1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryetari i Parlamentit - president i përkohshëm i Ukrainës.

Auron Dodi (dpa,ap,rtr)23 Shkurt 2014

Në Ukrainë, kundërshtarët e presidentit të rrëzuar Janukoviç kontrollojnë tani postet kryesore të shtetit. Me ritëm të shpejtë opozita po përmbys sistemin politik. Pritet zgjedhja e kryeministrit të ri të Ukrainës.

https://p.dw.com/p/1BE69
Ukraine Parlamentssitzung am 22. Feb. 2014
Fotografi: Reuters

Pas marrjes së pushtetit në Ukrainën e tronditur nga kriza, opozita e deritashme ka zënë të gjitha postet e rëndësishme. Parlamenti në Kiev e caktoi sot (23.02.14) kryetarin e parlamentit, Aleksander Turçinov edhe si president të përkohshëm. Deputetët votuan që i besuari i udhëheqëses së opozitës Julia Timoshenko të marrë përkohësisht edhe të gjitha fuqitë e kryetarit të shtetit.

Parlamenti caktoi zgjedhje presidenciale për më 25 maj. Në këto zgjedhje do të kandidojë edhe Timoshenko. Politikani opozitar, Vitali Kliçko ka lajmëruar prej muajsh kandidaturën e tij. Presidenti i shkarkuar, Viktor Janukoviç megjithatë nuk e ka deklaruar deri tani dorëheqjen.

Turçinovi u bëri thirrje më tej parlamentarëve që deri këtë të martë të bien dakord për një "kabinet të besimit kombëtar" si dhe për një koalicion.

Deputeti Nikolai Tomenko i partisë së Julia Timoshenkos bëri të ditur se parlamenti do ta zgjedhë sot (23.02.) kryeministrin e ri. Timoshenko, e cila e ka mbajtur dy herë këtë post është njësoj kandidate si kryetari i grupit parlamentar të partisë së saj, Arseni Jazenjuk, tha Tomenko në një mbledhje të transmetuar drejtpërdrejt në televizion.

Rezidenca e Janukoviçit pranë Kievit sot e hapur për popullin
Rezidenca e Janukoviçit pranë Kievit sot e hapur për popullinFotografi: GENYA SAVILOV/AFP/Getty Images

Ndalohet largimi i një avioni me Janukoviçin

Se ku ndodhet Janukoviçi mbetet e paqartë. Një avion me Janukoviçin në bord të shtunën në mbrëmje nuk u lejua të ngrihet nga qyteti i Donecit në lindje të Ukrainës, ku është baza e mbështetjes së tij. Këtë lajm e bëri të ditur Shërbimi Kufitar i Kufijve Shtetërorë.

Ndërkohë edhe në Rusi ka shpresa se kthimi në politikë i Julia Timoshenkos do të sjellë një gjendje më stabile në vend. Politikania me përvojë në postin e kryeministres mund të ndihmojë në qetësimin e situatës në Kiev, tha të dielën (23.02.2014) në Moskë deputeti me ndikim, Leonid Sluzki. Rusia kërkon ta vazhdojë dialogun me Ukrainën, edhe nëse kjo "ndërlikohet" pas ndryshimit të pushtetit. Perëndimi nuk do të arrijë "t'i ndajë popujt vëllezër", shtoi Sluzki, kryetari i një komisioni të rëndësishëm për çështjet ndërkombëtare të Dumas.

Rusia e bllokoi deri në sqarimin e situatës së pushtetit në vend dhënien e ndihmave Ukrainës. Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehu gatishmërinë që ta mbështesë me kushte Ukrainën. "Nëse autoritetet ukrainase i drejtohen FMN, qoftë për konsultim, qoftë për diskutime për ndihma financiare, të lidhura me reforma ekonomike, ne kuptohet që jemi gati", tha shefja e FMN, Christine Lagarde në takimin e ministrave të financave G-20 në Sidnej.

Në Kiev gjendja ka qenë e qetë. Me patrulla opozita ruan edhe më tej barrikadat në sheshin Maidan.