1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kryetarja e KQZ-së në Kosovë Valdete Daka: „Të gjitha përgatitjet janë bërë, por…“

...Nuk mund të përjashtohet mundësia e parregullësive dhe incidenteve në veri. Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet që ato të mos ndodhin, thotë për DW Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror Zgjedhor në Kosovë.

default

DW: Zonja Daka, a kanë përfunduar me sukses të gjitha përgatitjet për zgjedhjet lokale të së dielës (03.11.2013)?

Daka: Gjithçka ka qenë e planifikuar ka përfunduar me sukses. Të gjitha vendimet e planifikuara janë marrë dhe janë dhënë udhëzimet e duhura për komisionerët në vendvotime. Ndaj besoj se dita e votimit do të jetë një ditë e mbarë. Ne jemi të vetëdijshëm se jo të gjitha gjërat kanë shkuar si duhet dhe se ka pasur vështirësi. Por ne kemi bërë të pamundurën që këto zgjedhje të kalojnë mirë, sepse këto zgjedhje janë ndoshta edhe të jashtëzakonshme për faktin se për herë të parë mbahen edhe në veri. Në prag të këtyre zgjedhjeve ka pasur sfida të mëdha, presione politike, mediale, publike e madje edhe të qarqeve ndërkombëtare që ato të organizohen sa më mirë. Përatitjet kanë qenë shumë të vështira. Edhe dita e votimit do të jetë një sfidë e madhe e ndoshta edhe me tensione, por shpresoj se nuk do të kemi incidente. Në vecanti shpresoj se nuk do të kemi incidente ndëretnike, sepse për ne është një shenjë e keqe që edhe 14 vjet pas luftës kemi tensione ndëretnike. Shpresoj se votimi do të kalojë ashtu siç e kemi parashikuar.

DW: Ndër sfidat më të mëdha natyrisht është organizimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës, ku dyshohet se do të ketë probleme në vendvotime dhe ku as komisionerët nuk ndihen plotësisht të sigurtë. A kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për zgjedhje normale dhe të lira në veri?

Daka: KQZ-ja e bën organizimin teknik të zgjedhjeve dhe ne nuk mund të garantojmë sigurinë. Për sigurinë fizike janë angazhuar organet relevante, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i. Ato do të garantojnë kufijtë e jashtëm. Por shpresoj se nuk do të ketë nevojë për ndërhyrje.

DW: Domethënë ju i keni kryer të gjitha përgatitjet teknike për zgjedhje të lira dhe demokratike apo jo? Ju pyes sepse ka pasur vërejtje serioze të partive politike për mangësi lidhur me fletëvotimet.

Daka: Po, përgatitjet teknike kanë përfunduar dhe zgjedhjet mund të fillojnë.

DW: Në prag të zgjedhjeve ka pasur vërejtje serioze edhe lidhur me listat e zgjedhësve, në veçanti në veri, ku autoritetet e Kosovës nuk kanë mundur t'i kontrollojnë ato si duhet. A mund të thuhet se listat me të cilat votohet këtë të dielë, janë në rregull?

Daka: Po, listat janë në rregull, për aq sa ne kemi mundur t'i verifikojmë. Eshtë e vërtetë që në lista ekziston një numër i zgjedhësve serbë, ku kemi pasur vështirësi t'i kontrollojmë, por edhe këto lista janë kontrolluar nga Agjencioni i Regjistrit Civil. Personat në lista janë qytetarë, të cilët kanë të drejtë vote. Por në listat tona nuk kanë qenë, sepse nuk kanë pasur dokumentet e duhura të identifikimit të lëshuara nga institucionet e Kosovës. Megjithatë këta votues janë të regjistruar vetëm për këto zgjedhje dhe besoj se në zgjedhjet e ardhshme të gjithë ata do t'i kenë dokumentet relevante të institucioneve kosovare.

DW: Znj.Daka, në zgjedhjet e kaluara në Kosovë ka pasur vërejtje shumë të mëdha për parregullsi, manipulime dhe vjedhje të votës së qytetarëve. Ka pasur madje edhe raste absurde kur partitë apo personat kanë fituar më shumë se 100% të votave. Pse kësaj radhe qytetarët do të besojnë se nuk do të manipulohet me votën e tyre?

Daka: Po, është e vërtetë kjo që thoni ju. Por kësaj radhe institucionet janë angazhuar maksimalisht që ta ruajnë votën e qytetarëve. Unë fuqishëm besoj se institucionet si KQZ-ja, organet e ndjekjes, policia, prokurorët dhe të gjitha organet e tjera kompetente do të sigurojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe do ta ruajnë votën e qytetarëve. Por në ditën e votimeve një pjesë të madhe të përgjegjësisë e bartin subjektet politike së bashku me komisionerët e tyre. Shpresoj se kësaj radhe e kanë kuptuar mirë rolin e tyre, e ajo është që të jenë aty në shërbim të votuesve dhe jo subjekteve politike.

DW: Një rol të veçantë me siguri që do ta luajnë edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, sepse është akredituar një numër i madh i tyre?

Daka: Po për herë të parë këtu kemi edhe vëzhgues të Bashkimit Evropian. Kemi 100 vëzhgues nga BE-ja dhe kjo është me rëndësi, sepse ata nuk e bëjnë vëzhgimin e zgjedhjeve lokale. Një numër i madh i tyre ka ardhur më parë dhe e ka përcjellë tërë procesin e zgjedhjeve. Ndërsa të tjerët do të jenë këtu në ditën e votimit dhe më pas, për të përcjellë ecurinë e këtij votimi. Kjo i jep një kredibilitet edhe më të madh këtyre zgjedhjeve dhe shpresojmë se numri i vërejtjeve do të jetë shumë i vogël.