1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kryeprokurori i Kosovës s'ka pasur kërkesë, që të hiqet imuniteti i ndonjë deputeti, i cili që ka kryer ndonjë vepër penale gjatë ushtrimit të detyrës

Kabashi: 'Çështjen e imunitetit të deputetëve të kuvendit të Kosovës duhet ta rregullojë Gjykata Kushtetuese, si i vetmi organ kompetent për interpretimin e kushtetutës.'

Kryeprokurori i Republikës së Kosovës, Ismet Kabashi

Kryeprokurori i Republikës së Kosovës, Ismet Kabashi

DW: Zoti Kabashi, si i shihni ju zhvillimet e fundit rreth çështjes së imunitetit të deputetëve të kuvendit të Kosovës dhe cila duhet të jetë rruga që duhet të ndiqet në një rast të tillë?

Kabashi: Kjo çështje është e rregulluar me ligj. Ligji për të drejtat dhe detyrat e deputetëve e ka paraparë heqjen e imunitetit të deputetëve, mirëpo, imuniteti ka të bëjë me ndjekjen penale dhe deputetët nuk gëzojnë imunitet për vepra penale, të cilat i kryejnë jashtë fushëveprimit të tyre si deputetë. Nuk gëzon imunitet një deputet nëse kryen një fatkeqësi të komunikacionit, shkakton një viktimë, apo kryen një vrasje apo shkakton një vepër tjetër penale. Çështja e imunitetit të deputetit është e rregulluar në atë mënyrë që këtë mund ta bëjë kryeprokurori i shtetit edhe pse në ligj thuhet se kryeprokurori i shtetit (të cilin ne në ligj nuk e kemi atë institucion e ky ligj është nxjerrë mbas kushtetutës e sipas kushtetutës ky funksion), kjo pozitë emërtohet si kryeprokuror i shtetit. Në ligj nuk është thënë se cili është ai organ kompetent që duhet t'i drejtohet kuvendit për kërkimin e pëlqimit për arrestim, apo ndalim të deputetit dhe për këtë arsye, unë konsideroj se këtë çështje duhet ta rregullojë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, si i vetmi organ kompetent për interpretimin e kushtetutës dhe vlerësimit se a janë ligjet në harmoni me kushtetutën apo jo. Kjo çështje është shumë e rëndësishme për krijimin e kushteve për sundimin e ligjit në Kosovë. Ne kemi disa vendime të Gjykatës Kushtetuese të cilat janë respektuar dhe një vendim apo interpretim i Gjykatës Kushtetuese do ta zgjidhte njëherë e përgjithmonë dhe për të gjitha rastet e ardhshme eventuale këtë çështje.

DW: Sipas ligjeve në fuqi, është prokurori ai i cili kërkon nga Parlamenti heqjen e imunitetit të deputetit, përse nuk është ndjekur kjo rrugë në këtë rast?

Kabashi: Sipas ligjit është prokurori kompetent që të kërkojë heqjen e imunitetit, mirëpo, imuniteti nuk ka të bëjë me vepra penale, të cilat nuk janë kryer gjatë fushëveprimit të deputetit si deputet në detyrë. Do të thotë, vetëm për ato vepra penale kërkohet heqja e imunitetit. Unë nuk kam pasur asnjë kërkesë prej askujt që të hiqet imuniteti i ndonjë deputeti, i cili ka kryer ndonjë vepër penale gjatë ushtrimit të detyrës si deputet.

DW: Çështja më e diskutueshme në këtë kontekst është ajo sipas njoftimeve të misionit EULEX, se disa deputet të kuvendit të Kosovës janë nën hetime. A ka prokuroria një rast të mirëfilltë që do të mbështeste kërkesën për heqjen e imunitetit?

Kabashi: Sigurisht që prokuroria fillon një hetim në rast se ekziston një dyshim i arsyeshëm se një person ka kryer një vepër penale. Nuk do të thotë se çdo hetim i filluar do të përfundojë me ngritje të aktakuzës për arsye se ekziston edhe mundësia që ai hetim të pushohet, të mos sigurohen prova. Se a ka raste të mirëfillta, sigurisht ka raste sepse prokuroria nuk do të fillonte një hetim të tillë dhe ndjekja e këtyre rasteve është në kompetencë të prokurorisë speciale të Kosovës. Punojnë edhe prokurorët vendorë, por kryesisht punojnë prokurorë të misionit EULEX dhe ata janë prokurorë, të cilët vijnë nga shtetet në të cilat është një traditë edhe e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pandehurit dhe sigurisht që ata nuk do të lëshohen në fillimin e ndonjë hetimi pa pasur ndonjë bazë të fakteve të cilat vërtetojnë se ekziston një dyshim se një person i caktuar ka kryer një vepër penale.

DW: Në këtë rast po flasim për raste të mirëfillta për deputetë të kuvendit të Kosovës, apo ... ?

Kabashi: Edhe për deputet e njëjta gjë vlenë. Do të thotë, unë nuk besoj se prokurorët mund të fillojnë një hetim ndaj kujtdo qoftë edhe ndaj ndonjë deputeti nëse nuk kanë bazë të fakteve, në të cilat mbështetet dyshimi i arsyeshëm se ata kanë kryer ndonjë vepër penale.

Intervistoi: Bekim Shehu

Redaktoi: Elert Ajazaj