i rëndësishëm shtetëror kulturor në vend.

Në foto, Andrei Marga

Në foto, Andrei Marga

Ende pa filluar punën mirë në zyrë, 66 vjeçari Marga prezantoi në një televizion privat të Bukureshtit, Realiteta TV, mënyrën se si ai e percepton politikën kulturore rumune. "Ne kemi përsëri nevojë për një koncept të natyrshëm të kulturës", tha ai dhe u angazhua që arritjet e rëndësishme që kanë origjinën e tyre në Rumani të bëhën të njohura në botë: "Sa njerëz e dinë se speleologjia është krijuar në Rumani apo që radiatorët janë një shpikje e Transilvanisë?"

Kthim tek kultura kombëtare

Që atëherë, në shumë media rumune, shefi i ICR-së shpotitet si një përfaqësues tregtar për sistemet e ngrohjes. Por Marga vazhdon i patrembur më tej: Në një dokument parimor mbi politikën kulturore të ICR ai thotë se ka mbaruar "qasja eksperimentale" e ICR-së. Nën udhëheqjen e tij, thotë Marga, do të zënë vendin e duhur sërish "veprat e njohura të kulturës kombëtare."

Ajo çfarë ka formuluar Marga është gjithashtu edhe udhëzues ideologjik i Aleancës tripartiake "Bashkimi Socialliberal" (USL), i cili me dy të tretat e shumicës qeveris në Rumani që nga dhjetori i vitit të kaluar: larg nga gjithçka që është "jorumune" - kthim te kombi dhe tradita. Brenda USL-së, është kryesisht Partia Kombëtare Liberale (PNL), të cilës i takon edhe Andrei Marga, ajo që ka një retorikë agresive nacionaliste dhe anti-evropiane. Por edhe kryeministri Viktor Ponta, i cili njëkohësisht është dhe kryetar i "Partisë Social Demokratike" (PSD) dhe jashtë vendit shpesh paraqitet si një evropian kozmopolit, brenda vendit shpesh flet kundër "politikës koloniale të Brukselit" dhe thërret popullin e tij për më shumë "dinjitet rumun".

Rizbulimi i entit të kulturës komuniste

Në vitet e fundit, sidomos Instituti kulturor rumun ishte një institucion shembull që përfaqësonte në mënyrë të "denjë" Rumaninë jashtë shtetit si asnjë institucion tjetër. Drejtuesi shumëvjeçar i ICR-së, filozofi Horia-Roman Patapievici, pas dekadash të izolimit udhëhoqi një politikë të hapjes dhe mbajti larg institutin nga ndikimi i qeverisë.

Në foto (djathtas) Horia Roman Patapievici

Në foto (djathtas) Horia Roman Patapievici

Në vazhdën e luftës për pushtet politik në Rumani vitin e kaluar, qeveria Ponta me një dekret e futi institutin nën kontroll të parlamentit. Ndërkohë që Patapievici dha dorëheqjen në shenjë proteste në gusht të vitit 2012, media pro-qeveritare udhëhoqi një fushatë disamujore diskreditimi kundër tij duke etiketuar atë si një "plëngprishës" dhe "mashtrues".

Andrei Marga, ndërkohë, ka vazhduar t'i përmbushë shumë nga njoftimet e tij në dokumentin praimor të politikave të ICR-së: stafi i vjetër ICR-së është zëvendësuar dhe u janë hequr fondet projekteve dhe festivaleve të njohura kulturore. Për dallim si të rëndësishme për tu mbështetur Marga i ka personalitetet kulturore ish-komuniste si shkrimtarin Dumitru Radu Popescu i cili në kohën e diktaturës së Çausheskut ka qenë anëtar i Komitetit Qendror dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve.

Vlera të harruara

Për shkak të kësaj politike, kohët e fundit ndodhi një skandal: disa intelektualë të njohur si shkrimtari Mirçea Cărtărescu, eseisti Andrei Plesu dhe historiani Neagu Djuvara refuzuan në shenjë proteste kundër fund politikës të ICR-së për të marrë pjesë në panairin më të madh francez të librit, Pariser Salon du livre, i cili në mars të këtij viti kishte në qendër të vëmendjes Rumaninë.

"Shumica qeveritare e USL-së e ka shkatërruar ICR-në me një përzierje të populizmit, nacionalizmit, paaftësisë, klientelizmit dhe budallallëkut", thotë sot ish-udhëheqësi i ICR-së, Horia-Roman Patapievici." Nën drejtimin e Margës ICR është shndërruar në një autoritet i cili e përcakton çfarë është kombëtare në kulturën rumune bashkëkohore dhe çfarë jo."