1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

KS i OKB: Gjendja më e mirë në Kosovë, por ende ka probleme serioze

Në KS të OKB u paraqit të hënën (10.02.) raporti tremujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Ban Ki Moon për Kosovën. Gjendja në tre muajt e fundit vlerësohet si pozitive, por me disa probleme serioze.

"Viti 2013 ishte një vit i përparimeve të mëdha politike në Kosovë, falë dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit", thuhet në raportin tremujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Ban Ki Moon. Gjatë kësaj periudhe janë zbatuar shumë pjesë të Marrëveshjes së Brukselit dhe janë bërë disa hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Ban Ki Moon. Ai përshëndeti edhe vendimin për fillimin e negociatave mes Brukselit dhe Beogradit, për anëtarësimin e Serbisë në BE. Bani ka mbështetur edhe negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes BE dhe Kosovës, duke argumentuar se këto hapa nuk do të kishin qenë të mundura pa dialogun Prishtinë - Beograd. Ky dialog duhet të vazhdojë nesër (12.02.2014) në Bruksel, me takimin e 22 mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Të dy kryeministrat ishin prezent në seancën e KS të OKB, ku ata paraqitën pikëpamjet e tyre.

Thaçi: përparime të mëdha në tre muajt e fundit

Kryeministri Thaçi u shpreh se Kosova në tre muajt e fundit të vitit të kaluar ka mbajtur me sukses zgjedhjet lokale, për herë të parë në tërë territorin e vendit. Ndërkohë ka përfunduar edhe procesi i konstituimit të kuvendeve të reja komunale. "Zgjedhjet e lira dhe demokratike janë zhvilluar në përputhje me ligjet e Kosovës. Ato kanë qenë transparente dhe i kanë plotësuar të gjitha standardet ndërkombëtare. Zgjedhjet janë një sinjal shumë i mirë i dërguar nga Kosova", theksoi Thaçi duke shtuar se vetëm në Mitrovicën e Veriut ka pasur probleme gjatë zgjedhjeve por edhe pas tyre, sepse kryetari i zgjedhur Krstimir Pantiq ka refuzuar të nënshkruajë deklaratën e betimit. Për këtë shkak zgjedhjet për kryetar komune në këtë komunë duhet të përsëriten. Kryeminsitri i Kosovës ka dënuar ashpër vrasjen e politikanit liberal në veri, Dimtrije Janiçijeviq, duke shtuar se "vrasja është vepër e paramenduar e atyre që duan t'i mbajnë peng serbët në veri dhe që duan ta evitojnë bashkëpunimin e serbëve me institucionet e Kosovës". Thaçi ka falënderuar Parlamentin Evropian për rezulutën e fundit për Kosovën, ku shprehet mbështetja për këtë vend, duke shtuar se Kosova shpreson nënshkrimin e shpejtë të marrëveshjeve për lëvizjen e lirë të qytetarëve nga Kosova, të cilën deri tani e kanë njohur 105 vende të ndryshme të botës.

Daçiq: nuk e njohim dhe nuk d ota njohim pavarësinë e Kosovës

Homologu i tij serb Daçiq tha se për zbatimin e denjë të Marrëveshjes së Brukselit duhet të hartohen rregulla më të qarta dhe duhet të ngrihet niveli i mirëbesimit. "Mosmarrëveshjet për çështjen e statusit të Kosovës nuk duhet të pengojnë përpjekjet për zgjidhjen e problemeve praktike, të cilat Prishtina i ka lënë pasdore për vite të tëra", theksoi Daçiq duke shtuar se "fakti që Serbia i ka filluar negociatat për anëtarësim në BE, do të thotë se "ajo i ka realizuar detyrimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit".

Duke folur për problemet në Kosovë ai tha se atje ende nuk ekziston evidenca e incidenteve me sfond etnik, se ekzistojnë probleme të mëdha me kthimin e pronave të serbëve dhe problemet me pasuritë e Serbisë dhe Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. "Serbia pret edhe zbardhjen e plotë të akuzave për tregti me organe të raportuesit të Këshillit të Evropës Dick Marti si dhe të krimeve të tjera ndaj serbëve", tha Daçiq. Sipas tij, për Serbinë është i papranueshëm çdo debat për ndryshimin e mandatit të Eulexit, pa pëlqimin e KS të OKB.

"Serbia është e gatshme për normalizimin e raporteve dhe për pajtim në rajon, por nuk është e gatshme dhe nuk do ta pranojë pavarësinë e njëanshme të Kosovës", theksoi Daçiq.