1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

KS i OKB-së për Kosovën - debate të ashpra, "shokime" dhe replika

KS i OKB-së debatoi në Nju-Jork raportin e fundit tremujor të Serkretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun për gjendjen në Kosovë. Gjatë debatit u shënuan përplasje serioze mes përfaqësuesve të Serbisë dhe Kosovës.

default

KS i OKB-së

"Gjendja në Kosovë është kryesisht e qetë, por ende ekzistojnë tensione në veri", theksoi shefi i misionit të OKB-së (UNMIK), Lamberto Zannier, i cili kërkoi nga Beogradi dhe Prishtina që të gjejnë mënyra të ndryshme për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale dhe ndërkombëtare. Sipas tij, Kosova mbetet një "pikë ndezëse", për shkak të raporteve të tendosura mes shqiptarëve dhe serbëve. Zannier kërkoi nga të dyja palët të jenë më konstruktive.

Lamberto Zannier Pressekonferenz

Lamberto Zannier

Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale të organizuara nga institucionet vendore ishte relativisht e vogël, por më e madhe se herët e tjera. Përparime të vogla janë shënuar edhe në krijimin e gjykatave multietnike në veri, por të dy palët duhet të jenë më konstruktive", theksoi Zannier.

Hyseni: "pavarësia e pakthyeshme"

Ministri i Jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni theksoi se "pavarësia është e pakthyeshme". Ai rikujtoi se Kosovën e kanë njohur deri tani 65 vende, ndërsa 25 prej tyre kanë vendosur me Prishtinën edhe raporte diplomatike. Kosova është bërë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe ka vazhduar krijimi i institucioneve të shtetit, sipas planit të Ahtisarit. Qeveria e Kosovës ka zgjidhur shumë probleme në ekonomi, drejtësi dhe siguri. Janë zhvilluar me sukses edhe zgjedhjet e para lokale, të organizuara nga institucionet vendore, ku morën pjesë 40 subjekte të minoriteteve - ndër to 22 serbe.

Kosovo Außenminister Skender Hyseni

Skender Hyseni

Gjendjen e sigurisë në Kosovë ministri Hyseni e quajti "stabile dhe të qëndrueshme". Problemi i vetëm mbetet pjesa veriore. Ndër prioritetet e qeverisë në Prishtinë ishte kthimi i të zhvendosurve, ku janë shënuar përparime, dhe përmirësimi i mëtejmë i kushteve të jetesës në zonat me shumicë serbe. Ministri i Jashtëm theksoi se Kosova ka besim të plotë tek Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, e cila duhet të japë mendimin për ligjshmërinë e pavarësisë.

"Kosova është e gatshme për bashkëpunim me Serbinë. Dialogu mund të zhvillohet për shumë çështje me interes të përbashkët, por vetëm në baza të barabarta si shtete sovrane", theksoi Hyseni, duke shtuar se Prishtina nuk pranon negociata të reja për statusin e Kosovës.

Kërkesat e tilla, sipas tij, vijnë prej atyre që nuk janë të njohur me gjendjen reale në rajon apo duan ta destabilizojnë gjendjen atje. Hyseni theksoi se edhe gjatë periudhës së fundit "ka vazhduar veprimi absolutisht i papranueshëm i Serbisë dhe mbështetja e strukturave paralele".

Tadiqi i "shokuar" dhe replika e Hysenit

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, u shpreh i "shokuar" me deklaratat e Hysenit se Prishtina nuk pranon negociata të reja për statusin, me shpjegimin se "këto qendrime kërcënojnë tërë rajonin". Tadiq tha se statusi i Kosovës ende nuk është zgjidhur. Ai falënderoi 127 vendet anëtare të OKB-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dhe në këtë mënyrë e "kanë mbrojtur drejtësinë

Unabhängigkeit Kosovo Serbiens Präsident Boris Tadic im UN Sicherheitsrat

Boris Tadiq

ndërkombëtare". Për zgjedhjet lokale në Kosovë, të cilat u cilësuan si shumë të suksesshme prej shumicës së vendeve anëtare të KS të OKB-së, Tadiqi tha se në to kanë marrë pjesë vetëm gjashtë për qind e serbëve.

Presidenti serb dënoi ashpër edhe paraqitjet e fundit të Presidentit të Kroacisë, Stjepan Mesiq, i cili ka deklaruar se vendi i tij do të përdorte ushtrinë, në qoftë se Republika Serpska shpall referendum për shkëputje nga Bosnje-Hercegovina.

Pas fjalimit të Tadiqit për replikë u paraqit ministri Hyseni, i cili rikujtoi se negociatat për statusin e Kosovës kanë zgjatur dy vjet e gjysmë dhe në fund kanë dështuar. "Serbia është ajo që po përpiqet të destabilizojë Kosovën dhe rajonin dhe do të ishte mirë që të pranonte realitetin e ri", tha Hyseni.


Shumica mbështet zhvillimet në Kosovë

Shumica e vendeve anëtare të KS të OKB-së vlerësuan se në Kosovë në tre muajt e fundit janë shënuar përparime. Ata përshëndetën organizimin e mirë të zgjedhjeve lokale dhe i bënë thirrje Prishtinës që të vazhdojë me përparimin e të drejtave të minoriteteve dhe kthimin e të zhvendosurve.

Përfaqësuesja amerikane Rosmary Dikarlo tha se "pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se Kosova po vazhdon rrugën e saj drejt integrimeve në BE dhe institucionet ndërkombëtare". Sipas saj, strukturat ilegale në veri ekzistojnë prej vitit 1999 dhe ato kërcënojnë sigurinë. Përfaqësuesit e Kinës dhe të Rusisë ishin ndër të paktët që pohuan se në Kosovë ende ka probleme të shumta. Përfaqësuesi rus tha se vendi i tij është dakord me pohimin e Presidentit serb Tadiq se plani i qeverisë kosovare për zgjidhjen e çështjes së veriut është i papranueshëm. Ndërsa ambasadori i Bosnje-Hercegovinës, Ivan Barbaliq, theksoi se siguria në Kosovë është çelësi i stabilitetit për tërë rajonin.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 23.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Lf09
  • Data 23.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Lf09