1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kryeministrja serbe, Ana Brnabić: Gjermania është modeli ynë

Kryeministrja serbe, Ana Brnabić, e ftuar nga Deutsche Welle për të parë nga perspektiva e Ballkanit, Gjermaninë para zgjedhjeve, thekson se për Serbinë ka shumë rëndësi mbështetja gjermane.

Në politikë hyra me qëllimin që të bëja diçka të mirë për vendin tim dhe qytetarët e tij. Rashë dakord që të bëhesha kryetare e qeverisë, pas disa vitesh punësimi në sektorin privat. Kjo sepse synoj, që Serbia, atdheu që e dua, të jetë një shtet i suksesshëm me një shoqëri të fortë dhe qytetarë të përgjegjshëm. Ne duhet të jemi të guximshëm dhe të mendojmë për gjeneratat e ardhshme.

Falë reformave të thella dhe të suksesshme ekonomike të qeverisë së mëparshme, kemi krijuar kushtet që të fillojmë me një reformë të zgjeruar të administratës publike. Qëllimi ynë është një shtet modern dhe efikas në shërbim të qytetarëve të tij. Qeveria e Serbisë dhe unë, si edhe presidenti i vendit duam të forcojnë shoqërinë, shtetin dhe ekonominë për të përballuar sfidat e shekullit të 21- në një botë gjithnjë e në ndryshim. Vizioni im është një shoqëri moderne, e ndërtuar mbi një sistem arsimor më të mirë dhe një sistem vlerash, ku në krye qëndrojnë dija dhe kompetencat. Ne duhet të ripërcaktojmë gjithçka është krijuar në këto vite dhe hapi i parë dhe i rëndësishëm në këtë kontekst është digjitalizimi.

Mbështetja nga Gjermania

Idetë orientuese janë zhvillimi, inovacioni, administrata efikase dhe respekti për njeriun dhe të drejtat e minoriteteve, si edhe vlerat e një shoqërie moderne, siç i gjejmë në Europë dhe sidomos në Gjermani. Parë nga cilësia e marrëdhënieve që kemi ndërtuar në vitet e fundit, jam e bindur, se Serbia në zbatimin e reformave, në çështjen e përmirësimit të marrëdhënieve në rajon si edhe në rrugën e integrimit në BE do të gjejë mbështetjen e miqve në BE dhe të Gjermanisë.

Për shumë serbë, Gjermania është modeli i një shteti ideal, jo thjesht nga asryet ekonomike, por nga pikëpamja sociale. Serbia dhe Gjermania kanë një traditë të gjatë të marrëdhënieve kulturore dhe ekonomike, marrëdhëniet tona politike zhvillohen dita ditës. Këtë e tregojnë takimet e paraardhësit tim, Aleksandar Vučić me kancelaren gjermane, Angela Merkel, si edhe takimi im me të gjatë samitit të Ballkanit Perëndimor në Trieste. Megjithëse i shkurtër, ky takim konfirmoi, se ne ndajmë të njëjtat mendime për të ardhmen e vendeve dhe shoqërive tona. Merkel tregoi fuqi politike dhe vizion, kur foli për ndryshimet që duhet të bëjë çdo shtet, për të krijuar një perspektivë për të ardhmen për qytetarët e tij.

Marrëdhënie të ngushta
 

Të gëzon fakti, që Gjermania prej vitesh është një nga investitorët më të mëdhenj dhe partnerët ekonomikë të Serbisë. Inkurajuese është rritja e dukshme vëllimit tregtar në 15 vitet e fundit si edhe eksportet tona në Gjermani. Qindra mijëra qytetarë serbë jetojnë në Gjermani, një faktor i rëndësishëm ky për marrëdhëniet mes dy vendeve. Inkurajues është po ashtu fakti që ne flasim hapur për çështjet e së shkuarës. Kjo ka bërë që në këtë vit ne përuruam një përmendore për gjermanët që u vranë apo u dëbuan në fund të Luftës së Dytë Botërore. Pas pak kohësh do të nënshkruhet në nivel qeveritar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe krijimi i një shkolle gjermane në Beograd. Në këtë kontekst, gëzohem që letërsia gjermane do të jetë në fokus të panairit të librit në Beograd.

BE- e ardhmja e Ballkanit Perëndimor

Lidhur me çështjen e anëtarësimit në BE, në Serbi ka një konsensus të gjerë. Anëtarësimi në BE mbetet qëllimi ynë më i rëndësishëm në politikën e jashtme. Forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe rruga në BE do të ishin shumë më të vështira, nëse para tre vjetësh, kancelarja Merkel nuk do të kishte startuar me „Procesin e Berlinit".

Jam thellësisht e bindur, që anëtarësimi në BE i vendeve perëndimore është në interesin e Europës. Ne ndajmë të njëjtat vlera, të njëjtën kulturë dhe civilizim. Gjermania është partneri më i rëndësishëm për Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor, prandaj është shumë pozitive që Berlini luan rol aktiv në forcimin e bashkëpunimit rajonal. Do të ishte me vend, që edhe shtetet e tjera anëtare të BE të ndjekin këtë shembull.

 

Ana Brnabić është një politikane serbe pa parti, dhe nga qershori 2017, kryeministre e Serbisë. Ajo ka studiuar shkencat ekonomike në SHBA dhe në Britaninë e Madhe. Nga gushti 2016, ajo ka qenë ministre serbe për Administratën Publike në qeverinë e Aleksandar Vučić. Pas zgjedhjes president, ai e propozoi atë si kryeministre. Zgjedhja e saj në krye të qeverisë serbe u ndoq me vëmendje, sepse Brnabić nuk e fsheh orientimin e saj seksual për të njëjtën gjini.