1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kryesia e liberal-demokratëve gjermanë mbështet ministrin e Jashtëm Westerwelle

Pavarësisht kritikave masive ndaj politikës për Libinë kryesia e partisë vendosi, që Westerwelle të vazhdojë të qëndrojë në post, falë kthesës së fundit politike, që ka bërë ai.

Westerwelle në shënjestër të kritikave

Westerwelle në shënjestër të kritikave

Presioni ishte ditët e fundit gjithnjë në rritje: Për faktin që ministri i Jashtëm Guido Westerwelle(FDP) për një kohë të gjatë nuk tha asnjë fjalë në shenjë respekti për angazhimin e NATO-s në Libi, qarkullojnë fjalët për zëvendësimin e tij. Megjithatë këto fjalë "nuk përputhen me realitetin", siguron tani FDP-ja. Për kryetarin e partisë liberal-demokrate, Philipp Rësler, as që shtrohet çështja e zëvendësimit të  Westerwelles. Ministri i jashtëm me lëvdatat e shprehura së fundi mbi angazhimin e NATO-s kundër sundimtarit të Libisë Muammar al-Gaddafi, ndonëse "me vonesë, nuk ka reaguar shumë vonë" e ka ndryshuar qëndrimin e tij.

Konferencën e shtypit të planifikuar fillimisht për të hënën në mesditë (29.08)Sekretari i Përgjithshëm i partisë Christian Lindner e anulloi, me sa duket në sfondin e diskutimit mbi Westerwelle-n. Partia e argumentoi këtë vendim me axhendën e takimeve në Berlin. Por në kryeqytet hamendësohet se kryesia e FDP-së e anulloi konferencën e shtypit, për të mos stërzgjatur një debat publik mbi Westerwelle-n.

Westerwelle vlerëson sërish misionin e NATO-s në konferencën e ambasadorëve

Philipp Rösler zëvendëson Guido Westerwellen në krye të partisë liberale

Philipp Rösler zëvendëson Guido Westerwellen në krye të partisë liberale

Westerwelle pas kritikave masive ditët e fundit sërish ka fituar "respektin" e partnerëve, që bashkëveprojnë në misionin e NATO-s në Libi. "Ne jemi të kënaqur, që sundimi i regjimit të Gaddafi-t ka marrë fund", tha Westerwelle të hënën (29.08) në konferencën në Berlin të ambasadorëve gjermanë në botën e jashtme. "Pikërisht, sepse ne i kemi peshuar shanset dhe rreziqet, ne respektojmë angazhimin e Francës dhe të aleatëve tanë për realizimin e rezolutës 1973."

Në prani të ministrit të Jashtëm francez, Alain Juppé, Westerwelle theksoi përpara më shumë se 200 ambasadorëve të mbledhur: "Gjermania edhe në të ardhmen është e gatshme të marrë përsipër përgjegjësi ndërkombëtare. Në këtë drejtim si ultima ratio bën pjesë edhe angazhimi i mundshëm i forcës ushtarake. "Por as në të ardhmen Gjermania parimisht nuk do t'i përmbahet "kulturës së saj ushtarake të të qenit e tërhequr". Politikani liberal nuk u prononcua lidhur me kritikat ndaj politikës së tij.

Distancim

Joschka Fischer ish ministër i Jashtëm i Gjermanisë

Joschka Fischer ish ministër i Jashtëm i Gjermanisë

Westerwelle gjatë ditëve të fundit ka hasur edhe në kritika të ashpra brenda radhëve të partisë së tij, sepse ai për fundin e regjimit të Gaddafi-t shpresonte tek sanksionet e mbështetura prej Gjermanisë, por jo tek misioni i NATO-s, në të cilin Gjermania pas abstenimit në OKB nuk u angazhua. Si rrjedhojë kryetari i FDP-së Rësler u distancua nga Westerwelle dhe deklaroi: "Respekti ynë i thellë dhe mirënjohja jonë vlen edhe për aleatët tanë, të cilët u kanë prerë krahët njësive vrasëse të Gaddaf-it." Edhe kancelarja Angela Merkel e vlerësoi angazhimin e NATO-s: "Ne mbështesim me vendosmëri aleatët tanë dhe NATO-n, për misionin e së cilës unë kam respekt të thellë."

Ish-ministri i Jashtëm gjerman Joschka Fischer (Aleanca 90 / Të gjelbërit)e konsideron si dështim të rëndë qëndrimin e Westerwelle-s dhe të qeverisë: "Qëndrimi i qeverisë federale ndaj konfliktit në Libi me abstenimin në Këshillin e Sigurimit është i vetmi dështim, ndoshta dështimi me i madh i politikës së jashtme gjermane qysh nga themelimi i Republikës Federale", i tha Fischer revistës "Der Spiegel".

Kreu i liberalëve Rësler duhet ta ketë nxitur Westerwelle -n me insistim përmes shumë telefonatash, që t' i përkufizojë qartë deklaratat e tij. Kësisoj ministri e pa veten të detyruar të bëjë një kthesë. Në një artikull për gazetën "Welt am Sonntag" ai gjithashtu shpreh "respekt për atë, që po bëjnë partnerët tanë për të zbatuar rezolutën 1973" e Këshillit të Sigurimit. "Ne jemi të kënaqur që libianët edhe me mbështetjen ndërkombëtare ia kanë arritur ta rrëzojnë qeverinë e Gaddafi-t", shkruan Westerwelle . Nga radhët e FDP-së si rrjedhojë thuhet tani se nuk "ka më vullnet për zëvendësimin" e ministrit të Jashtëm.


"Shansi i tretë"

Guido Westerwelle dhe Alain Juppé në Berlin

Guido Westerwelle dhe Alain Juppé në Berlin

E hapur mbetet, nëse në takimin e vjeshtës të fraksionit parlamentar të FDP-së në kështjellën Bensberg pranë Këlnit do të nisë sërish diskutimi mbi personin Westerwelle. Pakënaqësia në FDP ndaj ish-kryetarit të liberalëve Westerwelle është shumë e madhe.  Në kongresin e partisë, që u zhvillua në maj në Rostok, ku Rësler mori përsipër kryesimin e  partisë pas dhjetë vjetësh drejtimi nga Westerwelle,  ministrit të Jashtëm iu dha një shans i dytë për arsye të meritave të mëdha të tij për partinë, thuhet në qarqet e FDP-së. Ndërkohë vlerësimi është: "Ne jemi në valën e një shansi të tretë."

Autoren: C. Walz / V.Filaj-Ballvora(dapd, dpa, rtr)
Redaktion: Angjelina Verbica