1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kthesë në politikën e jashtme

Me udhëtimin jashtë vendit kandidati për president në SHBA do të dëshmojë kompetencën e vet në politikën e jashtme. Por ai viziton vetëm tre vende dhe deri tani vetëm sa po ushtron retorikën.

Sa i përket politikës së jashtme sfidanti Mitt Romney e ka të vështirë. Sepse presidenti Barack Obama ka se çfarë të dëshmojë në këtë drejtim: Nën presidencën e tij u vra top-terroristi Osama bin Laden, trupat nga Iraku janë tërhequr dhe është përcaktuar fundi i angazhimit luftarak në Afganistan. Ndonëse prestigji i SHBA-së në botën arabe lë ende për të dëshiruar, marrëdhëniet e SHBA-së me shumë shtete, në radhë të parë në Europë, nën drejtimin e Obama-s janë shumë më të mira në krahasim me paraardhësin e tij George W. Bush.

E megjithatë me lëvdata për kundërshtarin politik nuk mund të bëhet lufta elektorale, ndaj Mitt Romney, i cili në gusht do të emërohet zyrtarisht si kandidati për president i republikanëve, ndjek kursin e konfrontimit. Pikërisht para udhëtimit të tij njëjavor jashtë vendit, duke nisur në Britaninë e Madhe, në Izrael dhe në Poloni, Romney në një fjalim para asamblesë së veteranëve të luftës paraqiti idetë e tij për politikën e jashtme.

Romney do një "shekull amerikan"

Mesazhi kryesor i Romney-t lidhur me presidentin aktual Obama: "Ky president e ka dobësuar aftësinë drejtuese amerikane." Obama, sipas Romney-t, i ka vlerësuar gabimisht rusët, aleatët, Poloninë dhe Çekinë i la në baltë, kur ato u shprehën të gatshme të pranojnë instalimin e sistemit të mbrojtjes nga raketat në territorin e tyre dhe nuk ka arritur ta minimizojë rrezikun nga përpjekjet e Iranit për konstruktimin e armëve bërthamore. Ai nuk i është kundërvënë me vendosmëri politikës jo korrekte të Kinës për eksporte, ekonominë dhe financat si dhe e ka indinjuar Izraelin.

Çfarë do të bëjë një president si Romney ndryshe? Së pari republikani deklaroi: "Unë besoj pa asnjë mëdyshje tek madhështia e këtij vendi. Mua nuk më vjen zor prej pushtetit të Amerikës." Pikëpamjet e tij për politikën e jashtme, të publikuara për këdo në faqen e internetit të fushatës së tij elektorale mbajnë titullin "Një shekull amerikan".

Përmirësimi i marrëdhënieve me Izraelin

Romney ishte i përmbajtur duke mos dhënë detaje. Por që p.sh. konflikti i Lindjes së Mesme nuk është i lehtë të zgjidhet, këtë e di edhe ai. Megjithatë republikani do që t'i përmirësojë marrëdhëniet e tensionuara me Izraelin gjatë presidencës Obama. Ndaj ai do të vizitojë Izraelin menjëherë pas Londrës, ku do të jetë i pranishëm në hapjen e Lojërave Olimpike.

Mitt Romney kritikoi edhe që Obama ka nisur t'i tërheqë ushtarët e SHBA-së nga Afganistani gjatë verës, pra pikërisht në kohën kryesore të luftimeve. Ai e akuzoi presidentin se motivi për këtë është thjeshtë një kalkulim politik. Por Romney njëkohësisht deklaroi, se ai do të kujdeset, që ashtu siç është planifikuar në fund të 2014 përgjegjësia do t'u kalohet ushtarëve afganë.

Ndihma financiare për Egjiptin e kushtëzuar

Romney premtoi, se do t'i ndalë "hilet e Kinës" lidhur me të drejtat e patentave dhe të copyright-it, manipulimet monetare dhe subvencionet tregtare, por ai e la të hapur se në ç'mënyrë do ta bëjë këtë. Në Lindjen e Mesme ai do të angazhohet për shtetin ligjor, për një politikë të lirë ekonomike, për të drejtat e njeriut dhe kundër përhapjes së "influencës iraniane, apo xhihadiste". Në Egjipt ndhmën financiare të SHBA-së ai do ta kushtëzojë me zhvillimin "e lirë dhe modern" të shoqërisë. "Si president", tha Romney, "unë jo vetëm që do të kujdesem, që miliardat, që paguajmë ne për Egjiptin, të orientohen në këtë drejtim, por edhe që shtetet partnere të vendosin të njëjtat kushte."

Lidhur me grindjen atomike me Iranin Romney deklaroi: "Duhet ndërprerë procesi i pasurimit të uraniumit." Në bisedimet aktuale ndërkombëtare ka mendime, që Iranit t'i lejohet pasurimi i uraniumit deri në një farë përqindjeje. Për Romney-n kjo nuk është e pranueshme, deklaroi këshilltari i tij për politikën e mbrojtjes dhe të jashtme, Rich Williamson, gjatë një veprimtarie në Institutin Brookings në Uashington. Pyetjes, nëse republikani do të udhëzojë një ndërhyrje ushtarake kundër Iranit, Williamson iu përgjigj duke devijuar: "Ai do të krijojë një skenar të besueshëm kërcënimi dhe do të lerë çdo opcion të hapur." Por të njëjtën gjë ka bërë deri tani edhe qeveria Obama.

Armë për opozitën siriane

Në Siri, sipas Williamson, i cili ka mbuluar poste qeveritare edhe nën presidencën Regan, Bushin atë dhe Bushin bir, një president Romney do të punonte më intensivisht se qeveria Obama me opozitën: "Ai do të ishte i gatshëm, t'i armatoste forcat e moderuara në radhët e opozitës siriane." Por Romney është kundër sigurimit përmes zonave të ndalim-fluturimit, apo sigurimit të territoreve të tërheqjes nga ushtarët amerikanë.

Çfarë do të bënte një president Romney ndryshe ndaj Rusisë? "Para së gjithash, do të thoshte të vërtetën. Rusët, që luftojnë për të drejtat e njeriut, e meritojnë", deklaroi Williamson duke kujtuar, se presidenti Ronald Reagan e quante Bashkimin Sovjetik "perandoria e së keqes".

Dhe Evropa?

Interesant është që Mitt Romney nuk e përmendi me asnjë fjalë Evropën në fjalimin e tij dhe që në planet e tij për "shekullin amerikan" kanë nga një rubrikë të veçantë, ndër të tjera Kina, Izraeli dhe Amerika Latine, por jo Evropa. Kësisoj Rich Williamson nxitoi të deklarojë, se Mitt Romney e konsideron Evropën si partneren më të rëndësishme.

Megjithatë deri tani ai është shprehur me shqetësim, "që në misionin e Libisë fuqia më e madhe ekonomike e Evropës, Gjermania në thelb ishte jashtë loje". Republikani kësisoj i ka përcaktuar "tensionet brenda NATO-s".

Romney është treguar i ftohtë kundrejt Berlinit, ndryshe nga Obama, i cili gjatë udhëtimeve jashtë vendit ka vizituar krahas Kuvajtit, Irakut, Afganistanit, Izraelit, Francës e Britanisë së Madhe, edhe Gjermaninë. Por ai edhe do ta kishte pasur të vështirë kundrejt imazheve të asaj kohe, kur më shumë se 200.000 berlinezë e brohorisnin Obama-n përreth Kolonës së Fitores sikur të ishte një yll rock'n roll-i.