1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kryengritës pa mbështetje

Luftëtarë të milicëve ISIL, të afërt me Al Kaidën, kanë pushtuar pjesë të qytetit irakian Faluxha. Edhe në rajone të tjera duket se milicët po forcohen. Por ata thuajse nuk kanë asnjë mbështetje në popull.

Ekstremistët kanë vendosur nën kontroll një qytet të madh të Irakut: qindra persona të armatosur u mblodhën me flamuj të zinj të xhihadistëve në qendrën e qytetit të Faluxhës dhe shpallën atje "një shtet islamik". Pas kësaj pasuan përleshje të dhunshme në Faluxha dhe në kryeqytetin e provincës, Ramadi. Faluxha ka qenë që në vitin 2003, në kohën e pushtimit nga SHBA një kështjellë e kryengritësve dhe fushë betejash të ashpra.

Luftëtarët që pushtuan Faluxhan dhe Ramadin janë të grupit të afërt me Al Kaidan, "Shteti islamik në Irak dhe në Levante" (ISIL). Ky emër mbështet synimin e milicëve, që të marrin pushtetin në të gjithë rajonin - duke përfshirë Libanin dhe Palestinën. Grupi u themelua në vitin 2006 dhe 2007, në fazën e rezistencës më të fortë kundër pushtimit të Irakut nga SHBA. Në atë kohë këtë grup e sprapsën: përmes bashkëpunimit të trupave të SHBA me udhëheqës të fiseve sunite dhe shumicës së popullit.

Prej tij varen shumë gjëra: kryeministri irakian Nuri al-Maliki

Vitet e fundit ISIL është forcuar sërish, si në Siri ashtu edhe në Irak. Në luftën civile siriane para së gjithash për shkak të dobësimit të grupit të moderuar të kryengritësve "Ushtria e Lirë e Sirisë" (FSA), të cilën e mbështetën përkohësisht SHBA. Në Irak ishte kursi i papajtueshëm i kryeministrit Nuri al-Maliki që çoi në stabilizimin e ISIL, mendon politologu Jochen Hippler nga Instituti për Zhvillimin dhe Paqen i Universitetit Duisburg Essen në bisedë me DW. Politika autoritative e al-Malikit, diskriminimi i sunitëve në vend dhe mënyra e dhunshme e veprimit kundër demonstruesve bënë që në të gjithë vendin të forcohen grupet xhihadiste.

Por mbështetje të madhe në popull ISIL me sa duket nuk ka. "Mënyra brutale, me të cilën ajo mban në këmbë sundimin është famëkeqe", thotë Hippler. Megjithatë "ndërkohë, në të dyja vendet ka rajone të rëndësishme, në të cilat milicët ISIL janë forca më e madhe ushtarake. Luftëtarët janë të trajnuar mirë, të armatosur mirë, shumë të motivuar dhe të organizuar mirë." Pushtimi i Faluxhas është vetëm një shembull. "Në Siri ata janë një faktor i rëndësishëm ushtarak para së gjithash në Aleppo dhe në pjesë të Sirisë Lindore."

Milicët zhvillojnë luftime të ashpra jo vetëm me trupat qeveritare, por edhe me grupe kundërshtare, të cilat kundërshtojnë mënyrën brutale të veprimit të ISIL. Ekspertët thonë se lajmet për shpalljen e shtetit islamik në Faluxha nuk duhen mbivlerësuar. Atje ku ka kontrollin, ISIL shpall një emirat me një emir lokal, që ka atje komandën ushtarake. Por në llogari të fundit, kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe.