1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kthesa e Erdoganit - Zjarri në Ludvigshafen dhe marrëdhëniet gjermano-turke

Kancelarja Angela Merkel të premten (8.2.) priti në Berlin kryeministrin turk Rexhep Taip Erdogan. Ishte një takim, gjatë të cilit Erdogan tregoi edhe një herë, se është një politikan që kalkulon pa emocione.

default

Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan në Berlin më 8 shkurt 2008

Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan është i talentuar për surpriza. Pas katastrofës së zjarrit të djelën e kaluar në Ludvigshafen (ku humbën jetën nëntë qytetarë turq) ai u prezantua në anën më pozitive të tij si paqësor dhe miqësor duke hequr dorë prej toneve të ashpra, që kishin përdorur më parë ndaj Gjermanisë mediet turke. Në vend të kësaj ai demonstroi jo vetëm aftësinë e tij për ta kthyer situatën, por edhe u ushtroi fjalorin e një burri shteti. Nuk ka asnjë dyshim, që moti i kthjellët në marrëdhëniet gjermano-turke në vend të stuhisë që parashikohej mes Ankarasë dhe Berlinit është meritë e kthesës 180 gradëshe të Erdoganit.
Kancelarja Angela Merkel tani për tani mund të jetë e qetë. Ajo përmes heshtjes diplomatike ndaj ngjarjes në Ludvigshafen i mbajti hapur të gjitha opcionet, për të pritur një herë qëndrimin e Erdoganit dhe për të reaguar konform.  Merkeli e dinte, se ambicjet e mëtejshme të Ankarasë drejt BE-së mund të shkojnë kot pa mbështetjen e Berlinit. Që procesi i afrimit të Turqisë në BE nuk do të jetë i lehtë, aq më tepër kur Franca të marrë presidencën e radhës të BE-së këtë verë, kjo kuptohet nisur nga politika ndaj Turqisë që ndjek presidenti Nicolas Sarkozy.
Erdogan e ka parashikuar rezikun e një bashkimi mes Parisit dhe Belrinit kundër Turqisë.  Ndaj si një takticien i mençur ai vendosi për opcionin më të mirë në dobi të vendit të tij, pra për arësyen. Ndërsa në Truqi ai paralajmëroi nga reziku i përsëritjes së rastit të zjarrvënies përpara 15 vjetësh nga neonazistët kundër shtetasve turq në Solingen, me pasojë pesë të vdekur,  kësaj radhe përkrah kancelares Merkel ai tha, se ekstremistë ka në çdo vend.
Erdogani u bëri thirrje për qëndrim konstruktiv medieve, ndër të cilat kryesisht ato turke pas ngjarjes në Ludvigshafen intensifikuan tonet e frikës dhe të indinjatës së turqve në Gjermani duke i hedhur zjarr benzinës. Sipas tij raportimet cytëse dhe të nxituara pa pritur rezultatet e hetimeve dhe pa të dhëna konkrete i vënë në pozitë të vështirë qeveritë.
Gjermania mbetet partnerja numër një e Turqisë sa i përket tregtisë me jashte me një volum të përbashkët tregtar prej 22 miliardë eurosh vitin e kaluar. Për Ankaranë marrëdhëniet e mira janë të rëndësishme edhe për ekonominë.  Më shumë se 2000 firma gjermane janë aktive në Turqi dhe mbi 60 000 ndërmarrje të turqve në Gjermani janë fakte, që nuk duhet të sakrifikohen për shkak të populizmit të politikanëve dhe të medieve. 
E njëjta gjë vlen edhe për partitë dhe politikanët gjermanë, të cilët shumë shpejt preferojnë ta përdorin nëpër fushata elektorale si problematike temën e integrimit të emigrantëve, duke dashur të bëjnë për vete elektoratin. Shembull është rasti i landit të Hesenit, që tregoi se tema e të huajve mund edhe të të hajë kokën, partia kristiandemokrate e pësoi me humbje të mëdha në zgjedhje.
Për integrimin Erdogani gjeti fjalë shumë inkurajuese.  Megjithatë me Po-në e tij për integrimin dhe njëkohësisht me Jo-në ndaj asimilimit  mbetet e hapur çështja, se çfarë kupton Erdogani me integrim dhe me asimilim? Njëzëri Merkel dhe Erdogan siguruan, se do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të mbështetur integrimin e turqve në Gjermani. Tani për tani mbetet e paqartë, nëse Merkeli është dakord me ofertën e Erdoganit për të sjellë mësues të turqishtes në Gjermani, në mënyrë që fëmijët e emigrantëve të mësojnë gjuhën e nënës si një bazë e mirë për të mësuar edhe gjuhën gjermane. Sidoqoftë integrimi nuk është rrugë me sens unik do të mbetet edhe detyrë e qeverisë gjermane, që ta bindë popullsinë gjermane shumicë për avantazhet e bashkëjetesës së çlirët mes kulturave dhe feve.
  • Data 08.02.2008
  • Autor Güngör, Baha (DW Türkisch)
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/D4kE
  • Data 08.02.2008
  • Autor Güngör, Baha (DW Türkisch)
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/D4kE