1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryetari i ri i bashkisë së Londrës: Ekcentrik por i suksesshëm

Holger Senzel 4 Maj 2008

Postin e kryetarit të bashkisë së Londrës e fitoi konservatori Boris Johnson. Për partinë laburiste të kryeministrit Brown bëhet e plotë humbja masive në zgjedhjet komunale.

https://p.dw.com/p/Dt9k
Boris Xhonson kryetari i ri i bashkisë së LondrësFotografi: AP

Në dallim nga mbreti apo mbretëresha e Anglisë, kryetari i bashkisë së Londrës, qytetit më të madh të Evropës, nuk mban post simbolik. Ai kontrollon një buxhet prej pothuajse 13 miliardë eurosh, parlamenti bashkiak nuk ka shumë të drejtë fjale. Që prej vitit 2000, kur ky post u rifut, atë e ka mbajtur Ken Livingstone, i njohur edhe si 'Ken-i i kuq'.

Ai e fitoi atë fillimisht si i pavarur dhe një herë të dytë si anëtar i Partisë Laburiste. Trashëgimi prej tij do të mbetet me siguri politika e qarkullimit rrugor.

Si do të vazhdohet pas shuarjes së brohoritjeve?

Kur të kenë avulluar fjalët e mëdha për 'hapin historik' si do ta vërë vulën e tij Boris Johnson-i? Çfarë do të bëjë ai ndryshe nga paraardhësi i tij i majtë? Ja përgjigjet e tij:

'Luftim kriminaliteti, përmirësim i transportit, mbrojtje e sipërfaqeve të gjelbra, sigurim banesash të përballueshme, t'u ofrojmë taksapaguesve diçka për kontributet e tyre në të 32 distriktet dhe shpresoj që kushdo që e do këtë qytet do të lerë mënjanë dallimet partiake për tu bashkuar që Londrën ta bëjmë edhe më të madhe.'

Pikërisht këtë synonte edhe paraardhësi i Johnson-it Ken Livingston – dhe dështoi. Në fakt askush nuk pret që 48 vjeçari t'i zgjidhë problemet e qytetit tetëmilionësh. Nganjëherë Londra quhet 'Bota e Tretë e Evropës' për shkak të infrastrukturës së saj krejt të kalbur. Nga njëra anë një qytet me fuqinë ekonomike të Suedisë - dhe nga ana tjetër me varfëri të madhe. Boris Johnson i njeh problemet dhe në radhë të parë ai dallon një sinjal në fitoren e konservatorëve, fundin e qeverisjes laburiste në kështjellën e kuqe Londër pas 27 vjetësh.

'E kam të qartë që Londra nuk do të bëhet brenda natës qytet konservator. Por shpresoj, që kjo fitore të tregojë se konservatorët janë shndërruar në një parti, së cilës mund t'i besohet sërish. Jemi qyteti më i madh, më kozmopolit, shumëracor dhe më zemërgjerë në botë, ku ka sa vijnë e rriten dallimet midis të pasurve dhe të varfërve.'