1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kthesë e papritur pro Europës? Antieuropianët pësojnë humbje në Holandë

Në zgjedhjet europiane që nisën të enjten në Holandë dhe Britaninë e Madhe, antieuropianët nuk morën rezultatin e pritshëm. Partia e Lirisë e Wilders pranon rezultatin. Ndërsa në Britaninë e Madhe pritet fitorja e UKIP .

Geert Wilders

Geert Wilders

Zgjedhjet europiane startuan të enjten (22.05.2014) në Holandë dhe Britaninë e Madhe (22.05) me votimet për kandidatët për deputetë të Parlamentit Europian. Rezultatet e votimit të sollën surprizën e parë. Sipas përllogaritjeve paszgjedhore Partia e Lirisë, (PVV) e populistit Geert Wilders, megjithë shanset që i jepeshin për t'u bërë një forcë gati e barabartë me Partinë Liberale, është renditur në vendin e katërt. Në sondazhet parazgjedhore, partia që bënte fushatë me parulla antiislamike dhe antieuropiane kryesonte tabelat, ndërkohë rezultati i votimit të së enjtes krahasuar me zgjedhjet e kaluara mund të quhet dështim për antieuropianët.

Wilders pranon dështimin

Partia e Lirisë ka humbur 5% të votuesve dhe me rreth 12% të votave është renditur pas partive proeuropiane të kampit tjetër, njofton televizioni holandez, një fitore kjo për këto parti. Fituese e zgjedhjeve europiane në Holandë është Partia Liberale e majtë, D66 me 15,6%, duke dalë kështu me një rezultat më të mirë se kristdemokratët me 15,2%. Ndërsa Partia liberale e djathtë e kryeministrit Mark Rutte shënoi fitore të lehtë, me 12,3% të votave duke u renditur forca e tretë.

Themeluesi i Partisë së Lirisë, Wilders ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe është shprehur se prognozat janë "zhgënjyese". Kjo parti ka pësuar një rënie jo të pritshme. "Kemi luftuar si luanët", tha kreu i kësaj partie antieuropiane, i cili doli para votuesve me shumë orë vonesë pas publikimit të rezultateve të para. Sipas tij humbja në këto zgjedhje lidhet me pjesëmarrjen e pakët të votuesve, me 37%. "65% e votuesve tanë kanë qëndruar në shtëpi", tha Geert Wilders.

David Cameron dhe bashkëshortja largohen të enjten pas votimit (22.05)

David Cameron dhe bashkëshortja largohen të enjten pas votimit (22.05)

UKIP fiton në zgjedhjet lokale britanike, e pritshme fitorja e saj për zgjedhjet europiane

Ndërkohë votimet europiane u zhvilluan paralelisht me zgjedhjet lokale në Britaninë e Madhe, ku sipas rezultateve të para partia antieuropiane, UKIP ka fituar në shumë komuna britanike. Sipas analistëve pritet një fitore e saj edhe në zgjedhjet europiane, rezultati i të cilave bëhet i ditur ditën e dielë. Kreu i partisë UKIP, Nigel Farage kishte bërë fushatë me parullën e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian dhe kufizimin e imigrimit. Fitorja e UKIP vendos nën presion edhe më të madh kryeministrin, David Cameron dhe partinë konservatore britanike. "UKIP është partia në ngjitje e sipër", është shprehur politologja Jane Green nga Universiteti i Mançesterit. Rezultatet zyrtare për zgjedhjet europiane priten të publikohen të dielën vonë.